Paloka: Nuk do ta lejojmë skenarin e Ramës për zgjedhje
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka deklaroi në studion e ‘Ora News’ se nuk pret që kryeministri Rama të pranojë propozimin për konstituimin e institucioneve të reja kushtetuese edhe pse sipas tij dakordësia në këtë fazë të procesit do të garantonte cilësinë dhe votimin në kohë të reformës në drejtësi.
“Nëse Rama pranon qoftë edhe këtë propozim të fundit që ne kemi bërë, edhe koha edhe cilësia bashkohen dhe ne e mbyllim reformën. Unë jam i bindur që nuk do ta pranojë sepse nuk e do”, tha ai.
Numri dy i selisë blu tha se Rama nuk e do reformën, ndaj edhe po tenton një lojë politike për t’i lënë opozitës fajin e dështimit dhe për ta çuar vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.
“Ai luan një lojë tjetër, thotë po ngre si çështje reformën në drejtësi po them që opozita nuk e do dhe po hidhemi në zgjedhje për reformën në drejtësi. T’u themi shqiptarëve hajde të votojmë për reformën, le t’i harrojmë vjedhjet e Ramës, krimet e Tahirit, bandat, hajdutat, ministrat e korruptuar…t’i harrojmë këto dhe hajde të bëjmë reformë. Kush nuk e do reformën? Opozita. Hajde të votojmë për Edi Ramën”, shtoi ai.
Por sipas Palokës, edhe në këtë skenar Rama i ka bërë llogaritë gabim, pasi demokratët nuk do ta lejojnë.
“Gati dhe me të gjitha mënyrat për të mos lënë që ky zotëria të mos bëjë zgjedhje me atë qeveri. Nuk mund të ketë zgjedhje me Edi Ramën, e gënjen mendja nese mendon se do e futë vendin në qorrsokak duke e çuar në zgjedhje të tilla dhe ai do drejtojë qeverinë ndërkohë që bëhen zgjedhje”, shtoi ai.
KOHA JONË SONDAZH

