Nishani: Serbia e ka njohur Kosovën de facto, s’ka plan për Shqipërinë e Madhe
Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani në një intervistë ekskluzive për Anadolu Agency (AA) është ndaluar në disa çështje, si tek ndërtimi autostradës Nish-Prishtinë-Durrës, gazsjellësi Trans Adriatik, marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, gjendja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, si dhe marrëdhëniet Shqipëri-Turqi, proceset integruese në Ballkanin Perëndimor, fenomenin e largimit të shqiptarëve drejt vendeve Perëndimor, etj.
Kreu i shtetit shqiptar në kë të intervistë vlerëson se Pavarësia e Kosovës i shërben stabilitetit dhe sigurisë rajonale dhe se de fakto Serbia e ka njohur Kosovën. Ai procesin e integrimit evropian e shikon si mekanizmin më të mirë të një lloj pajtimi, afrimi dhe bashkëpunimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor, pavarësisht fazave që ndodhen këto vende. Nishani vlerëson se detyra dhe përgjegjësia e gjeneratës së sotme të politikbërjes dhe të vendimmarrjes është se si do të jetë Shqipëria në të ardhmen. Ndërkohë ai ndalet edhe në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë, duke i konsideruar shumë të konsoliduara dhe të shkëlqyera. Presidenti i Shqipërisë gjithashtu jep vlerësimin e tij edhe për autostradën Nish-Prishtinë-Durrës, gazsjellësin TAP, etj.
-Autostrada Nish-Prishtinë-
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, ka nënvizuar rëndësinë e madhe që ka sipas tij procesi i Berlinit dhe vlerëson se lidershipi i Gjermanisë është fondamental dhe i pa zëvendësueshëm në këtë proces. Ai e konsideron këtë proces jo vetëm politik, por edhe si një proces që lidhet me sigurinë, dhe me zhvillimin ekonomik, pa cilat nuk mund të ketë asnjëherë një politikë stabile, dhe një politikë që ti shërbejë paqes, për me tepër në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Gjithashtu vlerëson se Ballkanit Perëndimor në të shkuarën i ka munguar jo vetëm besimi tek njëri-tjetri, por është një rajon që ka përfshi në luftëra të tmerrshme vendet dhe popujt e këtij rajoni.
“Ndaj çështja e sigurisë, e paqes dhe kultivimit të fqinjësisë së mirë përmes dialogut janë të rëndësishme. Kështu që procesi i Berlinit, duke ofruar në radhë të parë kontekstin e qenies në kontakt dhe trajtimit të projekteve të përbashkëta zhvillimore, që ndikojnë në radhë parë tek ekonomia, por edhe tek siguria e rajonit, shpresoj të ketë një perspektivë pozitive. Rasti i projektit konkret, padyshim që është një projekt shumë i mirë, pozitiv dhe i rëndësishëm. Së pari Serbia ka një avantazh të madh sepse i krijohet një korridor i rëndësishëm i daljes në det, nga ana tjetër krijohet një mundësi komunikimi, sepse komunikimi i njerëzve e rrit besimin dhe fillon ta zëvendësojë të shkuarën e hidhur me një të ardhme optimiste dhe të orientuar tek bashkëpunimi”- u shpreh Nishani.
Presidenti Nishani vlerëson se në këtë projekt Shqipëria ka kryer një detyrë të rëndësishme të saj, pothuajse projekti nga pjesë e Shqipërisë është kryer nga investimi i qeverisë shqiptare përmes autostradës Durrës-Morinë , por edhe në pjesën e Kosovës ka nj ecuri të mirë të kësaj autostrade nga Vërmica drejt Prishtinës.
Ai konsideron se autostrada Nish-Prishtinë-Durrës duhet realizuar, pasi është një projekt që sipas Presidentit Nishani ndihmon edhe Kosovën, edhe Serbinë edhe Shqipërinë. “Nga ana tjetër unë besoj që krahas autostradës do ishte po aq e rëndësishme të kishim një projekt për ndërtimin e hekurudhës nga Durrësi drejt Prishtinës, edhe drejt Beogradit, sepse kjo hekurudhë do të kishte impakt shumë të madh, jo vetëm në këto tre vende, por do të kishte një impakt në Malin e Zi, Bosnje dhe Hercegovinë, edhe në Maqedoni për ta nxjerrë atë drejt Bullgarisë, pastaj lidhur me Turqinë. Çka do të thotë një rrjet i zhvillimit hekurudhor që do të ishte në afat mesëm dhe afat gjatë në kontekstin e bashkëpunimit ekonomik, lëvizjes së mallrave, shume herë më efikas se projektet e veçanta që mund të bëhen brenda vendeve caktuara. Gjithashtu do të dëshiroja të shikoja në nj të ardhme të afërt një mbështetje financiare dhe nisje të punës për korridorin Blu, i cili është korridori Adriatiko-Jonian, që përmbledh një sëre vendesh, në mos themi shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor”.
