Obama: SHBA është krenare për aleancën me Shqipërinë
“Duke festuar pavarësinë tuaj, ne përshëndesim përparimin e mrekullueshëm që keni shënuar në ndërtimin e demokracisë në vend si dhe kontributin ndaj sigurisë, qëndrueshmërisë dhe begatisë ndërkombëtare në rajon dhe anembanë botës”-shkruan kreu i Shtëpisë së Bardhë në Uashington.
Pasi e nisi mesazhin me fjalët “I dashur Zoti President!”, zoti Obama shkruan se “Shqipëria është një partnere e palëkundur dhe kontribuuese për sigurinë globale”. “Ne, – vijon presidenti Obama, – i jemi mirënjohës kontributeve të rëndësishme të Shqipërisë dhënë në misionin e NATO-s në Afganistan, në përpjekjet ndërkombëtare në Ukrainë, qëllimeve humanitare dhe stabilizuese në Irak si dhe në luftën kundër kërcënimit të terrorizmit ndërkombëtar dhe luftëtarëve të huaj”.
“Shtetet e Bashkuara janë krenare që e kanë Shqipërinë si aleate, mike dhe partnere të ngushtë. Urime për Ditën tuaj të Pavarësisë!”-shkruan presidenti Obama. Përgëzimet presidenti Obama i shpreh gjithashtu për marrjen në 24 qershor e statusit të vendit “kandidat” nga Shqipëria për në Bashkimin Evropian. “Suksesi i vendit tuaj në përparimin përgjatë rrugëtimit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian e thellon qëndrueshmërinë në Ballkanin Perëndimor dhe shërben si shembull për aspiratat euro-atlantike të fqinjëve tuaj”-shkruan presidenti i amerikanëve.