Nishani takon komunitetin hebraik, fokusi tek ekonomia

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani në kuadër të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u takua dhe zhvilloi disa takime pune me Presidentin e Kongresit Botëror Hebraik (WJC) dhe delegacionin që e shoqëronte, me përfaqësues të organizatës hebreje B’Nai B’rith, si dhe me themeluesin dhe drejtuesin e Forumit për Diplomacinë Kulturore, Dr. Gregory Lafitte.

Zoti Lauder dhe anëtarët e tjerë të KBH-së e falënderuan Presidentin Nishani për qëndrimin që vendi ynë ka mbajtur në Organizatën e Kombeve të Bashkuara duke vlerësuar Shqipërinë si një vend miqësor ndaj hebrenjve dhe Izraelit.

Duke vënë në dukje se mes kombit shqiptar dhe atij hebre ekzistojnë një miqësi dhe partneritet i veçantë historik dhe vlera e parime të përbashkëta, të cilat u forcuan edhe më shumë gjatë periudhës së errët të Holokaustit, Presidenti Nishani theksoi se marrëdhëniet e Shqipërisë si me Shtetin e Izraelit, ashtu edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mund të thellohen e të zgjerohen edhe më tej, sidomos në fushën ekonomike.

Swiss Digital Desktop Reklama

Duke pasur parasysh burimet e shumta e të pasura natyrore, klimën dhe pozicionin gjeografik të favorshëm, legjislacionin lehtësues, Kreu i Shtetit shqiptar dhe Presidenti Lauder ndanë bindjen e përbashkët se investimet e sipërmarrësve izraelitë dhe atyre hebreo-amerikanë duhet të jenë më të pranishme dhe në rritje me projekte konkrete në Shqipëri për vetë potencialet dhe mundësitë e mëdha që vendi ynë ajo ofron në fusha si turizmi, hoteleria, bujqësia, etj.

Swiss Digital Mobile Reklama

Drejtuesi Gary Saltzman dhe anëtarët e tjerë të Organizatës B’Nai B’rith, e cila shquhet për rolin e saj në mbrojtjen dhe avokacinë e hebrenjve dhe Izraelit, vlerësuan veçanërisht strehimin dhe shpëtimin mbresëlënës që Shqipëria u ofroi hebrenjve gjatë Holokaustit.

Duke ndarë të njëjtën pikëpamje me Presidentin Nishani, ata u shprehën se ky shembull pozitiv historik i shqiptarëve duhet të promovohet edhe më tej në botë, sepse duke pasur parasysh sfidat dhe rreziqet e terrorizmit, të ekstremizmit e të antisemitizmit në ditët e sotme, ai shpëtim i rrallë, së bashku me harmoninë dhe bashkëjetesën fetare në Shqipëri, mbeten shumë aktuale dhe frymëzuese edhe në ditët e sotme.

Presidenti Nishani, duke nënvizuar se historia e mikpritjes dhe shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri ka hasur një jehonë të gjerë edhe përtej kufijve të kontinentit evropian e më gjerë, i çmoi këto takime si shprehje e miqësisë së konsoliduar dhe partneritetit mes dy kombeve, u shpreh se duhet:

“Të ruajmë kulturën, identitetin, civilizimin dhe vlerat e përbashkëta që po kërcënohen seriozisht nga terrorizmi, ekstremizmi i verbër dhe urrejtja”.

“Kjo përvojë pozitive si dhe miqësia e konsoliduar historike i ka forcuar më shumë marrëdhëniet e gjithanshme mes popujve tanë, por edhe mes Shqipërisë dhe Shtetit të Izraelit, si dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjithashtu” – vuri në dukje Presidenti Nishani.

Ndërsa në takimin me Dr. Gregory Lafitte, drejtuesin e Forumit për Diplomacinë Kulturore Kryetari i Shtetit shqiptar vërejti se gjesti fisnik i shqiptarve në shpëtim dhe strehim të hebrenjve si dhe modeli unik i bashkëjetesës dhe harmonisë fetare në vendin tonë, mund të shërbejnë jo vetëm si shembuj për të rritur imazhin e Shqipërisë, por edhe si mjete efektive për diplomacinë kulturore në përpjekjet e saj të luftës kundër mungesës së tolerancës dhe ekstremizmit, si dhe për shkëmbimin e kulturave dhe trashëgimisë së vyer për brezat e ardhshëm.

Presidenti Nishani ndau me bashkëbiseduesit gjatë këtyre takimeve pikëpamjen e përbashkët se mbështetja aktive e Kongresit Botëror Hebraik dhe organizatave të tjera të ngjashme hebreje në Izrael, Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë, padyshim që do të luajë një rol të rëndësishëm në këtë drejtim.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?