Nishani: Reforma në drejtësi e pavarur nga politika dhe grupet e interesit

Në takimin kokë më kokë dy homologët, Nishani dhe Pahor, zhvilluan një bisedë të përqendruar kryesisht në zhvillimin e marrëdhënieve të shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Sllovenisë, si dhe marrjes si shembull të përvojës pozitive sllovene për t’u integruar në institucionet evropiane.

Më pas, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dhe Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, drejtuan bisedimet mes dy delegacioneve respektive zyrtare.

Në fjalën e tij gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, Presidenti Nishani u shpreh se,“qëllimi i kësaj vizite është avancimi i marrëdhënieve ndërmjet vendeve tona në planin dy dhe shumëpalësh, forcimi i bashkëpunimit në kuadër të integrimit evropian, nxitja e bashkëpunimit rajonal dhe shkëmbimi i pikëpamjeve për zhvillimet e fundit ndërkombëtare. Mund të them, se kemi patur pikëpamje të njëjta dhe mirëkuptim të plotë”.

“Marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Sllovenisë janë të shkëlqyera dhe me mundësi të mëdha zhvillimi, në mënyrë që bashkëpunimi ekonomik dhe në fusha të tjera të ngjitet në nivelin e bashkëpunimit politik”, tha Kreu i Shtetit. 

“Shprehëm interesin për nxitjen e bashkëpunimit në fusha si: energjia bujqësia, turizmi, transporti, arsimi, kultura e shkenca, etj. Projektet madhore rajonale dhe më gjerë, si: Trans-Adriatic Pipelina, Korridori Joniano-Adriatik, Hekurudha Mynih-Stamboll, etj., ofrojnë mundësi bashkëpunimi, punësimi dhe zhvillimi për vendet tona, rajonin dhe lidhjen me Bashkimin Evropian tregje të tjera”, theksoi Nishani.

Gjithashtu, Presidenti Nishani shprehu mirënjohjen e tij dhe të popullit shqiptar për mbështetjen që Sllovenia i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit euroatlantik dhe veçanërisht për lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë në Zonën Shengen.

 “Sllovenia është për ne një partner i rëndësishëm rajonal e evropian me shumë karakteristika të përbashkëta, si: afërsia, madhësia, historia e lidhjeve, prania e një komuniteti shqiptar etj. Mirëpresim ekspertizën sllovene gjatë procesit të integrimit, një eksperiencë e vyer, pozitive dhe nga një vend mik”, tha Presidenti Nishani.

“Shqipëria dhe populli shqiptar e kanë merituar statusin e vendit kandidat për në BE, në sajë të reformave të kryera; Ne e konsiderojmë këtë arritje si fillimin e një rruge që do të kërkojë reforma më të thella dhe më të plota, në mënyrë që të përgatitemi për hapjen e bisedimeve të pranimit”, u shpreh Kreu i Shtetit.

Sipas Presidentit Nishani, “lufta kundër krimit të organizuar, politika antikorrupsion, reformimi i drejtësisë, bazuar në parimet e gjithëpërfshirjes, transparencës, profesionalizmit dhe pavarësisë nga politika dhe grupet e interesit, si dhe ndërtimi i administratës publike profesionale jashtë ndikimeve politike, mbeten prioritet tona, kur bëhet fjale për zhvillimin e mëtejshëm të reformave”.

Sllovenia, shtoi Nishani, “është një zë i fuqishëm në BE për rajonin tonë. Vlerësojmë angazhimin e Sllovenisë në proceset rajonale të Ballkanit, si në drejtim të forcimit të marrëdhënieve dypalëshe me vendet e tij, ashtu edhe në drejtim të krijimit të një kohezioni në qëndrime e në trajtimin e problematikave që shoqërojnë proceset e bashkëpunimit ndërmjet tyre dhe ato integruese”.

“Qasja pozitive e Sllovenisë ndaj Kosovës, si dhe ndaj gjithë zhvillimeve në rajon, kanë qenë në favor të paqes e stabilitetit të qëndrueshëm, prosperitetit dhe integrimeve euro-atlantike të të gjitha vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Kosova sot është prova e qartë se ky qëndrim ishte shumë i drejtë. Procesin e Berlinit e konsiderojmë një nismë shumë të gjetur, në momentin e duhur, për realizimin e objektivave te këtij procesi”, tha Nishani.

Presidenti Nishani shprehu gjithashtu mirënjohjen ndaj Sllovenisë për gjithë kontributin e dhënë dhe rolin drejtues, bashkë me Kroacinë, në Procesin e Brdo-Brijunit.

“Vlerësoj lart këtë proces, si paraprirës të Berlinit, për nismat e ndërmarra, për aktivitetet e organizuara dhe ekspertizën që po ofron për vendet e rajonit tonë e më gjerë. Shqipëria mbetet thellësisht e interesuar për vazhdimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të Procesit të Brdo-Brijunit”, tha Nishani.

Sllovenia, vijoi ai, “përbën një model për gjithë rajonin tonë sesi kapërcehen problemet dypalëshe me dialog”.

“Ndamë mendimin se Shqipëria dhe shqiptarët po luajnë një rol të rëndësishëm për stabilitetin, sigurinë, bashkëpunimin, krijimin e një imazhi të ri dhe integrimi në rajon. E sigurova homologun tim se Shqipëria do të vazhdojë të luajë një rol aktiv dhe konstruktiv në rajon, sepse duam që të mbretërojë politika e fqinjësisë së mirë, forcimi i bashkëpunimit dhe gjithëpërfshirja dhe jo retorikat nacionaliste dhe përjashtimi.

Kësaj klime i kanë shërbyer edhe bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Komisioneres Ashton, të cilat i mbështesim dhe i inkurajojmë fuqishëm. Unë përfitoj nga rasti të falënderoj Presidentin Pahor për rolin e tij udhëheqës në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona dhe bashkëpunimin rajonal me dëshirën e madhe për ta mikpritur sa më shpejt, në Shqipëri”, u shpreh Kreu i Shtetit. 

SHKARKO APP