-Autostrada adriatiko-joninane dhe gazsjellësi TAP-
Projekt i rëndësishëm në kontekstin rajonal, që do ti shërbente jo vetë ekonomisë, por edhe turizmit, në vlerësimin e Presidentit Nishani është edhe autostrada adriatiko-joninane . Ai shprehet se gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, përfshirë dhe Kroacinë, BeH, Serbinë, Malin e Zi, Kosovën, Maqedoninë, Shqipërinë, kanë potenciale reale të zhvillimit të turizmit dhe turizmi duhet të jetë një prioritet për shkak se këto vende nuk kanë një ekonomi të orientuar tek industria.
“Janë kryesisht shoqëri të vogla, por ofrojnë pjesën e shërbimeve cilësore, natyra është e mrekullueshme, klima e të gjithë këtij rajoni është e mrekullueshme dhe mund të bëhet një turizëm në të gjitha stinët. Ndaj pjesa e korridorit Blu siç quhet adriatiko-jonaian do të bënte një lidhje perfekte midis Evropës, Evropës Perëndimore, Qendrore, dhe lidhej pastaj drejtpërsëdrejti me Kroacinë dhe fillonte pastaj poshtë në BeH, në Malin e Zi, Shqipëri, përfitonte po ashtu në mënyrë indirekte Serbia, Kosova dhe Maqedonia, dhe kishte një lidhje drejtpërdrejtë me Greqinë. Duke patur parasysh dhe hapësirën e bregdetit që është përballë Italisë, që vjen nga Sllovenia, Kroacia, Mali i Zi, Shqipëria dhe Greqia, besoj që krijohet një rrjet i organizimit dhe shfrytëzimit nga pikëpamja turistike, jo vetëm rajonal, por përtej rajonal. Unë besoj se resurset dhe rajoni i Ballkanit, vendet e rajonit të Ballkanit janë ende të pazbuluara nga konteksti i atraksionit turistik, për turistët evropianë, por jo vetëm evropianë”- shprehet në intervistën e tij për AA Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani.
Për sa i takon çështjes së gazsjellësit TAP (Gazsjellësi Trans Adriatik) ai beson se është nga shanset më të mëdha dhe beson se do të konsiderohet projekti i shekullit jo vetëm për Shqipërinë, por për gjithë rajonin dhe sipas tij është një emergjencë, çështja e diversifikimit të resurseve të furnizimit me gaz, për gjithë Evropën. Ai pohon se sa më shumë mundësi dhe resurse që të ketë, aq më tepër rritet dhe shtohet siguria dhe shtohen kapacitet për zhvillimin e ekonomisë.
Diku iu referuar këtij gazsjellësi Nishani shprehet se: “Projekti TAP është një alternativë shumë e mirë për diversifikimin e resurseve të furnizimit me gaz të Evropës, por edhe të rajonit. Për fatin e keq Shqipëria nuk ka një rrjet të furnizimit me gaz për qëllime të brendshme, por besoj, duke qenë projekti TAP, ka një bazë të mirë në Shqipëri. Ai jo vetëm do ti shërbente edhe gazifikimit të Shqipërisë, por është një mundës reale dhe potencial i madh për dërgimin e degëve të këtij gazsjellësi edhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, duke filluar me Malin e Zi, Bosnjën dhe Hercegovinën, me Serbinë, dhe deri në Kroaci, pse jo edhe Slloveni dhe vetë pastaj pjesa e Evropës Qendrore do të kishte krahas interesit duke u lidhur me krahun e Italisë, mund të lidhej edhe në krahun e pjesës të Ballkanit. Së dyti ky është një proces dhe projekt i cili ndikon tek çështja e sigurisë energjetike. Ne duhet të jemi transparent dhe të hapur. Çështja e sigurisë së energjetikës është kthyer një nga sfidat e mëdha të sigurisë evropiane sot, ndaj përmes alternimit, diversifikimit, të këtyre burimeve, unë besoj se shtohet në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe siguria energjetike që do të thotë siguria në tërësi e Europës”.
Gjithashtu ai vlerëson se edhe Ballkani vetë ka nevojë për resurse të tilla, duke qenë se Ballkani do të jetë një platformë përçues e kësaj alternative, ku shton se “besoj se edhe vëmendja e Evropës tashmë drejt Ballkanit, jo vetëm Shqipërisë, do të shtohet dhe rritet edhe në kontekstin e sigurisë dhe bashkëpunimit ekonomik në tërësi”.
-“Proceset e integrimit euro-atlantik afrojnë shumë Evropën me Ballkanin Perëndimor”.
Nishani procesin e integrimit evropian e shikon si mekanizmin më të mirë të një lloj pajtimi, afrimi dhe bashkëpunimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor, pavarësisht fazave që ndodhen vendet në fjalë, të cilat ai i quan se janë të ndryshme, si dhe pavarësisht faktit që ka një diferencë në standarde midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të Bashkimit Evropian. Këtu ai flet për standardet që lidhen me zhvillimin dhe konsolidimin e demokracisë, që kanë të bëjmë me funksionimin e institucioneve të shtetit, me nivelin e zhvillimit të ekonomisë, me organizimin dhe qenien aktive ndaj problemeve të mëdha ndaj shoqërive dhe gjitha vendeve dhe kombeve të Ballkanit Perëndimor në raport me vendet e Bashkimit Evropian, qytetarët e BE.
