Paloka: Rama do hetojë UÇK-në. Parlamentit shqiptar po i kërkohet sot të votojë një akt tradhtie kombëtare
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka ka reaguar ashpër për vendimin e mazhorancës parlamentare për ngritjen e Komisionit të Posaçëm, që do të hetojë akuzat e raportit të Dick Marty, sipas të cilit në Shqipëri janë kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, në kuadër të luftës së UÇK-së në Kosovë.
Përmes rrjeteve sociale, Paloka shprehet se Parlamentit shqiptar po i kërkohet sot të votojë një akt tradhtie kombëtare!
“Parlamentit shqiptar po i kërkohet sot të votojë një akt tradhtie kombëtare! Sapo dëgjova “objektin” e hetimit të komisionit hetimor që po ngre Rama sot në “parlamentin” e tij… Është qartazi një akt tradhtie që po i kërkohet të marrë vulën e Parlamentit të Shqipërisë! Rikthimi në opinion i akuzave për të ashtuquajturën “Shtëpi e Verdhë”, megjithëse ato janë hedhur poshtë vite më parë, pikërisht në kohën që drejtues të UÇK-së u dërguan në Hagë, kishte hijen e tradhtisë. Megjithatë “implikimi” i Bashës në akuzat e ngritura prej Ramës, edhe pse qartazi në mënyrë krejt absurde dhe qesharake, krijonte idenë se gjithë kjo maskaradë kishte qëllime politike; sulmohej Basha e njëkohësisht tërhiqej vëmendja nga katastrofa ku e ka çuar vendin Rama“,- shprehet Edi Paloka.
Paloka thotë se objekti i hetimit të këtij komisioni është fyerje për UÇK dhe shqiptarët. “Sot, me objektin që i kanë vënë këtij komisioni hetimor, bëhet e qartë se qëllimi është vetëm një; hetimi i UÇK-së. Ky akt nuk ka vulë tjetër përveç asaj të tradhtisë. Kreu i grupit të “rilindasve” deklaroi me “krenarinë” provinciale që e karakterizon, se “siç e shihni ky komision nuk do të hetojë Lulzim Bashën, po veprimtarinë e UÇK-së në Shqipëri…” Sipas Ballës, qëllimi i hetimit qenkësh që të vërtetojë se UÇK-ja nuk ka bërë krimet për të cilat akuzohet… Çfarë do të thote kjo?!! Parlamenti i Shqipërisë heton a ka bërë krime UÇK-ja?!! Po pse kush në Shqipëri ka dyshime që u detyroka Parlamenti të hetojë?!! Çdo të thotë kjo në një kohë që me këto akuza absurde janë dërguar në Hagë, drejtuesit e UÇK-së?! Çfarë mesazhi i jepet botës kur vetë Parlamenti i Shqipërisë mendon se ka nevojë të hetohet veprimtaria e UÇK-së?! Ky nuk është gjë tjetër vetëm një shërbim i fundit ndaj zëdhënësit të Millosheviçit, mikut të përbashkët të Ramës me çetnikët serb, një akt tradhtie kombëtare dhe një thikë pas shpine për drejtuesit e UÇK-së në Hagë!”, deklaroi nënkryetari i PD-së, Edi Paloka.
Ditën e sotme, me 83 vota pro, 10 kundër dhe 10 abstenim, Kuvendi ka miratuar ngritjen e Komisionit të Posaçëm për pretendimet në raportin e Dick Marty për luftën në Kosovë, që implikonte UÇK-në.
Gjatë fjalës së tij, kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla tha se ky Komision nuk ka për qëllimin hetimin e kryedemokratit Lulzim Basha. “Basha të rrijë i qetë”, tha ai, sipas së cilit qëllimi i këtij Komisioni është mbledhja e të gjithë dokumenteve që ekzistojnë në Shqipëri në një raport të vetëm për të pastruar imazhin e Shqipërisë.