Nishani shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Ambasadorit Petrit Bushati
“Me hidhërim të thellë mësova për ndarjen nga jeta të Ambasadorit Petrit Bushati. Sëmundja e rëndë e ndau atë në mënyrë të parakohshme nga të dashurit i tij, fëmijët, të afërmit, miqtë dhe kolegët, të cilëve u shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera e të sinqerta. Në këto çaste hidhërimi, jam pranë dhe lutem së bashku me fëmijët dhe të afërmit e tij që, i ndjeri Ambasador Petrit Bushati, të gjejë paqen dhe prehjen e merituar.
Ndarja nga jeta e Ambasadorit Bushati është një humbje e thellë edhe për trupën tonë diplomatike dhe shërbimin e jashtëm shqiptar, ku ka shërbyer e kontribuar me devocion dhe profesionalizëm prej dekadash. Ai do të kujtohet me respekt edhe nga diplomatët e rinj shqiptarë, mentor i shumë prej të cilëve gjatë këtyre viteve, ai ka qenë. Ngushëllime!” – mbyllet mesazhi i Kreut të Shtetit.