Opozita i ka shitur e blerë votuesit e saj si mobilje të përdorura te shtëpia e ofertave
Nga Ervin Goci
Tek kjo foto do gjeni gjithë kataklizmën ku një nomenklaturë e kalbur e opozitës ka zhytur jo vetëm veten po dhe disa qindra mijëra votues, të cilët i ka shitur e blerë m’u si mobilje të përdorura te shtëpia e ofertave. Mbaj mobilje te perdorura si deputetet e fansaksur, perdori brutalisht, çoji te tregu i pleshtit për t’i dorëzuar për kacidhe – një cikel i pafund degradimi deri në momentin ku vlera e aseteve bie përtoke, nuk ka më asgjë për të shitur. Derisa pastaj të del i zoti, vjen dhe ta rrëmben vullnetin fajdexhiu që në këtë rast është Rama, që ka lëshuar gjithë pasurite e Shqipërisë si fajde dhe një pjesë i ka ruajtur dhe për opozitën që të kruajë dhëmbet.
Që opozita ishte biznes fitimprurës këtë e zbuluam me Lulzim Bashën, po me rikthimin e tij Berisha po e shet vullnetin e opozitës jo thjesht për interesa ekonomike, por mbi të gjitha për sigurinë e tij vetjake, e cila varet në mënyrë të pazgjidhshme me fatin e Edi Ramës. Të dy janë të interesuar që të mbajnë njëri-tjetrin deri në vdekje. Jo se Berisha ka fuqinë e Ramës, por sepse ka çelësat e kafazit ku ka futur një pjesë të popullsisë, ka aq mandate të domosdoshme për ndryshime kushtetuese për të hedh çdo kërcënim në erë, madje me reformë kushtetuese.
Kjo është ruleta ruse me të cilën luan klasa politike duke u mbledhur natyrshëm kruspull për të ruajtur pozitat nga çdo lloj kërcënimi, sado i mugët qoftë. Nuk ka asnjë shpjegim tjetër vota në formë militareske të një kodi që është dhe më prapanik se ai që kishim.
Klasa politike është shkëputur përfundimisht nga populli dhe ato kanale ajrosjeje që ishin, u mballosën, tani nuk ka më asgjë.
Ata kundër të gjithëve. Rifreskim i 2008-tës. Sa herë ka ndonjë zhvillim të paparashikuar, direkt ndizet “codice rosso”, palët e gjejnë gjuhën shumë shpejt për të ruajtur establishmentin politiko-ekonomik.
Pyetja është, çfarë i mbetet për të bërë qytetarit të thjeshtë, braktisur, pa përfaqësim, si ata të rinjtë që vozisin në kërkim të një atdheu ne kanalin e Calais?
Përgjigja për mua nuk është ikja, sepse ka një mundesi. Cila është mundësia?
Mundësia është që një formacion i ri të mund të arrijë atë masë kritike, sa të paktën t’ua heqë nga duart shumicën parlamentare të dy subjekteve, asnjë nga ato mos te ketë mundësi të bëjë 71 deputetë që votojnë një qeveri.
Për të arritur këtë nuk duhet më shumë se 10 deputetë. Po nuk është e thënë qe kjo të arrihet në nje palë zgjedhje, por duhet thyer barrikada. Ndaj përgjegjësia u kalon subjekteve të reja, te cilët duke dale si ofertë politike, kanë pergjegjesinë jo vetëm të japin një alternativë të pasur ideore, por dhe një rrugë si arrihet rezultati me kodin ekzistues. Pra kërkohet sigurisht rrugë e principtë, parimë te shëndosha, vullnet i pakompromistë por dhe një rrugë konkrete si arrihet rezultati, cila është pespektiva konkrete?! Kjo për mua është defiçenca më e rendë e lëvizjeve të reja që kanë elementin e parë, premtojnë shumë, por konkretisht janë në batak.
Personalisht kam mbështet pa asnjë hezitim Lëvizjen BASHKË, si subjekt politik i regjistruar me një rezultat shpresëdhënës në Tiranë në zgjedhjet lokale dhe do vazhdoj ta mbështes fort sa mundem, e megjithate si mbeshtetës dhe dikush që kam ndikuar aq sa kam mundur, por dhe si simpatizant, pres nga ata kryesisht, por dhe aktorë të tjerë që te na tregojnë rrugën si shkohet te rezultati, si thyhet barrikada që kanë ngritur partitë e leshta.
Kjo është pjesë e strategjisë së një subjekti politik, mungesa e se cilës mund të sjellë pasoja ekzistenciale dhe xhirim në vend dhe për nja ca dekada.
Shpresoj të këtë një reflektim në këtë pikë, për vete i kam larë duart me parti që drejtohen nga Sali Berisa, Lulzim Basha apo Ilir Meta, apo ndonjë i fandaksur tjetër.
Ky është hapi 1 që duhet të bëjmë të gjithë ne njerëzit e ndershëm që nuk i kemi kusure askujt, pastaj vijnë të tjerat.