Nishani uron Presidentin e Italisë, Sergio Mattarella

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka uruar nëpërmjet një mesazhi të bërë publik, Presidentin e ri të Republikës Italiane, Sergio Mattarella, ku thuhet:

I nderuar Zoti President,

Zgjedhja Juaj në postin e Presidentit të Republikës së Italisë më jep kënaqësinë e madhe e të veçantë që, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’Ju dërgoj urimet më të mira e më të përzemërta për përmbushjen me sukses të përgjegjësive presidenciale.

Më lejoni të shpreh gjithashtu besimin tim, se lidhjet historike të miqësisë dhe bashkëpunimi i shkëlqyer që karakterizojnë marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Italisë, do të forcohen dhe do të pasurohen më tej gjatë mandatit tuaj.

Ne shqiptarët jemi shumë mirënjohës për ndihmën e madhe që Italia ka dhënë në rimëkëmbjen ekonomike e sociale të vendit pas rënies së komunizmit dhe instalimit të demokracisë, por dhe mbështetjen e madhe për t’u integruar në strukturat euroatlantike. Italia mbetet një nga avokatet më të mira për integrimin e vendit tim në Bashkimin Evropian dhe jam i bindur se kontributi Juaj nuk do të mungojë.

Italia është gjithashtu një partnere strategjike e Shqipërisë, dhe populli italian është populli më të cilin shqiptarët ndajnë më shumë histori. Një numër i madh bashkëkombasish të mi jetojnë, punojnë e mësojnë në Itali, ndërkohë që ndihemi të nderuar që dhe një numër i konsiderueshëm sipërmarrësish italianë jetojnë e punojnë në Shqipëri. Të gjitha këto, më bëjnë mua dhe popullin shqiptar të besojmë se, përmes vijimit të bashkëpunimit të shkëlqyer që ne kemi dhe koordinimit mes strukturave relevante, mund të adresojmë me sukses të gjitha sfidat e përbashkëta, me të cilat dy vendet tona përballen, por edhe ato me të cilat përballet Evropa dhe mbarë njerëzimi sot.

Me dëshirën e madhe për t’Ju takuar në një kohë sa më të afërt, ju lutem pranoni, i nderuar Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë”, theksohet në mesazhin e Presidenti Nishani. 

SHKARKO APP