Padia ndaj Dvoranit/ Vitore Tusha tek Prokuroria e Tiranës
Për padinë e Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta ndaj kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvoranit, ka dëshmuar sot në Prokurorinë e Tiranës, edhe Vitore Tusha. Anëtarja e Gjykatës Kushtetuese, mësohet se ajo ka dhënë shpjegime para prokurorëve për mbledhjen e KED-së.
Kreu i Shtetit, dy ditë më parë u paraqit në Prokurori për padinë ndaj kreu të KED-së. Më pas Meta publikoi edhe një video shpjeguese ku sipas tij vërtetohet sesi u përdor Ardian Dvorani, kreu i KED-së.
Për këtë nuk mungoi edhe një reagim i vetë Ardian Dvorani, i cili pas dëshmisë në Prokurori u shpreh se hetimi për çështje të tilla duhet të zhvillohet në Prokurori dhe jo në media me filma me metrazh të shkurtër. Presidenca ka paralajmëruar publikimin e videove të reja për Dvoranin, ku sipas saj aty do të tregohet shkelja e ligjit.
Padia e Presidentit Meta ndaj Dvoranit
Padia e Presidentit Ilir Meta ndaj Ardian Dvoranit është bërë në lidhje me ngërçin në Gjykatën Kushtetuese. Sipas Ilir Metës, kreu i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Ardian Dvorani, ka shkelur ligjin dhe ka kryer dy vepra penale, shpërdorim detyre dhe përvetësim të titullit apo detyrës. Meta kërkon nga Prokuroria sekuestrimin e audiove të mbledhjeve, ndërsa kreu i KED shprehet se ai nuk ka shkelur asnjë ligj.