Nuk fituan mandatin në zgjedhje, flasin disa nga deputetët aktualë. Tregojnë se çfarë do të bëjnë
140 deputetët u rikthyen këtë të enjte në Kuvend pas zgjedhjeve të 11 majit. 83 prej tyre nuk do të ulen më në karrigen e ligjvënësit në shtator. Disa prej tyre edhe folën për gazetarët. Deputeti socialist Toni Gogu, i cili humbi për shkak të kuotës gjinore, tha se nuk ka asgjë për të ardhur keq, ndërsa shtoi se shërbesën e tij në politike do ta vazhdojë pavarësisht faktit se nuk ka mandat. Opozitari Enkelejd Alibeaj tha se do të dalë me kokën lart. Sipas tij, “fitoi Rama, Berisha por humbën shqiptarët”. I pyetur për angazhim politik, ai tha: ‘Rrugët e zotit janë të pafundme. Unë nuk kam ardhur si anonim dhe nuk iki si anonim. Ka shumë mundësi të tjera. Në politikë aktive nuk do të jem, në atë publike nëse më pranoni, pse jo”.
Mandat nuk mori as deputetja Pranvera Resulaj, e cila u shpreh shkurtimisht: “Do të vazhdojmë jetën profesionale, mbaroi mandati jo jeta”. Nga PD-ja Ferdinand Xhaferraj, i cili u tërhoq dhe nuk kandidoi tha se këtë zgjedhje që bëri e ka deklaruar vite më parë dhe se një gjë të tillë do të duhej të bënte edhe Berisha. Sipas tij, një person non grata nga SHBA dhe Britania si Berisha, nuk mund të pretendojë që të mundë Ramën. Deputetja nga radhët e Bashës, Merita Bakiu tha se nga “pakti” Rama-Berisha, demokratët ngelën rrugëve. “Më shumë që të bënim një betejë të drejtë më vjen keq vetëm për diçka. Pakti Rama-Berisha i la demokratët rrugëve. Jam me keqardhje për demokratët”, u shpreh ajo.
Deputetja më e re e PD përgjatë këtij mandati, Andia Ulliri, e cila ka depozituar një kërkesë në KQZ dhe pretendon mandatin e Arjan Ndojës në Durrës, tha se do të ndjekë të gjitha etapat në zbatim të ligjit. “Në fakt, duke qenë se vertifikimi ende s’ka përfunduar do të presim një përgjigje të fundit nga KQZ, për të parë sesi do të procedohet me shpërndarjen e mandateve. Meqë jemi dhe së bashku, kam depozituar një kërkesë në KQZ, për çështjen e kodit zgjedhor dhe kuotës zgjedhore. Është dicka që e kam bërë duke e shqyryar me juristë dhe avokatë për të çuar deri në fund zbatimin e ligjit. Duke qenë se është çështje proceduriale do t’i kaloj të gjitha etapat dhe nëse do të marrë vëmendjen e duhur, se bëhet djalë për një kundërshtim të ligjit. Do të ndjekim të gjitha etapat për ta çuar deri në fund”, tha Ulliri.
Socialisti Ornaldo Rakipi, i cili mundi me një rezultat të ngushtë, Xhemal Qefalian, tha: “Jam më i votuar falë qytetarëve”. Edhe Etilda Gjonaj, e cila nuk mori votat e mjaftueshme për të siguruar mandat, u shpreh se “më shumë sesa keq, ndihet falenderuese për të gjithë ata që i besuan votën”. “Patjetër më vjen keq. Por më shumë sesa keq, iu jam falenderuese atyre që më besuan votën dhe më dhanë mundësinë që të kem një rezultat të mirë”.
KOHA JONË SONDAZH

