Njerëzit e drejtësisë, pro ndryshimit të Kushtetutës
Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, SOROS publikoi të premten të dhënat e një sondazhi, gjatë së cilit janë intervistuar 388 gjyqtarë dhe prokurorë nga 469 që janë në total në vend. Shumica e tyre janë plotësisht dakord me nevojën për ndryshime kushtetuese, ndërsa vetëm 6.5 për qind shprehen kundër.
Ndryshimi i fundit i Kushtetutës është bërë në vitin 2008, por juristët dhe opinioni publik e kanë kritikuar këtë proces si të diktuar nga interesat politike, në kurriz të institucioneve të pavarura. Megjithatë, të intervistuarit refuzojnë në shumicë një rikthim tek varianti i vjetër.
“Të gjithë jemi dëshmitarë për problemet që kanë shkaktuar ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, në ndarjen e pushteteve dhe funksionimin e institucioneve të pavarura”,-tha aktivistja e të Drejtave të Njeriut, Kozara Kati. Ajo sugjeroi rishikimin e mënyrës së zgjedhjes së Presidentit dhe të formulës së KLD-së.
Juristët bashkohen në shumicë me idenë që Kushtetuta duhet të garantojë zgjedhjen e një Presidenti të paanshëm politikisht. 47.8 për qind e të intervistuarve mendojnë se ai duhet të zgjidhet nga populli, ndërsa 36.7 për qind nga tre të pestat e Kuvendit.
Gjyqtarët dhe Prokurorët janë kundër idesë së bashkimit të Gjykatës së Lartë me atë Kushtetuese, por ata shohin nevojën për ndryshime në juridiksionin e tyre.
E mbi të gjitha, të mënyrës se si zgjidhen anëtarët e këtyre dy gjykatave.
KLD mbetet sërish një “patate e nxehtë”, pasi të intervistuarit janë të ndarë gjysmë për gjysmë në nevojën për ndryshimin e formulës aktuale. Ndërsa Prokuroria ka marrë “votat” e mjaftueshme për të mbetur një institucion i centralizuar.
Ish-kryeprokurori Arben Rakipi u shpreh i habitur nga kjo gjetje e sondazhit, duke pohuar se koha ka nxjerrë në pah defektet në organizimin e Prokurorisë. “Sistemi aktual i rreshton prokurorët në varësi administrative dhe ndrydh autoritetin e tyre. Nga ana tjetër, mënyra se si zgjidhet dhe kush e propozon Prokurorin e Përgjithshëm e bën detyrën e tij të varet totalisht nga personaliteti i këtij individi”,-tha në fjalën e tij Rakipi.
Ndërsa kryetari i Shoqatës së Prokurorëve, Shkëlqim Hajdari sugjeroi zgjedhjen e një zv.Prokurori të Përgjithshëm dhe ngritjen e Këshillit të Prokurorisë në një rol më të lartë.
Prezantimi i sondazhit të Fondacionit “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë” dhe diskutimi i gjetjeve nga ekspertët e fushës vjen në kohën kur mazhoranca dhe Presidenti i Republikës janë angazhuar me diskutime publike në reformën për drejtësinë.
Por shumica e gjyqtarëve dhe prokurorëve janë të mendimit që kjo reformë duhet të shoqërohet edhe më ndryshime kushtetuese, që garantojnë pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe rrisin rolin e Presidentit të Republikës.