”Otello” i Blushit botohet në Kinë
Romani i shkrimtarit Ben Blushi “Otello, Arapi i Vlorës”, tashmë është botuar edhe në gjuhë kineze, pas botimit në italisht, bullgarisht dhe greqisht.
Botimi është mundësuar nga një prej shtëpive botuese më të mëdha kineze, shtëpia botuese e mësimit dhe studimit të gjuhëve të huaja (Foreing Language Teaching and Research Publishing Co.,) në kuadër të Projektit të bashkëpunimit mes dy vendeve për përkthimin dhe botimin e ndërsjelltë të librave nga Kina dhe Shqipëria.
“Otello, Arapi i Vlorës” vjen në gjuhën kineze me përkthim të Chen Fenghua, shefe e katedrës së Gjuhës Shqipe pranë Universitetit të Gjuhëve të Huaja në Pekin.
Në parathënien e përkthyer, përmenden çmimet që ka fituar ky libër dhe theksohet se për shumë kritikë, Ben Blushi është një figurë me shumë influencë në fusha të ndryshme.
“Triologjia” e tij, cilësohet si “një ngjarje e madhe letrare”, me shpresën që në të ardhmen jo të largët, në Shqipëri të dalë një shkrimtar i përmasave botërore. Në parathënie jepet një ekspoze e shkurtër e jetëshkrimit të Blushit dhe krijimtarisë letrare të tij si dhe e përmbajtjes dhe mesazheve që përcjell romani “Otello, Arapi i Vlorër”. “Edhe lexuesit kinez”,-shkruan në fund të parathënies së saj përkthyesja Chen Fenghua- “do të kenë fatin të përjetojnë sharmin e letërsisë shqiptare. Nëpërmjet vështrimit konfuz të protagonistit, Otellos, ata do të mendojnë për kuptimin dhe rëndësinë e vërtetë të dashurisë, familjes dhe jetës”.
”Jam i kënaqur që romani im Otello Arapi i Vlorës është botuar në Kinë. Më parë Otello im ka folur në italisht, bullgarisht, greqisht dhe 13 vjet pas lindjes iu desh të mësojë dhe gjuhën mandarine. Duke falënderuar të gjithë ata që ndihmuan në botimin e këtij romani, shpresoj qe lexuesit kinezë të kenë mundesi të njihen me Mesjetën shqiptare përmes disa personazheve që unë i kam huazuar pa leje nga Shekspiri”,-shkruan vetë autori, Ben Blushi në një postim në facebook.