Oketa: Protesta e 16 shkurtit shkon përtej opozitës, është reagim kundër sistemit
Shitblerja e votave nga PS/ Ish-ministri i Mbrojtjes: Zëri i Amerikës nuk publikon lajme të pavërteta dhe të pa verifikuara
Intervistoi: Herion Mesi
Mesi i dhjetorit të vitit që lamë pas shënoi dhe fundin e “pushimeve politike” për Gazmend Oketën, i cili tashmë është rikthyer në Partinë Demokratike, si pjesë e Këshillit të saj Kombëtar, duke dhënë dhe sinjalin e parë konkret që PD-ja po shkon drejt. Por për Gazmend Oketën më i rëndësishëm se sa rikthimi i tij, është aktualiteti politik që po kalon vendi si pasojë e keqqeverisjes nga ana e socialistëve të kryesuar nga Edi Rama.
Në një intervistë për “Koha Jonë”, Oketa shprehet se thirrja e opozitës për t’iu bashkuar protestës së 16 shkurtit në Tiranë është një thirrje që shkon përtej demokratëve. Sipas tij, ajo është një thirrje për të reaguar kundër një sistemi i cili ka përqendruar të gjitha pushtetet, e për rrjedhojë dhe fatet e Shqipërisë, në duart dhe në mendjen e një njeriu të vetëm, tek Edi Rama. Në cilësinë e ish-Ministrit të Mbrojtjes në kohën kur Shqipëria u anëtarësua në NATO, Oketa i shikon sulmet e kryeministrit Rama dhe kryebashkiakut të Durrës ndaj Zërit të Amerikës, si përgjigje të atyre që e kanë të pamundur për të gjetur argumenta bindës kundër publikimeve që dëshmuan krimin zgjedhor të konsumuar nga socialistët në zgjedhjet e zhvilluara në disa qarqe të vendit.
“Unë nuk di deri më sot ndonjë rast kur “Zëri i Amerikës” të ketë publikuar lajme të pavërteta dhe të pa verifikuara. Nuk i shoh si sulme të mirëfillta kundër “Zërit të Amerikës”, por i shoh si përgjigje të atyre që e kanë të pamundur për të gjetur argumenta bindës kundër publikimeve. I shoh si lëvizje për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik si dhe të medias nga thelbi i çështjes që është shitblerja e votës dhe përfshirja e elementëve me historik kriminal në zgjedhje. Deri tani duket sikur kjo strategji po i funksionon, por duke qenë se “kazani” i zullumit politik në Shqipëri është shumë herë më i madh dhe më i ndotur se ai mediatik, kur dokumenta të tjera të bëhen publike, kjo përgjigje nuk besoj se do ti vi më në ndihmë”- thekson ndër të tjera, Gazmend Oketa për “Koha Jonë”.
Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së, z. Basha kërkoi mobilizimin e të gjithë demokratëve për të nisur një sezon protestash, të cilat do të kulmojnë me protestën e 16 shkurtit ku është paralajmëruar protestë pa afat deri me largimin e Edi Ramës. Sa të mundur e shikoni ju këtë objektiv?
Thirrja e z. Basha për protesta dhe veçanërisht për atë të 16 Shkurtit, shkon jo vetëm për demokratët. Ajo është një thirrje për të gjithë qytetarët shqiptar të cilët nuk pajtohen me mënyrën se si z. Rama po qeveris vendin. Ajo është një thirrje për të reaguar kundër një sistemi i cili ka përqendruar të gjitha pushtetet, e për rrjedhojë dhe fatet e Shqipërisë, në duart dhe në mendjen e një njeriu të vetëm, tek z. Rama. Ajo thirrje shkon përtej ngjyrimeve politike, dhe synon të mbledhë bashkë në një protestë paqësore çdo shqiptar të ndershëm, çdo mjek, inxhinier, artist, mësues, student, punëtor, bujk, pensionist i cili ndjehet i braktisur, i papërfaqësuar dhe i zhgënjyer nga Rilindja. Sot qytetarët shqiptarë kanë të drejtë ti kërkojnë llogari z. Rama për papunësinë dhe varfërinë ekonomike që po mbulon çdo qytet të Shqipërisë. T’i kërkojnë llogari për mungesën e arsimit cilësor dhe për dështimin e reformës në arsim, për shëndetësinë e cila sipas premtimit të z. Rama, kurrë nuk u bë falas, por vetëm sa u shtrenjtua dhe u përdor si një sektor ku koncesionet futën duart për të grabitur në xhepat e shqiptarëve dhe për të mbushur xhepat e Rilindjes. T’i kërkojnë llogari për drejtësinë e munguar, për korrupsionin në rritje, për kriminalizimin që i ka ka bërë si politikës ashtu dhe ekonomisë. Për çmimin e karburanteve që është nga më të shtrenjtët në Europë. T’i kërkojnë llogari për aferën e “Unazës së Re”, për aferën korruptive të “Teatrit Kombëtar”, ti kërkojë llogari për faktin se përse të rinjtë shqiptar, po kërkojnë të braktisin masivisht vendin. T’i kërkojnë llogari se përse në vend të gjuhës së nënës, atë shqipe, shqiptarët po mësojë gjuhën gjermane. Z. Rama kërkoi dhe mori të gjithë tepsinë e pushtetit politik, dhe e përdori atë për të krijuar super pushtet si politik ashtu dhe ekonomik. Ai ka përqendruar çdo tender, çdo qindarkë publike në dy apo tre duar duke rrënuar e falimentuar pjesën më të madhe të biznesit të ndershëm. Ai po shtrin gradualisht pushtetin e tij dhe në sistemin e ri të drejtësisë për të siguruar nesër paprekshmërinë e rilindasve të korruptuar. Të gjitha këto arsye e shumë të tjera besoj se do të bëjnë që qytetarët shqiptarë të protestojnë masivisht dhe të gjithë njëzëri të kërkojnë largimin e Z. Rama, si dhe krijimin e kushteve për zgjedhje të lira e të ndershme.