“Por gjitha këto janë të tejkalueshme dhe procesi për ti tejkaluar dhe për ta përgatitur plotësisht të gjitha vende e Ballkanit Perendimor për të qenë të gatshëm si anëtare të BE kalon parmes këtij procesi, që është procesi i integrimit dhe procesi është më i rëndësishmi se çdo gjë tjetër për të gjitha këto vende, sepse përveç procesit do të bëhet e mundur të arrihen standardet që kërkohen në gjitha ato fusha dhe aspekte që unë i përmendja me lart. Procesi nuk është vetën teknik, por është dhe politik, ndaj përmes këtij procesi politik dhe teknik vendet e Ballkanit Perëndimor jam i sigurtë që do të jenë edhe më afër me njëri-tjetrin, do të shkëputën nga problemet që kanë patur në të shkuarën që kanë sjellë edhe luftëra, edhe spastrime etnike dhe krime lufte në Ballkan, por nga ana tjetër do të shikojnë dhe shkojnë drejt një mentaliteti evropian që sot reflektohet mes vendeve të Bashkimit Europian”-shprehet për AA kreu i shtetit shqiptar.
Ndërsa NATO-n ai e vlerëson si një organizata politike dhe ushtarake më e suksesshme sot veçanërisht në ruajtjen e ekuilibrave të sigurisë, por dhe në rivendosjen e këtyre ekuilibrave aty ku ato për shkaqe qoftë të terrorizmit, qoftë agresivitetit dhe luftërave të dhunshme, që sipas tij ka vendosur përsëri këto ekuilibra dhe është një garant i ekuilibrave në rang botëror. Ndaj kapacitetet e një organizate të tillë që ruan ekuilibrat në rang global dhe kur kjo ka vëmendje dhe prezencë në Ballkan siç është përmes anëtarësimit tashmë të Kroacisë dhe Shqipërisë, është sipas Nishanit një vlerë shumë e madhe për gjitha vendet e Ballkanit. Nishani vlerëson se Shqipëria ka një qëndrim konstant zyrtar të saj në mbështetje të anëtarësimit në NATO edhe të Malit të Zi, edhe Maqedonisë dhe shprehet se të dyja këto vende e meritojnë të jenë pjesë e kësaj organizate. Por thekson se edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor nëse në strategjitë e tyre afat-mesme do të shkojnë drejt kësaj trajektoreje, pra duke e konsideruar çështjen e sigurisë të tyre, edhe të rajonit dhe të shërbimit të rajonit në interes të sigurisë edhe të Evropës që do të jetë një vlerë po aq e madhe për këto vende në procesin e integrimit evropian, do të ishte i mirëpritur dhe do të ishte një hap pozitiv.
“Në vetvete proceset e integrimit euro-atlantik janë procese të cilat ndikojnë në konsolidimin e demokracisë, ndikojnë në rritjen e transparencës, ndikojnë në thithjen e investimeve të huaja me impakt vendor, por edhe rajonal dhe janë procese që njëkohësisht afrojnë shumë Evropën me Ballkanin Perëndimor. Ballkani Perëndimor është një pjesë natyrale e Evropës si në aspektin gjeografik ashtu edhe në aspektin kulturor dhe mentaliteteve të shoqërive që jetojnë në vendet e Ballkanit Perëndimor. Pavarësisht problemeve që i ka sjellë historia vetë këtyre vendeve, por është një pjesë e natyrshme në të gjitha këto kontekstet dhe analizat që mund të bëhen. Ballkani është pjesë normale e Evropës, ndaj unë besoj që përmes këtyre proceseve dhe përmes këtyre mekanizmave që përmendëm, qoftë politik, qoftë sigurisë, zhvillimit ekonomik, janë procese që do ta ndihmojnë shumë Ballkanin në radhë të parë, por edhe afrimin e Ballkanit dhe do të ishte një proces që do ta kompaktësonte më shume Europën, qoftë në aspektin politik, por do ti krijonte një çlirim energjish dhe komunikimi më të madh në aspektin ekonomik”.
-“Pavarësia e Kosovës i shërben në tërësi stabilitetit dhe sigurisë rajonale”-
Presidenti i Shqipërisë deklaron se procesi i dizintegrimit pa konsensus të ish-Jugosllavisë prodhoi edh luftëra. “Kosova është pjesë e këtij procesi dhe Kosova nuk mund të mbetej jashtë procesit të shkëputjes nga ish-Jugosllavia. Sot ka një parim të madh demokratik i vendosjes nga shumica, parimi kryesor i demokracisë është që shumica vendos, pa dyshim që pakicat gëzojnë të njëjtat të drejta si shumica dhe duhet të jenë të barabarta në të gjitha aspektet politike, ekonomike, sociale, zhvillimore, por vendimet merren nga shumica, ky është parimi bazë i përbotshëm demokratik”.
