Një muhabet mes kolegësh: Berisha, Mero, Fevziu, Koli, Bushati
Nga Lorenc Vangjeli
Kanë qenë gjithëherë në konflikt, por përfundimi i këtij konflikti kanë qenë gjithëherë i ditur. Edhe pse me beteja të humbura herë-herë, luftën mes medias dhe politikës e ka fituar gjithmonë media. Përballë një gazetari, edhe nëse ka pasur fitore të pjesshme, triumfin në sherr nuk e ka pasur kurrë një politikan. Kjo është një e vërtetë që mund ta dëshmonte dikur ish-Presidenti amerikan Nikson e mund ta dëshmojë sot ish-Presidenti dhe kryeministri shqiptar Berisha. Dy skaje të largëta të një segmenti që i bashkon në një farë mënyre qasja që ata kanë pasur ndaj medias.
Në vitet 90-të, atëherë kur digjeshin gazeta, rriheshin gazetarë dhe burgoseshin të tjerë për fjalën e lirë, për shkak të lirisë së fjalës dhe për hir të lirisë përtej fjalëve, Berisha u pikturua si tiran i medias. Por në asnjë rast ai nuk mundi të fitojë ndaj njerëzve të saj. As kur i digjte gazetën Nikollës, as kur burgoste Sandrin e Martinin, as kur rrihte një listë të gjatë me gazetarë dhe as kur furgoni i tij i policisë rrëmbente Fevziun me të tjerë në mes të ditës e në mes të Tiranës. Vetë Fevziu dhe gazetarë të tjerë nuk kanë folur kurrë për këtë episod kriminal që ishte epilog i dhunës po kriminale që u bë kundër opozitës në 28 maj 1996 në sheshin Skënderbej. Por nëse ai furgon do të kishte përfunduar aty për ku ishte nisur, disa portrete mediatikë të sotëm nuk do të ishin me gjasë të tillë. Ishte dhe Bushati në atë furgon, sa për një kujtesë të së djeshmes për të kuptuar më mirë ca histori të shkëputura të së sotmes.
I rikthyer në pushtet edhe falë medias, njeriu i shkopit tradicional nisi të përdorë karrotën moderne. Eshtë e vërtetë se me këtë perime shëmbullore Doktori edhe fitoi më shumë beteja, edhe i bëri më shumë dëm lirisë së medias. Ndoshta në tetë vjet pushtet, më shumë se një favor të paligjshëm që i kërkohej dhe ai e jepte pa ngurim si rregull, Berisha do të donte me shpirt të kundërtën: përdorimin e paligjshëm të pushtetit kundër medias dhe njerëzve të saj. Me shpirt preferonte shkopin, me logjikë, zgjidhte të përdorte karrotën. Me shpirt, fjala vjen, e bëri duke përndjekur me të gjitha mënyrat e liga Meron, duke lënduar ligsht Kolin e duke shkuar sipas zakonit si pendul në ekstremet e marrëdhënieve njerëzore, nga e miqësia e pakusht, në armiqësi të egër dhe asgjesuese me Filipin e Yllin.
Që nga dita që u largua nga pushteti faktik dhe duke mbajtur ende pushtetin real të njeriut të fortë politikisht, për shkak të informacionit, karizmës, punës së palodhur, talentit të padiskutueshëm, paktit me djallin, energjisë së pafundme, traditës e trashëgimisë, çelësit të kasafortës me sekrete të errëta të tranzicionit, ushtrisë së besnikëve dhe adhuruesve të vërbër e të tjerë, e të tjerë, pra, edhe për shkak të këtij pushteti real, Berisha ngjan se vuan pikërisht mungesën e mundësisë për të luajtur si dirigjent mes shkopit dhe karrotës.
Doktori mund të kërcënojë, por nuk mund të koncesionojë, mund të rrëmbejë, por nuk mund të shpërblejë, mund të shajë, por edhe të shahet.
Doktori e di mirë se askush nuk është urryer, por dhe dashuruar si ai në këto 25 vjet në Shqipëri. Askush nuk ka ndikuar aq fort dhe aq direkt sa ai në jetën e gjithë shqiptarëve të këtyre 25 vjetëve, por dhe të shqiptarëve ende të palindur.