Në vlerësimin tuaj, cilat janë arsyet se pse durrsakët duhet të jenë në protestë?
Janë të gjitha ato arsye që unë përmenda më lart, të cilat duhet të bëjnë që jo vetëm durrsakët por çdo qytetar shqiptar të dalë në protestë. Qytetarët e Durrësit, apo çdo qyteti të Shqipërisë, kur mendojnë për protestën e datës 16 Shkurt, duhet ta shohin atë si një mundësi bashkimi, si një mundësi për të kontribuar në interes së të ardhmes së Shqipërisë, në interes të rrëzimit të një sistemi autokratik dhe të rrezikshëm për të ardhmen e çdo familjeje shqiptare, si një mundësi për krijimin e kushteve për reformim të sistemit politik aktual, sistem i cili jo vetëm është krejtësisht i deformuar, por është korruptiv dhe i lidhur me botën e krimit. Është krejt normale që opozita të jetë zëdhënësja e përfaqësuesja e pakënaqësisë popullore, por kjo nuk do të thotë se protesta është vetëm e demokratëve. Ajo është një protestë që përfaqëson çdo shtresë të shoqërisë shqiptare, protestë e cila duhet të përfaqësojë edhe ata socialistë të cilët janë të zhgënjyer nga “Rilindja” më shumë se pjesa tjetër e shqiptarëve, por që e kanë të vështirë të protestojnë në shesh. Flamuri kombëtar, interesi i Shqipërisë dhe shqiptarëve do të jenë udhëheqësit e kësaj proteste. Çdo llogari tjetër politike, zbehet para këtyre interesave.
Zëri i Amerikës ka publikuar një sërë përgjimesh ku trajtohet gjerësisht fenomeni i shitblerjes së votave dhe përfshirja e elementëve kriminalë në zgjedhjet e Durrësit, ku “i akuzuari” kryesor është kryetari aktual i Bashkisë Vangjush Dako. Sa të vërteta ka në ato përgjime të publikuara?
Së pari, unë nuk di deri më sot ndonjë rast kur “Zëri i Amerikës” të ketë publikuar lajme të pavërteta dhe të pa verifikuara. Së dyti, fjalën finale për vërtetësinë e atyre publikimeve në raport me përgjegjësitë e personave të përfshirë duhet ta caktojnë organet e drejtësisë. Sjellja dhe trajtimi i deritanishëm i kësaj çështjeje nga drejtësia shqiptare, lë pak vend për optimizëm dhe besim se kësaj historie do t’i shkohet deri në fund.
Ju keni qenë ministër i Mbrojtjes në kohën e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, por si e shihni sulmin ndaj Zërit të Amerikës, si nga kryeministri Edi Rama, por edhe nga Vangjush Dako?