Shpalljen e pavarësisë së Kosovës Nishanin e shikon si një realitet të pa kthyeshëm. “Kosova nuk u shpall e pavarur se ndikoi Shqipëria apo kishte dëshirë Shqipëria, por u shpall e pavarur si rezultat i këtij procesi që unë përmenda, i vendimit të shumicës së qytetarëve të Kosovës dhe pa dyshim edhe të një mbështetje politike ndërkombëtare të aktorëve kryesore të ruajtjes së ekuilibrave dhe paqes botërore. Ka një vendim edhe në aspektin juridik të Gjykatës Evropiane e cila e trajtoi këtë çështje dhe i dha edhe kolonën e jurisprudencës ndërkombëtare pavarësisë së Kosovës, pra është një fakt i kryer, është një realitet që nuk ka kthim pas. Pavarësia e Kosovës nuk ishte një akt që drejtohej kundër Serbisë dhe popullit serb, absolutisht jo në gjykimin tim, pavarësia e Kosovës është një akt i cili i shërben në tërësi stabilitetit dhe sigurisë rajonale. Po të shikojmë që pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës kanë ndodhur ngjarje dhe zhvillime të cilat nuk e kanë përkeqësuar situatën e sigurisë, përkundrazi e kanë përmirësuar situatën e sigurisë dhe paqes, sepse i ka sjellë njerëzit dhe popujt që kanë qenë në luftëra të ashpra me njëri-tjetrin në tryezën e bisedimeve, i ka sjellë në tryezën e negocimit dhe të shikimit nga e ardhmja”.
Sipas tij, de fakto Serbia e ka njohur Kosovën për sa kohë që janë ulur si dy vende të barabarta, qeveritë dhe kryeministrat e dy vendeve janë ulur si dy vende të barabarta, dhe kanë negociuar me njëri-tjetrin, natyrisht me praninë faktorit ndërkombëtar, sepse të dyja vendet janë në procese integrimi, janë në procese zhvillimi.
Jo vetëm Kosova dhe Serbia, por edhe Shqipëria, Mali i Zi, Bosnje dhe Hercegovina, edhe Kroacia deri dje dhe ende vazhdon edhe sot, edhe Sllovenia, pra janë vende, që sipas Nishanit nuk mund të arrijnë objektivat e tyre nacionalë pa një bashkërendim me faktorin ndërkombëtar, Bashkimin Evropian, por natyrisht edhe faktorin mbështetës SHBA-në, në kuptimin e ruajtjes së ekuilibrave të sigurisë të paqes rajonale dhe që e konsideron se mbetet i rëndësishëm.
“Pra në kuptimin de fakto unë besoj që Serbia e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Ka një vështirësi në dukje në aspekti de juro që Serbia të shprehet de juro që e njeh Kosovën. Dhe unë besoj që këtu ka një ndikim për fatin e keq një mentalitet nacionalist dhe ekstremist që përfaqësohet më çdo vend nga minorancat. Unë jam i bindur që edhe në Serbi, por edhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, në grupimet nacionaliste dhe ekstremiste janë gjithmonë minoranca dhe për fatin e keq ata bëjnë zhurmën më të madhe, por nuk kanë fuqinë shoqërore më të madhe, nuk kanë fuqinë politike më të madhe, nuk kanë impaktin në zhvillimin e vendit më të madh, absolutisht. Ekstremizmi dhe nacionalizimi mbetet dhe do të jetë gjithmonë një minorancë brenda çdo vendi , kështuqë edhe në shoqërinë serbe dhe në shtetin serb unë besoj që nacionalizmi dhe grupet ekstremiste janë në minorancë që nuk mund të ndikojnë dhe nuk mund të pengojnë zhvillimin qoftë të vendit të tyre në radhë të parë, por edhe në tërësi të vendeve të tjera dhe të bashkëpunimit rajonal”.
Nishani ndër të tjera vlerëson se Shqipëria nuk ka dashur dhe nuk mundet asnjëherë të ndërhyjë dhe nuk duhet të ndërhyjë sipas tij për sa i takon dinamikës së zhvillimit të marrëdhënieve, të bashkëpunimit dhe komunikimit midis Serbisë dh Kosovës. “Kosova tani është një shtet i pavarur, nuk është pjesë e Shqipërisë, ka shtetin e saj, shumica është shqiptare, por ka dhe minoritetet e tjera, siç është minoriteti serb, boshnjak, malazez, romë, etj., të cilët janë pjesë dhe qytetarë të këtij shteti, janë pjesë e vendimmarrjes dhe zhvillimit të këtij shteti, pra janë prodhues të autoriteteve shtetërore, të qeverisë së tyre, të institucioneve të tyre, dhe janë këto institucione dhe autoritete që përfaqësojnë interesat e Kosovës, përfaqësojnë vendimmarrjen e Kosovës, vizionin e saj dhe natyrisht marrin përsipër përgjegjësitë për çuarjen përpara të Kosovës. Por Shqipëria e ka mbështetur dhe do të vazhdojë ta mbështesë dhe ta inkurajojë këtë bashkëpunim, mirëkuptim edhe këtë negocim.
