Nisma e PS-së për të “bllokuar” Presidentin, Xhixho: Nisëm tjetër në shkelje të Kushtetutës
As me ligjin e ri të propozuar për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese mazhoranca nuk e bën dot Arta Vorpsin anëtare të këtij institucioni.
PS u tërhoq nga efekti prapaveprues i ligjit të miratuar në komision, i cili në propozimin fillestar i jepte të drejtë Gjyqtarëve të zgjedhur, të emëruar që nuk kanë bërë betimin, të betohen sipas rregullave të këtij ligji të ri.
Por socialistët kanë menduar që t’i heqin të drejtën Presidentit për të bllokuar magjistratët për t’u bërë anëtarë të Kushtetueses. Me ligjin e ri Kreu i Shtetit ka vetëm 10 ditë kohë për të thirrur gjyqtarin, në rast të kundërt mazhoranca ka menduar një mekanizëm zhbllokues.
“Nëse një nga institucionet që mund të jetë një nga Këshillat, ose KLGJ ose KLP, mund të jetë Presidenti i Republikës, nuk mund të bllokojë fillimin e punës së një zyrtari. Në rastin konkret është prezantuar forma me shkrim, e cila është një formë e njohur në shumë praktika kushtetuese të vendeve të ndryshme demokratike”, u shpreh sot në Komisionin e Ligjeve, deputeti socialist, Alket Hyseni.
Por duke marrë shkas nga zhvillimet e sotme, nënkryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Erisa Xhixho shprehet se kjo është një tjetër nismë antikushtetuese e mazhorancës socialiste.
“Ligji “Për disa shtesa në ligjin nr. 8577, date 10.02.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatës kushtetuese”, të ndryshuar“, ka kaluar sot në Komisionin e Ligjeve si një iniciativë që shkel Kushtetutën pasi në nenin 129 të saj përcakton se
“Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pasi bën betimin para Presidentit të Republikës“
Kushtetuta është e qartë dhe nuk lë vend për interpretim , apo për zgjidhje të tjera ligjore duke e konsideruar një kompetence ekskluzive të Presidentit të Republikes.
Akti i betimit nuk është thjesht nje akt formal pasi vetëm pas këtij momenti Gjyqtari apo çdo funksionar tjetër që ushtrimin e detyrës e ka te lidhur me momentin solemn të betimit do mund të legjitimohet dhe të fillojë ushtrimin e detyrës së tij. E thënë ndryshe betimi eshte kontata e punës për personin.
Më e rëndë është dhe fakti qe ky ligj ka fuqi prapavrepuese, pra bëhet vetëm për të bërë gjyqtare Arta Vorpsin dhe aspak për çeshtje parimore , por vetëm për interesa politike që synojnë kapjen e Gjykatës Kushtetuese nga qeveria.
Padyshim që të gjithë e kuptojmë që qellimi i kësaj maxhorance është dobësimi i Presidentit të Republikës si i vetmi organ legjitim qe i ka dal perballë në mbrojtjen e Kushtetutës dhe vlerave të demokracisë kësaj maxhorance të kriminalizuar. Kjo nuk është hera e parë që kompetencat kushtetuese të Presidentit merren me ligj , duke e kthyer tashme në një praktikë antikushtetuese.
Në një shtet të së drejtës zgjidhja e konflikteve kushtetuese mund e duhet të bëhet vetëm përmes Gjykatës Kushtetuese dhe jo me ligje politike .
Nëse keto nisma kalojnë në Kuvend, atëhere çdo anëtari të Gjykatës Kushtetuese , të Gjykatës së Lartë etj që fillimin e ushtrimit të detyrës së tyre e kanë të lidhur me Betimin , do ta kryejnë betimin në çdo ambjent tjetër qoft shtëpi, lokal, mal apo plazh mjafton që këtë deklaratë ta nënshkruaj e dhe tja dërgojnë institucionit të emërteses”, shprehet Erisa Xhixho.
Çështja e Arta Vorpsit dhe e Marsida Xhaferllarit ndodhen në Komisionin e Venecias, e cila pritet të marrë zgjidhje në seancën plenare të 20 marsit, ku Ilir Meta do të mbrojë dekretin e tij përballë anëtarëve të Komisionit dhe mazhorancës.