PAA: Rilindja ka dështuar të mbështesë bujqësinë. Kjo ka nxitur varfërimin e fermerëve
Partia Agrare Ambientaliste deklaron sekti i Rilindjes i udhëhequr nga Edi Rama ka dështuar të mbështesë bujqësinë. Dhe kjo sipas PAA-sw, ka nxitur varfërimin e fermerëve
“Rilindasve arrogantë dhe të babëzitur ju mungon vizioni dhe përgjegjësia për fshatin. Për Rilindasit demagogjia është gjithçka, ndërsa realiteti i varfërisë që vret asgjë. Sipas buxhetit afatmesëm të Rilindasve për vitin 2020-2022 mbështetja e bujqësisë në 2022 mbetet e njëjtë si në vitin 2005 rreth 0.5 % e GDP-së. Demagogjia elektorale e përditshme e Rilindasve për të cilën harxhohen miliona lekë që mund t’ju shkonin fermerëve, blegtorëve, peshkatarëve, prodhuesve, grumbulluesve dhe përpunuesve të produkteve bujqësore dhe blegtorale, nuk e fsheh dot faktin e hidhur se bujqësia është sektori më pak i financuar edhe pse në këto zona banojnë mbi 45% e popullsisë dhe ky sektor prodhon 20% të GDP-së së Shqipërisë. Edhe pse është rritur ndjeshëm mundësia përfituese nga financimet e BB për zhvillimin e qëndrueshëm rural dhe kohezionin social, Rilindasit jo vetëm nuk e kanë rritur pjesën e buxhetit shqiptar por çdo rritje e financimeve nga BE e kanë përdorur për të ulur pjesën e qeverisë për mbështetjen për bujqësinë. Prandaj mbështetja totale mbetet e njëjtë vetëm 0.57% e GDP-së.
Pra, paratë e BE për bujqësinë kanë lehtësuar përdorimin e pjesës së buxhetit shqiptar jo për bujqësinë por për partneritetet publike-private preferenciale. Është e pamundur për Cucet rilindas që e njohin bujqësinë dhe problemet e saj kritike vetëm nëpërmjet realiteteve virtuale 3D – tre dimensionale të prodhuara me kosto të rëndë nëpër kompani marketingu dixhital dhe reklamat e shtrenjta televizive vetë-mburrëse, të pranojnë realitetin e hidhur dhe të dështuar të fshatit. Sipas Rilindasve nuk ekziston asnjë sfidë apo problem konkret dhe i mprehtë për disa qindra mijëra shqiptarë që punojnë në bujqësi dhe që një pjesë e tyre për shkak të dështimeve të rilindasve vazhdojnë të braktisin familjet dhe vendin e tyre. Shifrat janë kokëfortë thonë ekspertët, në këtë rast mbështetja buxhetore për bujqësinë në Buxhetin afatmesëm (PBA) 2020-2022 vjen në ulje dhe jo në ngritje. Po të mbajmë parasysh nivelet e mos-realizimit të buxhetit për bujqësinë në çdo vit, mbështetja reale buxhetore për bujqësinë dhe fermerët do të jetë më e vogël. PAA do të jetë një mbrojtëse e fortë dhe e arsyeshme e fermerëve dhe zhvillimit të qëndrueshëm rural duke kërkuar që brenda katër viteve të mazhorancës së re 2021-2025 të dyfishohet mbështetja për bujqësinë.
PAA do të propozojë ngritjen e Bankës së Zhvillimit për të lehtësuar thithjen e fondeve dhe për të rritur mbështetjen buxhetore për bujqësinë në të gjitha zonat e vendit dhe në të gjitha hallkat e zinxhirit të prodhimit, grumbullimit dhe përpunimit me prioritet sigurinë ushqimore që është kolona thelbësore e shëndetit publik. PAA po punon me një grup ekspertësh dhe do të propozojë që brenda vitit të parë mazhoranca e re të miratojë në Kuvendin e Shqipërisë një skemë sigurimi për bujqësinë e bazuar në parimin e ndarjes së kostove, pra shteti të subvencionojë një pjesë te primit të sigurimit. Skema ndarje risku të cilat do të mbrojnë fermerët nga fatkeqësitë natyrore që i godasin shpesh dhe i varfërojnë ata. PAA – brenda 6 muajve të parë të qeverisë së re do të kërkojë dhe imponojë rialokim të fondeve nga projekte të mbështetjes së fermerëve në zonat me risk te lartë në skemat e mikro-kredisë në këto zona duke rritur financimet grant por edhe duke subvencionuar një pjesë të kostove të aktivitetit. Pa rikthimin e punës dhe jetës në zonat rurale, pa i dhënë bujqësisë mbështetjen reale është shumë e vështirë të luftohet varfëria, papunësia dhe të reduktohet braktisja e Shqipërisë. Kjo rritje duhet bazuar jo vetëm në rritjen e financimit nga taksat e shqiptarëve por kryesisht nga thithja më e mirë e fondeve të BE-së dhe donatorëve të tjerë, fonde të dedikuara për fshatin dhe zhvillimin e qëndrueshëm rural”, deklaron Partia Agrare Ambientaliste.