Presidenti Nishani ka pohuar se mes Kosovës dhe Serbisë ka një sërë marrëveshjes të arritura të cilat duhen zbatuar. Sipas tij nëse krijohet një kulturë e arritjes së marrëveshjeve, por mos implementimin e tyre, atëherë kjo në radhë të parë do të sjellë menjëherë tronditjen e besimit në seriozitetin e negociatave dhe besimit të autoriteteve që kanë marrë përsipër të përfaqësojnë sovranitetin e qytetarëve të tyre. Nga ana tjetër Nishani vlerëson se zbatimi i marrëveshjeve do të thotë një çlirim energjish për zhvillim ekonomik, qoftë për Serbinë, qoftë edhe Kosovën. “Ne nuk mund të mendojmë që do të kemi më luftëra për të kthyer realitete të cilat janë tejkaluar, janë tejkaluar edh me koston e luftërave dhe kostoja ka qenë e të gjithëve. Nuk besoj që lufta nxjerr fitimtarë në të gjitha aspektet dikë. Nga lufta vuajnë të gjithë dhe më shumë se çdo rajon tjetër i Evropës, Ballkani e ka vajtuar përfshirjen në luftëra, në masakra. Gjeneratat e sotme politikbërëse dhe vendimmarrëse, ku ja parashtrova dhe Vuçiç ne Tirane, duhet të tejkalojnë të gjithë problematikat e trashëguara, pa i harruar ato, sepse unë mendoj që nuk duhen harruar në mënyrë për të ndihmuar reflektimin tonë tek e ardhmja, jo në kuptimin e revanshit apo konservimit të urrejtjes. Konservimi i urrejtjes nuk ndihmon askënd, por ajo që është më kryesorja gjeneratat e sotme kanë dorë që të mendojnë më shumë për brezat ardhshëm”.
Kreu i Shtetit shqiptar shprehet se detyra dhe përgjegjësia e gjeneratës së sotme të politikbërjes dhe të vendimmarrjes është se si do të jetë Shqipëria në një të ardhme. “Unë në kontekstin e logjikës dhe adresimit nuk e shoh fare të vështirë. Ka vështirësi dhe sfida në mënyrën e implementimit sepse ka pengesa nga më të ndryshmet, shpesh herë që na marrin peng, por aftësia, zotësia dhe lidershipi i individëve dhe grupeve të individëve, pikërisht këtu vihet në peshore, sesa ata janë të prirur për të dominuar interesin në radhë të parë të qytetarëve të tyre, të vendit të tyre, që lidhet me të ardhmen me reminishencat që na ka lënë e kaluara”.
Ndërsa për Bosnjen dhe Hercegovinën ai shprehet se ka një situatë pak më ndryshe edhe për shkak të organizimit konstitucional që ka. “Të njëjtën do të thoja edhe për atë pjesë e cila është kundër njohjes së Kosovës në BeH. Ne jemi vende fqinje, ne jemi vende në këtë rajon, nuk e ndryshojmë dot vendndodhjen tonë, nuk e ndryshojmë dot vendin ku lindin dhe rriten fëmijët tanë, nuk e ndryshojmë dot vendin e gjeneratave të ardhshme. Ne jemi këtu në këtë rajon dhe do të jemi në këtë rajon, kështuqë nëse kemi humbur në të shkuarën kjo nuk është justifikim që të vazhdojmë të mendojmë me të njëjtin mentalitet edhe për të ardhmen”.
– Për shqiptarëve në Luginën e Preshevës vazhdon të mbetet shqetësim situata ekonomike dhe sociale e tyre-
Për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë Nishani shprehet se është një vendimmarrje e klasës politike të Kosovës, është një vendim i Parlamentit të Kosovës, një vendim politik dhe institucional, i koordinuar me BE, sepse është partneri strategjik në tërësi i rajonit, në aspektin e zhvillimit të ekonomisë dhe të demokracisë. Ai shprehet se ky mekanizëm do të shtojë dhe rrisë dozën e besimit midis serbëve në Kosovë dhe shqiptarëve dhe institucioneve të shtetit në tërësi në Kosovë dhe se është shumë e rëndësishme që të funksionojnë brenda kuadrit kushtetues të Kosovës.
Për sa i takon shqiptarëve në luginën e Preshevës ai shprehet se për të vazhdon të mbetet shqetësim situata ekonomike dhe sociale e tyre. Sipas tij Shqipëria nuk ndërhyn në vendimet politike të shqiptarëve të Luginës së Preshevës për shkak se edhe në Luginën e Preshevës shqiptarët kanë autoritete e tyre përfaqësuese, kanë zgjedhur autoritete e tyre politike, përfaqësimit lokal, të administrimit lokal, dhe vendimmarrjet politike i marrin brenda institucioneve që ata kanë dhe se janë të përfaqësuar edhe në Parlamentin e Serbisë.
