Paloka: Nuk shpallni gjendjen e emergjencës se s’doni të paguani dëmet

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së Edi Paloka kërkoi që për shkak të situatës së krijuar në jug të vendit nga përmbytjet parlamenti ti kushtojë rëndësinë e duhur kësaj çështjeje.

Ai akuzoi kryeministrin Rama se nuk shpall gjendjen e emergjencës që të mos shpërblejë banorët.

“Duke e konsideruar situatën si emergjente, ne do kërkojmë që sot seanca parlamentare ti japë kësaj situate rëndësinë e duhur. Nuk ka praktikisht në gjithë këto ditë asnjëinformacion zyrtar mbi situatën e përmbytjeve në jug të vendit.

Çdo informacion e kemi marrë nga mediat. Ky na flet sot për cirk mediatik, po e vërteta është se nuk guxon të përballet me realitetin e atyre njerëzve që e kanë bërë deputet, që i kanë dhënë votën. Ndaj e përsëris të përballet me qytetarët e tij, të vijë këtu në parlament të informojë çfarë masash mori zotëria. Çfarë masash mori pasi ndodhi gjendja, përveç asaj që lajmëroi ca fshatarë.

Qeveria çfarë bëri, sa hektarë tokë janë të përmbytura, sa banorë janë evakuuar dhe në fund tu thotë qytetarëve pse nuk e shpall gjendjen e emergjencës, sepse nuk do të paguajë dëmet. Sepse me ligj është kur shpall gjendjen e emergjencës dëmshpërblen të përmbyturit, kështu ai nuk do u japë as 50%, ai nuk do ti japë asnjë kacidhe”, – tha Paloka.

SHKARKO APP