OFL, juristët: Akti normativ antikushtetues, dublon SPAK

Debati publik mbi vendimin politik të qeverisë mbi ngritjen e strukturës së re policore, e njohur si Operacioni Forca e Ligjit, duket se do ta vendosë Strukturën e re të Posaçme përpara fakteve të kryera. Të paktën kështu shprehen juristët më të njohur në vend. Avokat Spartak Ngjela, nga ana e tij e cilëson krijimin e Operacionit Forca e Ligjit si një vendim arbitrar, duke akuzuar drejtpërdrejtë kryeministrin, për struktura paralele. Sipas tij, faktori ndërkombëtar nuk do ta lejojë dobësimin e SPAK.

”Kryeministri aktual është anti-sistem. Ky e do pa system, me një ligj arbitrar. Si duhet të qëndrosh brenda sistemit? Jo me akt normativ, me amendamente të ligjeve. Në momentin kur ka dalë një organ, i cili do të hetojë krimin e organizuar dhe korrupsionin që është SPAK, si e merr ti përsipër krimin e organizuar dhe pastaj ja çon SPAK-ut? Nuk ka më fuqi të punojë shpejt dhe këta fitojnë kohë, korrupsioni fiton kohë. Domethënë që është në ndihmë të korrupsioni”.

Konstitucionalisti Jordan Daci e sheh ngritjen e Operacionit Forca e Ligjit si një zhvendosje të SPAK, duke bërë që OFL të marrë atributet e prokurorisë dhe gjykatës. ”Nuk mund të ndahet sekuestrimi i pasurisë nga procesi i hetimit penal. Do të detyrohet që të shfuqizojë të gjitha vendimet dhe ky shfuqizim nuk është thjesht pasojë për palën, por praktikisht do të ketë ngarkesë dhe për ne si qytetarë, duke qenë se pala do të ketë pastaj të drejtë të kërkojë dëmshpërblim”.

SHKARKO APP