Për herë të parë një shqiptare pjesë e Parlamentit Europian
Arba Kokalari do të jetë deputetja e parë shqiptare që ulet në Parlamentin Europian, e zgjedhur me votat e qytetarëve suedezë. Partia e saj Moderatore mori 17.6 % të të gjitha votave, rezultat ky që i garanton 4 deputetë, mes tyre dhe asaj të shqiptares.
Ndër të parët që e përshëndetën një zhvillim të tillë ishte ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli.
“Tani kemi lajme të mira nga Suedia. Sapo është konfirmuar se Arba Kokalari me prejardhje shqiptare ka siguruar vendin e saj në Bruksel. Historike, sepse është eurodeputetja e parë shqiptare ndonjëherë. Urime”, ka shkruar ai në Facebook.
Lidhur me këtë arritje historike për shqiptarët ka reaguar dhe kreu i PD, Lulzim Basha. Ai e ka cilësuar një moment historik fitoren e saj, si dhe ka shprehur mirënjohjen për të gjithë ata që e votuan, në veçanti emigrantët shqiptarë nëpër botë.
“Të dashur miq, sapo urova në telefon Eurodeputeten e parë shqiptare, shqiptaro-suedezen Arba Kokalari që u konfirmua pak çaste më parë si fituesja e mandatit të eurodeputetes për partinë e Moderatëve suedezë, simotrës tonë në Partinë Popullore Europiane!
Natë e paharrueshme për Arbën dhe familjen e saj, natë fitore për Moderatët që konfirmuan 4 eurodeputetë dhe natë historike për të gjithë ne shqiptarët që inagurojmë me Arba Kokalarin praninë shqiptare në ulëset e Parlamentit Europian!
Krenar dhe i lumtur me fitoren e Arbës, ju shpreh mirënjohjen time të gjithë bashkatdhetarëve tanë në Suedi që me votën e tyre e mundësuan këtë moment historik!
Dua po kështu t’ju falenderoj me mirënjohje në emrin tim dhe të Partisë Demokratike, të gjithë ju bashkatdhetarë të nderuar në vendet e BE që me votën tuaj për partitë simotra të PD, rikonfirmuat Partinë Popullore Europiane si forcën e parë politike në Parlamentin e ardhshëm Europian!”, shkruan Basha në rrjetet sociale.
Arba Kokalari ka lindur në Shqipëri dhe më pas u zhvendos drejt Suedisë, pasi i ati, nipi i Musine Kokalarit kishte funksionin e ambasadorit të Shqipërisë. Për shumë vite Kokalari ka qenë e angazhuar me rininë e PPE-së dhe disa herë ka qenë zëvendëspresidente.