DW: Njihuni me shtetin ku vajzat vetëm 12 vjeç, martohen me detyrim
Në Jemen martohen minorenet me burra shpeshherë shumë herë më të mëdhenj në moshë, me pasoja katastrofike për të prekurat. Rrallëherë shënohen suksese në luftë kundër këtij fenomeni në vendin e varfëruar nga lufta.
Hindi e ka lënë pas të shkuarën. 12-vjeçarja përshëndet me një buzëqeshje triumfuese. Para disa kohësh nëna e saj ia doli të fitojë gjyqin në favor të vajzës. Gjykata e shfuqizoi martesën, që babai kishte lidhur në burg për vajzën. Ai është i burgosur prej nëntë vitesh dhe ia kishte premtuar vajzën për martesë një të burgosuri të dënuar me vdekje.
Hindi nuk është e vetmja vajzë jemenite që është përballur me një fat të tillë. Në Jemen shumë vajza të vogla detyrohen të martohen, megjithëse nuk kanë arritur atë moshë, ku mund të vendosin vetë si ta jetojnë seksualitetin e kur të martohen. Se kur vajzat e reja konsiderohen të gatshme për martesë, nuk është e përcaktuar qartë nga ligji në Jemen. Kështu vajza të vogla detyrohen të martohen nga prindërit, e në vitet e luftës kjo praktikë është shtuar edhe më shumë. Në këtë përfundim arriti në prill një grup pune i Këshillit të Sigurimit të OKB-së duke theksuar, se ka shkelje të shumta e të rënda të të drejtave të fëmijëve, si vrasje, rrëmbime apo rekrutime si fëmijë-ushtarë. Hindi, që shkon në klasë të gjashtë, veç një motre, ka edhe katër motra, që babai i solli nga martesa e parë. Nëna e saj i rrit edhe ato në një apartament me dy dhoma në jugperëndim të kryeqytetit Sanaa.
E martuar me një burrë në burg
Historia e Hindit filloi para disa muajsh, kur ajo vizitoi babanë në burg. Ai i tha të bëhej gati për martesë. Do të martohej me një burrë që është në burg, rrëfen nëna për Deutsche Wellen. 30 vjeçari që kishte zgjedhur babai si dhëndërr ishte në burg për trafik droge dhe i dënuar me vdekje. Megjithatë ajo duhej të martohej, sipas aranzhimit që kishte bërë i ati. Në Jemen gratë kanë të drejtë të vizitojnë bashkëshortët një herë në javë.
Hindi nuk është e vetmja që do të martohej në këtë familje kundër vullnetit të saj. Nëna rrëfen, se ende nuk e ka harruar dot fatin e dy motrave të Hindit. Sabrin po ashtu u martua me një të burgosur. Pas martese ajo u sëmur dhe mbeti me barrë. Motra tjetër Vadad po ashtu u martua si minorene, tani ka dy fëmijë. Të gjitha këto e detyruan nënën të kërkonte në gjyq prishjen e martesës. Por edhe pas gjyqit ende nuk ka qetësi. Dhëndri i refuzuar e ka kërcënuar me sms nënën, se do të vijë ta marrë “me dhunë” vajzën, nëse nuk vjen në burg ta vizitojë. Ky rast zgjoi vëmendje publike në Jemen.
Varfëria nxit martesat e vajzave të mitura
Për shumicën e vajzave është shumë e vështirë prishja e martesës. 17 vjeçarja Manal ishte 13 vjeçe, kur u martua me një burrë 20 vjet më të madh. Edhe kjo martesë përfundoi në divorc. Por Manal rrëfen, se nuk mundi ta duronte jetën në martesë. “Sa më shumë rritem e kuptoj, se sa e tmerrshme ishte kjo përvojë. Ka qenë një kohë e humbur.”
Martesat e vajzave të mitura argumentohen shpesh me traditat apo me fenë. Për këtë debatohet prej dekadash në Jemen apo në vende të tjera arabe, megjithëse përmasat e arsyet e kësaj praktike variojnë në rajone të ndryshme. Disa vende kanë vendosur ligjin për moshën minimale të martesës për vajzat 18 vjeç. Por kjo nuk do të thotë, se ky ligj respektohet kudo.
Kurse në Jemen shtimi i martesave të të miturave lidhet jo vetëm me traditën shoqërore, por edhe me varfërinë kronike, që për shkak të luftës shumë familje i ka çuar në mjerim. 24 milionë jemenitë janë të varur nga ndihmat humanitare. Programet e edukimit për ndalimin e martesave në moshë të vogël janë ndalur. Sipas një raporti të OKB-së, numri i vajzave të martuara nën moshën 18 vjeç është rritur tre herë më shumë në vitet 2017-2018.
Askush nuk i mbron viktimat
Statistika të sakta nuk ka. Por Ahmed al-Qurashi, president i organizatës së mbrojtjes së fëmijëve, Siyaj thekson në bisedë me DW, se numri i martesave të vajzave të mitura që nga viti 2014, vit i fillimit të luftës është rritur në mënyrë të pamasë. Arsyet janë të ndryshme. Nuk ka një instancë që zbaton të drejtat e fëmijëve, thotë ai. Në shumë rajone nuk funksionojnë gjykatat, policia. Sidomos në rajonet e varfra, që shënojnë edhe numrin më të madh të martesave të tilla. „Me shqetësim të madh vërejmë praktika dhe shkelje që bien ndesh me të drejtat e fëmijëve. Për shkak se viktimat nuk mbrohen, ky fenomen është shtuar.”
Lindjet të rrezikshme
Varfëria është arsyeja kryesore, thotë edhe psikologja jemenite, Balquees Abu Lahum. „Shumë prindër praktikisht nuk kanë asnjë të ardhur, në një kohë që kanë shumë fëmijë. Kështu shumë vetë e shohin veten të detyruar, t‘i martojnë vajzat me një burrë, që nuk e vret mendjen për moshën e vajzës.”
Martesa të tilla kanë pasoja katastrofike për vajzat, thekson Abu Lahum. Nëse lindin herët, shumë nëna të reja nuk e mbijetojnë lindjen. Të tjera vuajnë nga probleme psikike, të cilat u kalojnë fëmijëve. Psikologja kërkon që vajzat të kenë qasje në arsim dhe shoqëria të sensibilizohet më shumë. Por më e rëndësishme është një ligj i qartë për moshën minimale të martesës për vajzat. Por kush do ta bëjë këtë ligj, kur Jemeni prej vitesh nuk ka një qeveri funksionale që të marrë vendime për të gjithë vendin e t’i zbatojë ato./DW