Presidenti Nishani thekson më tej se: “Por unë i mbetem kërkesës që Shqipëria është dhe do të jetë shumë e interesuar për të shikuar standardizimin normal të situatës ekonomike dhe sociale të shqiptarëve në Luginë. Kudo ku jetojnë njerëz që kanë një identitet kombëtar dhe kulturor të caktuar është në të drejtën e tyre bazike për ta ruajtur identitetin tyre kombëtar dhe kulturor. Kjo nuk cenon sigurinë e asnjë vendi ku ata jetojnë. Jam i bindur që edhe në Luginë shqiptarët duke ruajtur identike tyre kombëtar dhe kulturor nuk sjellin asnjë një shqetësim sa i takon çështjeve të sigurisë së Serbisë, përkundrazi përkeqësimi i situatës ekonomike dhe sociale të tyre, jo vetëm i shqiptarëve, por i çdo komuniteti kudo që të jetë, do të ishte një sfidë e kujtdo vendi ku jetojnë.
Kështu në këtë kontekst unë do të vazhdoj të kërkoj dhe të këmbëngul në rëndësinë e madhe që ka që autoritete serbe të bëjnë të gjitha përpjekjet normale, të marrin përgjegjësitë që i takon një qeverie, një administrate, një shteti, që edhe shqiptarët e Luginës, të kenë të njëjtat standardet ekonomike, infrastrukturore, sociale, siç kanë të gjithë qytetarët e tjerë të Serbisë”.
Nishani vlerëson se janë arritur hapa të rëndësishme për çrrënjosen e mosbesimit në tërësi në Ballkan, por sipas tij nuk mund të thuhet që është arritur të rrënjoset besimi dhe kjo shprehet ai është sfida e radhës që ka Ballkani në tërësi. Ndërsa mendon që kudo që shqiptarët janë ata kanë qenë gjithmonë një faktor të cilët kanë qenë në qasje pozitive, me një qasje tek mirëkuptimi, por sipas tij çështjet e standardit të jetës, të familjeve, të fëmijëve që lidhen me shkollimin, shërbimin shëndetësor, me infrastrukturën janë parimet baze të të drejtave dhe lirive të njeriut dhe askush nuk mundet dot ti anashkalojë, ti mohojë apo ti lërë pa zhvilluar.
-“Nuk ka asnjë platformë shtetërore për Shqipërinë e Madhe”-
Ndërsa ndaj pyetjes se sa të arsyeshme janë pretendimet nga Serbia për Shqipërinë e Madhe të artikuluara si akuza ndaj Tiranës zyrtare, Nishani u shpreh se historia, dhe jo shumë e largët është shumë e qartë, ku në 1913 pati një ndarje të re të kufijve në Ballkan, ku Shqipëria u nda. Mjaft shqiptarë që jetonin në trojet e tyre u lanë jashtë kufirit administrativ të Shqipërisë së sotme. Sipas Nishanit, Shqipëria e ka njohur këtë ndarje kufiri dhe nuk ka pasur kurrë një rivendikim nga ana e Shqipërisë dhe institucioneve të Shqipërisë për një rishikim të kufijve të Ballkanit dhe për marrje të territoreve nga ana e Shqipërisë.
“Kjo politikë dhe ky qëndrim unë besoj mjaft elokuent i Shqipërisë, i shqiptarëve, në fakt në vend që të vlerësohej është tentuar për tu keqpërdorur, për tu keq administruar përmes lëshimit të platformave të tilla që quhen Shqipëri e Madhe. Nëse dikush thotë Shqipëri e Madhe do të thotë se pranon tezën që ka një Shqipëri të vogël, që do të thotë që ka një ndryshim nga ajo që ka qenë e madhe është zvogëluar. Unë e kam konsideruar teorinë e Shqipërisë së Madhe një teori dhe platformë që drejtohet kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve, për të justifikuar izolimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve, për ti paraqitur shqiptarët dhe Shqipërinë si një vend, si një komb të prirur nga agresiviteti dhe urrejtja, çka nuk është e vërtetë. Po të shikojmë historinë e traditës, e kulturës zakonore të Shqipërisë dhe shqiptarëve është ajo e mikpritjes, e ndihmës edhe ndaj atij që e ka pasur armik, në momentet që ka pasur nevojë për ndihmë”.
