Nisma e re, Rama: Synojmë të ulim me 50% numrin e fataliteteve nga aksidentet rrugore
Nisma e re e qeverisë është për sensibilizimin dhe edukimin e fëmijëve për respektimin e sinjalistikës së qarkullimit rrugor. Kryeministri Edi Rama thekson se do të shkohet shkollë më shkollë që fëmijët të jenë të sigurt si këmbësorë e pedalues biçiklete, po edhe si shoferë nesër. Përmes një postimi në facebook, kreu i qeverisë thekson se kjo nismë ka objektiv planin për uljen e fataliteteve nga aksidentet rrugore me 50% deri në vitin 2030.
Postimi i plotë nga kryeministri Edi Rama
Shkollë më shkollë për të mësuar rregullat dhe sinjalistikën e qarkullimit rrugor, që fëmijët sot të jenë të sigurt si këmbësorë e pedalues biçiklete, po edhe si shoferë nesër
Viti 2021: 19.9% më pak aksidente rrugore, 18.8% më pak qytetarë të përfshirë në aksidente, 7.5% më pak fatalitete nga aksidentet, 14.8% më pak aksidente shkaktuar nga sjellja e drejtuesit të mjetit, 37% ulje e indeksit të vdekshmërisë për 10,000 mjete! Domethënëse është ulja me 43% e probabilitetit që një drejtues mjeti i sapopatentuar të përfshihet në aksident rrugor
Automotorizimi Shqiptar (DPSHTRR) po punon me partneritete dhe programe ndërgjegjësuese e formuese, me 304 institucione arsimore publike e private, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Shtetit, Ministrinë e Arsimit, Kryqin e Kuq, Klubin Shqiptar të Automobilit dhe Autoritetin Rrugor Shqiptar për Edukimin mbi Trafikun dhe Sigurinë Rrugore, për moshat nën 18 vjeç, me objektiv Planin Global të OKB, OBSH e FIA për uljen e fataliteteve nga aksidentet rrugore me 50% deri në vitin 2030.