Nuk i shoh si sulme të mirëfillta kundër “Zërit të Amerikës”, por i shoh si përgjigje të atyre që e kanë të pamundur për të gjetur argumenta bindës kundër publikimeve. I shoh si lëvizje për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik si dhe të medias nga thelbi i çështjes që është shitblerja e votës dhe përfshirja e elementëve me historik kriminal në zgjedhje. Deri tani duket sikur kjo strategji po i funksionon, por duke qenë se “kazani” i zullumit politik në Shqipëri është shumë herë më i madh dhe më i ndotur se ai mediatik, kur dokumenta të tjera të bëhen publike, kjo përgjigje nuk besoj se do ti vi më në ndihmë. “Kazan” apo “Kadri” u quajtën edhe ata gazetarë që publikuan aferën korruptive të Unazës së Re, por në fund doli se kazani ku ishte gatuar ajo vjedhje është pjesë e setit të tepsive të z. Rama. Tani z. Rama duhet t’i thotë qytetarëve se kush ishte “kadriu” apo “kryekadriu” i kësaj afere në qeverinë e tij.
Duke e marrë të mirëqenë çështjen e blerjes së votave apo edhe të intimidimit të votuesve në zgjedhjet e zhvilluara në Durrës, si mendon PD-ja ta mundë PS-në, fushata e të cilës do të kryesohet po nga Vangjush Dako për garën e Durrësit? A keni nisur marrjen e masave që në zgjedhjet e 30 qershorit vota e durrsakëve të mos preket?
Çështja e mos prekjes së votës apo mos tjetërsimit të saj gjatë numërimit, apo dhe shitblerja e saj është një çështje e cila nuk duhet parë thjesht si interes i njërës apo tjetrës forcë politike. Numri i qytetarëve shqiptar që votojnë është shumë herë më i madh se numri i anëtarëve të të gjitha partive politike. E përmend këtë fakt për të thënë se paprekshmëria e votës është në të mirë dhe interes të çdo shqiptari, përfshi dhe fëmijët të cilët nuk votojnë. Nëse drejtësia shqiptare do të veprojë me shpejtësi dhe të vendos para përgjegjësisë ata persona që kanë blerë votën apo kanë shantazhuar qytetarët në interes të një individi apo të një grupimi politik, besoj se zgjedhjet e ardhshme së paku do të çlirohen nga ndikimi i krimit mbi rezultatin e tyre. Më pas për të pasur zgjedhje krejtësisht të lira e të ndershme, është e vështirë ta besosh se mund të ndodhë sa kohë vendi drejtohet nga dikush që zgjohet dhe fle me idenë se si dhe me çfarë mjetesh do të qëndrojë sa më gjatë në pushtet, pavarësisht se studentët, artistët, mjekët dhe shumica e qytetarëve nuk e duan më.
Gara e Durrësit duket se do të karakterizohet edhe nga një vendim i PAA-së së Agron Dukës, me kandidat të sajin jashtë koalicionit opozitar. A pritet të ketë ndonjë ndikim negativ në rezultatin e përgjithshëm të votimeve në Durrës?
Përkundrazi, për mua çdo kandidat që merr pjesë në një garë, duke ofruar ide apo alternativa ndryshe nga kandidatët e tjerë, gjykoj se ndikon veçse pozitivisht. I ofron qytetarëve një mundësi zgjedhje më shumë. Tek e fundit ky është thelbi i demokracisë. Unë besoj se deri në zgjedhjet e ardhshme të cilat me shumë gjasa do të jenë të dyfishta, si lokale ashtu dhe të përgjithshme, ekziston gjithë koha e nevojshme për të sheshuar çdo “konflikt” brenda kampit opozitar. Në gjykimin tim, ka një objektiv që është fare i qartë për cilindo opozitar por edhe për çdo qytetar të thjesht. Ky objektiv është largimi sa më shpejt nga pushteti i z. Rama dhe ky është një motiv shumë i fortë për të gjetur mirëkuptim dhe bashkëpunim me cilindo në opozitë. Nga ana tjetër, gjykoj se opozita në Durrës, por dhe në çdo qytet të Shqipërisë, bashkëpunimin më të madh dhe koalicionin më të madh duhet ta bëjë më qytetarët. Opozita do t’i japë qytetarëve shpresë dhe besim se drejtuesit e ardhshëm lokal dhe qeveria e ardhshme nuk do të jenë zhgënjimi i radhës, por do të jenë një mundësi e mirë për çdo qytetar pavarësisht bindjeve politike për më shumë punësim, arsim, shëndetësi, siguri, stabilitet ekonomik dhe perspektivë të qartë për secilin prej tyre brenda hapësirës shqiptare. Rikthimi i shqiptarëve që kanë braktisur atdheun pranë familjeve të tyre në Shqipëri duhet të ndodhë sa më parë, ndryshe, me këtë ritëm largimi të qytetarëve, në janë të ardhme jo të largët ky vend mund të rrezikojë dhe ekzistencën e tij. Dhe për ta mundësuar këtë rikthim të fëmijëve të tyre, qytetarët shqiptarë duhet të reagojnë. Koha është tani, është me 16 Shkurt. Nesër do të jetë vonë.