Pagat e gjyqtarëve, debate në Konferencën e Kryetarëve, Bardhi: Po shkelni Kushtetutën. Balla: I përcakton Kuvendi

Me debate është zhvilluar mbledhja e kësaj të marte (8 shtator) e Konferencës së Kryetarëve mes kryetarit të Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, dhe kryetarit të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, lidhur me çështjen e pagave të gjyqtarëve.

Bardhi akuzoi Kuvendin se nuk po respekton Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, duke paralajmëruar se kjo situatë ka sjellë pasoja në funksionimin e gjykatave.

“Sot gjykatat janë në kolaps pikërisht sepse ju nuk respektoni Kushtetutën. Ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese për pagat e gjyqtarëve dhe ju nuk merreni me atë çështje. Për ju nuk ka rëndësi Kushtetuta.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ka një vendim të Këshillit të Legjislacionit për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por ju nuk veproni. Pasojat janë se gjyqtarët janë pa paga dhe sot gjykatat janë në krizë. Përgjegjës është Kuvendi, i cili nuk respekton vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, tha Bardhi.

Swiss Digital Mobile Reklama

Bardhi e akuzoi mazhorancën se po e nis sesionin e ri parlamentar me shkelje kushtetuese.

“E mbyllët sesionin e kaluar duke shkelur Kushtetutën, tani po e nisni me shkelje kushtetuese. Do të duhej që ky Kuvend ta niste sesionin nesër. Po ju nuk jeni serioz, nuk e njihni Kushtetutën”, deklaroi kreu i grupit të PD-së.

Në përgjigje të akuzave, Taulant Balla deklaroi se mazhoranca ka respektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe ka ndjekur procedurat e përcaktuara.

Ai tha se Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka depozituar brenda afateve projektligjin që adreson vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me statusin e magjistratëve.

Balla theksoi se përcaktimi i nivelit të pagave është kompetencë e Kuvendit dhe se respektimi i parimit të ndarjes së pushteteve mbetet thelbësor për funksionimin e shtetit ligjor.

“Ne kemi respektuar plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe kemi ushtruar të drejtën tonë kushtetuese për të propozuar ligjin përkatës. Ky krah i Kuvendit nuk ka vënë asnjëherë në diskutim vendimet e Gjykatës Kushtetuese apo të gjykatave të tjera”, u shpreh Balla.

/rtsh.al/

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A duhet liruar Erion Veliaj të drejtojë bashkinë nga zyra?