Dhe duke ditur këtë, vuan dhe keqkuptimin nga njerëzit që ai i njeh të gjithë, emër për emër, me dobësitë, me librat e shtëpive, me numrin e shtëpive, me emrat e të dashurave, me dëshirat dhe shpresat e tyre. Sepse sot, më shumë se çdo gjë tjetër, të paktën në raport me shqiptarët në përgjithësi dhe me politikën në veçanti, Doktori është thjesht një i keqkuptuar tragjik. Dhe i keqkuptuar pa faj edhe në raport me median.
Duke nisur me politikën; e ka keqkuptuar Rama që i ka zënë zyrën, Meta që pretendon se ende ka dobësi njerëzore për të, Saimiri, të cilit ai i ndërron dhe emrin, Erioni që ka dëgjuar me sy e veshë dhe fjalën e tij të fundit, Iliri i shëndetit që është thirrur në kauzë për ta kuruar, Beni, Çimi, Luli e gjithkush tjetër. Por që politika keqkupton kjo është një gjë e zakonshme. E pazakontë është se me të janë keqkuptuar pothuaj të gjithë pronarët e mediave që kanë bezdi nga e shkuara e kontakteve personale me ishkryeministrin, e kanë një numër i madh gazetarësh, disa dikur duartrokitës të palodhur, disa kritikë të tij; e ka keqkuptuar në vijimësi Meroja, e pas tij edhe Fatosi, Preçi, Fevziu, Desada, Rudi, Koli, Minxhozi, Beni, Muçi, Bushati, Henri, Liri, Arjoni, Nazarkot, Andi, Nila, Luti, Dy ArTanët, Filipi, Ylli, Bollino, natyrisht dhe Nikolla i Madh e të tjerë, e të tjerë, mes tyre dhe Çimi. Sot Doktori është njëlloj si ta. Eshtë gazetar. Edhe kur shkruan në Facebook, edhe kur firmos nën emrin e qytetarit dixhital, edhe kur flet në studion e tij të preferuar televizive në të Enjten parlamentare të Doktorit, edhe kur mbledh një buqetë me gazetarë të rinj që ju tregon historitë e rradhës. Edhe kur në historitë e tij të rradhës i dalin si personazhe gazetarë të cilët ai i përmend me inat, i akuzon me qejf apo ju çon gjysma mesazhesh herë tallëse, herë fyese.
Një shembull fantastik keqkuptimi: Vetëm brenda një dite të zakonshme, si e premtja e dytë e muajit të parë të këtij viti, ka ndodhur që:
Mero pyet duke e ditur vetë përgjigjen: si është gjendja mendore e këtij njeriu?
Bushati i kujton zvarritjen parademokratike me valixhe druri në dorë,
Bollino i premton se veprimi i parë që do të bëjë me pasaportën e re shqiptare që ka marrë është ta padisë në gjykatë për shpifje.
Fevziu është i vetmi që nuk kthen përgjigje, por është më i hidhuri ndër ta kur i shmanget ndeshjes me Doktorin jo vetëm për shkak të miqësisë së dikurshme, por edhe pse “…lënë apo nuk lenë një shenjë…politikanët janë të gjithë kalimtarë”.
Dhe kjo është vetëm një ditë. Dhe të gjithë së bashku i kujtojnë faktin se ka qenë kryeministrër dhe president. A thua se një gjë e tillë është mburojë për Doktorin dhe jo lak në këmbë. Duke kujtuar se duke e trajtuar thjesht si politikan, e kanë të fituar betejen me të, thjesht për shkak të faktit se janë gazetarë. Në fakt është gabim. Doktori sot është kryekëput në fushën e medias. Ai është një gazetar tipik e klasik. Nga më prodhimtarët në fakt. Siç ka qenë gjithmonë në politikë, që nga koha kur diktonte editoriale tek Ylli apo Astriti, që nga koha kur e bënte balerinën ruse dashnore të Spartakut e deri tani kur është i dëshpëruar që po i ndrit vetëm ylli si gazetar. Ndaj është tërësisht e kotë beteja gazetarëve me Doktorin. Në të gjitha rastet ai bën një muhabet mes kolegësh. Shumicën dërmuese të të cilëve ai e njeh shumë mirë. Duke nisur me dobësitë e tyre. të cilat ai i shtrin në Facebook, aty ku gjithë dynjaja ka për dobësi të nisë fjalët në kod: Puç, puç! Një betejë pafund e njerëzimit me buzët, ku normalisht triumfon ai që humb!