Kreu i shtetit shqiptar vlerëson se në kombin shqiptar ka gjurmë të forta të historisë dhe trashëgimisë së tij, që nga koha e Perandorisë Romake, që gjatë kohës së Perandorisë së Bizantit, Perandorisë Osmane, dhe në vitet e zhvillimit moderne të Evropës. Gjithashtu shprehet se ka tradita shumë të forta të identitetit kombëtar dhe kulturor shqiptar të cilat kanë qenë gjithmonë të prirur nga mirëkuptimi dhe bashkëjetesa. “Nuk ka asnjë platformë të tillë as institucionale as shtetërore , as shoqërore as akademike, përkundrazi është tentuar të përdoret si një argument për të frenuar le të themi angazhimet dhe dinamizmin e Shqipërisë dhe shqiptarëve për zhvillim, për bashkëpunim. Mos harrojmë që Shqipëria sot është vend anëtar i NATO-s dhe të jesh vend anëtar i NATO-s do të thotë që ti ke lëshuar dhe ofruar sovranitetin tënd edhe politik brenda një organizate që merr vendimet në një mënyrë të tillë që besoj që është e besueshme si i merr vendimet dhe sjelljet politike të vendeve anëtare të NATO-s. Shqipëria është sot një vend kandidat për në BE, që do të thotë se ka pranuar politikat, standardet evropiane. Të gjitha vendet e rajonit janë të qasura tek procesi i integrimit evropian”.
Shqipëria promovon në këndvështrimin e Presidentit, parimin e fqinjësisë së mirë, të bashkëjetesës dhe mirëkuptimit dhe është në platformën konstitucionale, identitare, strategjike shtetërore dhe dinamizmit të përditshëm të Shqipërisë përfshirja e këtyre elementëve, pra bashkëjetesa, fqinjësia e mirë, dhe mirëbesimi, të cilat nuk mund të jetojnë dhe ekzistojnë sipas tij nëse ka ide për të krijuar konflikte.
Ai pohon se nuk është në interesin e Shqipërisë dhe asnjë vendi tjetër të rajonit nisja dhe hapja e konflikteve që lidhem me ndryshime të kufijve. Beson që harta që ka sot Ballkani është një hartë e cila ka dhënë mundësira për të punuar tashmë në mënyrë paqësore, më të qetë, më mirëbuesuese në aspektet e zhvillimit ekonomik. Ai shton që patjetër që siguria mbetet e kërcënuar, duke pohuar se krimi i organizuar, terrorizmi, varfëria, emigrimi i paligjshëm, të gjitha janë elementë që e kërcënojnë sigurinë e çdo vendi, por duke qenë standardet e mirëkuptimit dhe mirëbesimit me njëri-tjetrin, duke qenë në pranim total, në mentalitet, në kulturë, por edhe institucionalisht të bashkëjetesës, këto sfida mund të përballohem me shumë sukses në mënyrë të përbashkët. Nishani shprehet se situata globale po e provon këtë, që sfida të tilla do të përballoheshin në mënyrë të suksesshme vetëm me qasje të përbashkët dhe këtë kontekst ai e shikon edhe në nivelin rajonal.
“Klasa politike dhe lidershpi kanë përgjegjësinë që të rrisin besimin tek qytetarët”-
Ndërkohë pyetjes largimin në Evropën Perëndimore kryesisht në Gjermani të qytetarëve nga Shqipëria, ai i përgjigjet se çështja në fjalë është një shqetësim dhe një problem i dy anshëm. Së pari ai thekson se nuk ka përse që qytetarët shqiptarë, të krijojnë probleme, shqetësime, qoftë për institucionet ligjzabtuese, qoftë për shoqëritë dhe qytetarët e Bashkimit Euripian, për sa kohë ata kanë besuar dhe vlerësuar dhe kanë hapur portën e komunikimit dhe lëvizjes së lirë për shqiptarët.
BE i ka ofruar Shqipërisë si dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor lëvizjen e lirë në hapësirën Shengen, dhe sipas Nishanit ata janë treguar besues dhe xheneroz, të hapur duke krijuar mundësinë e lëvizjes së lirë dhe ai beson se krijimi i lëvizjes së lirë është një fondament shumë i rëndësishëm për qytetarët, veçanërisht për popujt e Ballkanit dhe posaçërisht për shqiptarët që kanë qenë më të izoluar dhe më të mbyllur se të gjitha shoqëritë e vendeve të tjera gjatë diktaturës komuniste
. “Por është një shqetësim edhe për vetë shoqërinë tonë sepse në tërësi po largohet brezi i ri, që do të thotë se largohen kapacitete qoftë intelektuale, qoftë të krahut të punës dhe që janë resurset kryesore të zhvillimit. Ne mburremi shpeshherë se Shqipëria me popullsi me moshë mesatare 26-27 vjeçare dhe ne nëse na largohet pikërisht gjenerata e re ky është një problem. Por analizat duhen bërë në kontekst të gjerë, cilat janë arsyet, ku arsye kryesore duket se është humbja e besimit, tek shoqëria, shteti, institucionet, që është përgjegjësi tërësisht e klasës politike, nuk mund të jetë përgjegjësi e qytetarëve.
