Pakt PS-PD? Gjosha: Do thellonte krizën. Komisioni i Venecias nuk është institucioni që legjitimon zgjedhjet

Intervistë për ”Koha Jonë”, ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha: Shqipëria në vend të diskutonte për çeljen e negociatave, bën retorikë politike për shkarkimin e Presidentit

Intervistoi: Redjon Shtylla

Për ish-ministren e Integrimit, Klajda Gjosha, nuk ka marrëveshje mes PD-PS. Në një intervistë për “Koha Jonë”, ish-deputetja e LSI-së, thotë se rolin kryesor e kanë qytetarët dhe se çdo pakt do ishte thellim i krizës. E pyetur sesi e lexon opinionin e Komisionit të Venecias, ish-ministrja thotë se ky Komision nuk mund të përdoret nga PS-ja si pjesë e politikës së sajë. Nga ana tjetër, ajo thotë se Komisioni Hetimor nuk ka se çfarë të hetojë në lidhje me Presidentin Meta. Për qëndrimin që do të mbajnë më 15 tetor, ministrat e jashtëm të BE-së, si ish-ministe e Integrimit, pohon se shumë vende të BE-së anojnë tek një “JO” e prerë.

Z. Paskal Milo dhe zërat nga “opozita e re”, flasin për një marrëveshje PS-PD për Reformën Zgjedhore dhe që sipas tyre kjo do të realizohet edhe me ndërmjetësim ndërkombëtar. Ju si LSI, do të jeni të përfshirë në këtë pakt dhe nëse ka marrëveshje vetëm PS-PD, ju si aleatë të opozitës së bashkuar si do të reagoni?

Ka mbaruar koha e marrëveshjeve të fshehta PD-PS. Nëse duam platformë për zgjidhjen e krizës, rolin kryesor e kanë qytetarët shqiptarë dhe ata janë të lodhur me marrëveshje që kryhen në kurriz të tyre. Çdo pakt momental për kapërcimin e krizës nuk është zgjidhje por thellim i krizës.

Sipas PS-së, Komisioni i Venecias në opinionin e saj, të publikuar paraprakisht, legjitimoi 30 Qershorin që për ju si opozitë ishte ditë votimet. Pyetja që kemi, është se a mundet që një Komision i tillë të jetë bazë vendimtare dhe çertifikuese për zgjedhjet në Shqipëri?

Komisioni i Vencias nuk është institucioni që legjitimon ose jo zgjedhjet. PS-ja bën mirë të jetë e kujdesshme pasi jo me çdo aktor vendas apo të huaj mund të bëhet politikë. Zgjedhjet e 30 Qershorit tashmë e kanë marrë delegjitimimin nga OSBE/ODHIR dhe nga pikëpyetje e ngritura nga Bundestagu Gjerman.

Më 11 tetor Komisoni i Venecias do të paraqesë raportin përfundimtar lidhur me çështjen e vendimmarrjes së Presidentit Meta sa i takon anulimit të datës së zgjedhjeve. A mendoni se duhet të vijojë punën Komisoni hetimor parlamentar dhe a mundet që ta shkarkojnë Kreun e Shtetit?

Komisioni Hetimor nuk ka çfarë të hetojë sepse ata e kanë shprehur vendimin e tyre me rezolutë parlamentare. Është e turpshme që në një moment kaq të rëndësishëm, Shqipëria në vend të diskutonte për çeljen e negociatave dhe përmbushjen e kushteve, bën retorikë politike për shkarkimin e Presidentit. Ky debat bëhet edhe për të mbuluar gjithë rrënimin ekonomik dhe keqqeverisjen e vendit.

“PO”-ja me 9 kushte e dhënë për Merkel që të mbështesë Shqipërinë më 15 tetor, në terma praktikë çfarë do të thotë së bashku me shtimin e kushteve? A është një “JO” teknike, pasi nuk ka një panoramë të qartë se kur nis ky proces, se kur do të shqyrtohet kapitujt e negocimit? Parlamenti Holandez dha “JO” dhe Franca është e shqetësuar nga kërkesat për azil. Besoni se do ketë edhe shtete të tjera që do japin “JO”?

Shqipëria nuk i cel dot negociatat pa përmbushjen e këtyre kushteve. Shqipëria bëhet precedenti i parë për ndryshimin e procedurave për hapin e negociatave. Kjo do të prekë në të ardhmen edhe vendet e tjera si Kosovën dhe Bosnjen. Më 15 tetor varianti më pozitiv është që vendet të pranojnë opsionin me kushte të Gjermanisë. Në mënyrë që të merret ky vendim, vendet anëtarë duhet të votojnë në unanimitet. Edhe një Veto e vetme do ta rrëzonte vendimin për Shqipërinë dhe duket se Holanda dhe disa vende të tjera po anojnë më shumë drejt një ”Jo”-je të prerë.

SHKARKO APP