“NJERIU I VITIT 2021” shpallet futbollisti 20-vjeçar, Armando Broja
Si çdo vit, edhe këtë herë, KOHA JONE shpall disa çmime dhe Njeriun e Vitit. Kjo vjen nga tradita e hershme që kjo media ka patur që nga fillimi i saj. Ndërkohë çmimet vijnë si rrjedhojë e votimit online nga dhjetra mijë lexues në mbarë botën shqiptare/REDAKSIA KOHA JONE/
“NJERIU I VITIT 2021” shpallet futbollisti 20-vjeçar, Armando Broja

E kanë krahasuar me Cruyff për nga teknika brilante dhe mënyra e realizimit të golave dhe me Lukakun për nga aftësia për të qenë vrasës në zonë (nëntitull)
Që nga koha e Bushit, Tares apo Bogdanit, Shqipëria ka vuajtur shpeshherë mungesën e një sulmuesi me peshë në vijën e parë, i aftë që të zgjidhë i vetëm rezultatin e ndeshjes.
Në vitin 2021, më në fund patëm fatin e madh që të kemi një yll të ri. Ai quhet Armando Broja. 20-vjeçari, i lindur në Slough të Anglisë, zgjodhi që të përfaqësonte ngjyrat kuqezi duke respektuar prindërit me origjinë nga Malësia e Madhe. Supertalenti ka statistika të jashtëzakonshme në vitin 2021 si me Southampton në Premier League, ashtu edhe me Kombëtaren tonë. Me fanellën kuqezi Broja deri më tani ka shënuar 3 gola në 10 ndeshjet në të cilat është aktivizuar, ndërkohë që ka dhënë edhe dy asistë. Pavarësisht se krejt bota shqiptare e priste Brojën të luante në Londër me përfaqësuesen e Anglisë për Botërorin 2022, ishte tekanjozi trajneri italian i Shqipërisë, Reja që nuk e futi në lojë. Bile inatçori, plaku italian e la Brojën në këtë ndeshje të madhe historike në shkallët e stadiumit.
Por ç’të bësh! Trajneri vendos, ndonëse po të ishte futur Broja, Shqipëria do të kishte patjetër gol.
Sulmuesi nga Malësia e Madhe ka shënuar në 3 ndeshje në eliminatoret e Kupës së Botës, kundër Hungarisë më 5 shtator, tri ditë më pas një gol dhe dy asistë ndaj San Marinos, ndërkohë që më 9 tetor realizoi sërish golin e fitores ndaj Hungarisë.
Me një fizik dhe një teknikë brilante, Armando Broja ka bërë që të flasë një Angli e tërë për të, por indirekt edhe për Shqipërinë.
Të gjithë tifozët anglezë e njohin si shqiptari që po bën histori.
Në 621 minuta, në të cilat është aktivizuar te Southampton (Angli), Broja ka shënuar 4 super gola në Premier League, duke bërë që të pendohet trajneri Tuchel te Southampton, pasi nuk i besoi në fillimin e sezonit për ta mbajtur në skuadër. Broja ka realizuar edhe 2 gola në 2 ndeshje në “EFL Cup”, duke qenë gjithmonë vendimtar sa herë që trajneri i ri te Southampton i ka besuar nga minuta e parë. E kanë krahasuar me Cruyff për nga teknika brilante dhe mënyra e realizimit të golave dhe me Lukakun për nga aftësia për të qenë vrasës në zonë. Tifozët e Chelsea-t ëndërrojnë që ta shohin sërish me fanellën e Bluve të Londrës që në muajin janar të vitit 2022, por një gjë e tillë vështirë se do të ndodhë.
Asnjë në Europë në moshën e tij nuk ka shënuar kaq shumë gola, duke marrë në konsideratë 5 kampionatet kryesore. E ardhmja e sulmit të Kombëtares sonë është e garantuar, ndërkohë që për fatin tonë të mirë do të kemi edhe shumë vite përpara për të parë magjitë e tij në kampionatin që cilësohet më i forti dhe më i bukuri në botë, në Angli. Për momentin në futbollin shqiptar, asnjë nuk është më i mirë se ai dhe për vitin 2021 meriton të vlerësohet për talentin, golat dhe magjitë që di të dhurojë në fushën e blertë.
Janë me mijëra votues online nga gjithë bota shqiptare që e kanë votuar Armando Brojën si NJERIU I VITIT 2021.
KOHA JONË SONDAZH