Klasa politike dhe lidershpi i një vendi kanë përgjegjësinë që të rrisin dhe krijojnë besimin dhe shpresën tek qytetarët e thjeshtë të vendit të tyre shprehet Nishani, duke theksuar se kjo duhet bërë përmes zhvillimit ekonomik, përmes stabilitet politik, forcimit të institucioneve të së drejtës, të cilat ai thotë se këto duken në Shqipëri që nuk janë arritur ende në ato standarde që shqiptarët të kenë besim të plotë për ta parë të ardhmen e tyre në vendin e tyre. “Humbja e këtij besimi sjell këtë reagim, ndaj çështja duhet të trajtohet në shumë dimensione, ku së pari me krijimin e një ambienti të përgjithshëm pozitiv. Futja në ngërç e ambientit të përgjithshëm të shoqërisë krijon një lloj amullie dhe kaosi psikologjik dhe ndarja më e kollajtë e individit nga ky kaos është ikja. Krijimi i një ambienti të tillë është në tërësi një detyrë e shoqërisë, por adresimin e bën klasa politikbërëse”.
Presidenti vlerëson se zhvillimi ekonomik që nis me vendet e punës, gjenerimi i vendeve të punës me politika të tilla të cilat kanë incetiva për investime nga vendasit, investime të huaja, do të thotë politika financiare të adresuara që nxisin dhe inkurajojnë investime, ku investimet do krijojnë vende pune dhe duke qenë të preokupuar me vende pune, sigurohet jeta ekonomike, rritet siguria e individit, e familjes.
Kjo shprehet ai se nuk do të thotë që është zgjidhja atje ku largohen sepse edhe në vendet e Bashkimit Evropian ka sipas Nishanit probleme dhe vështirësi të mëdha, qoftë ekonomike, qoftë edhe të punësimit, ndaj tashmë ata që janë larguar dhe po rikthehen në Shqipëri. “Pra është një problem i dyanshëm, së pari në duhet të kthejmë dhe forcojmë besimin e qytetarëve tanë, kjo nuk bëhet as me retorikë, as me deklarata, por me punë, shumë punë, mund dhe djersë. Dhe është një fenomen i cli pa dyshim që pastaj nxitet, shumëfishohet, elaborohet edhe nga elementë kriminalë siç janë trafikantët të cilët e shfrytëzojnë këtë situatë të përgjithshme le të themi psikologjike, kaotike, por këtu pastaj hyn alternimi, alternohet puna e institucioneve ligjzbatuese, por ajo që është kryesorja është krijimi i një ambienti pozitiv dhe që ka shpresë dhe që i inkurajon njerëzit të ndërtojnë jetën e tyre aty ku janë”.
-Turqia dhe populli turk janë një vend dhe një popull mik i afërt i Shqipërisë dhe shqiptarëve-
Ndërsa marrëdhëniet e Shqipërisë dhe Turqisë Nishani i konsideron shumë të konsoliduara dhe marrëdhënie të shkëlqyera dhe sipas tij Turqia dhe populli turk janë një vend dhe një popull mik i afërt i Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Nishani shprehet se: “Kemi një miqësi dhe bashkëpunim tradicional, ku Shqipëria dhe Turqia janë dy vende anëtare të NATO-s dhe Turqia e ka ndihmuar vazhdimisht Shqipërinë edhe në procesin e anëtarësimit në NATO, jo vetën në aspektin politik, por edhe në aspektin teknik duke ndihmuar në përgatitjen, trajnimin e Forcave të Armatosua të Shqipërisë, së bashku me aleatët e tjerë për ta bërë të aftë që të ishte një anëtare e denjë dhe funksionale e NATO-s. Turqia ka luajtur gjithmonë një rol të rëndësishëm të ekuilibrave të paqes edhe në rajonin e Ballkanit. Turqia është një partner shumë i rëndësishëm ekonomik me Shqipërinë , ku investimet e Turqisë në Shqipëri në këtë 10 vjeçarin e fundit janë rritur shumë dhe Turqia është ngjitur në 3 partnerët e parë ekonomikë të Shqipërisë. Në Turqi jeton një komunitet shumë i madhe shtetasish turq me origjinë shqiptare të cilët kanë lëvizur dhe janë vendosur atje në etapa të ndryshme të historisë. Natyrisht tani ata janë qytetarë të nderuar turq, por origjina e tyre shqiptare shërben gjithashtu për rritjen e kësaj miqësie dhe të mirëkuptimit midis Shqipërisë dhe Turqisë”.
Në fund Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, deklaron se bashkëpunimi me Turqinë është një bashkëpunim që do të njohë vetëm rritje, do të njohë ecje përpara dhe në këndvështrimin e tij dy vendet ndajnë shumë interesa të përbashkëta, veçanërisht në zhvillimin ekonomik, në ruajtjen ekuilibrave rajonale, në kuadrin e NATO-s, për sa i takon bashkëpunimit të sigurisë dhe në aspektin e luftës kundër terrorizmit. Ai shpreh besimin që Turqia ashtu siç ka qenë deri më sot do të vazhdojë të jetë një mbështetëse e fortë e perspektivës së zhvillimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve, kudo ata janë.
KOHA JONË SONDAZH

