Paloka: Rama t’u përgjigjet deklaratave të ambasadorit të SHBA-ve
"Unë do doja që këtu të vinte kryeministri dhe t’u përgjigjej deklaratave mjaft të rënda të Ambasadorit të SHBA-ve, që janë bërë publike dhe i dinë të gjithë shqiptarët. Deklarata për deputetë, ministra e gjyqtarë të korruptuar. Deklarata që së fundmi përmendin në emër kriminelë që janë lënë të lirë. Me këtë rast, akuzat kanë qenë mëse të drejtpërdrejta, kanë qenë për Ministrin Tahiri dhe për këtë qeveri sepse kushdo e di që Shullazi nuk shkoi fare përpara drejtësisë, po ashtu edhe Frroku".
Kështu u shpreh sot në seancë plenare, kreu i grupit parlamentar të PD, deputeti Edi Paloka, sipas të cilit gjithsesi, në deklaratën e ambasadorit Donald Lu kishte një pasaktësi. Sepse sipas tij, është e vërtetë se personat të akuzuar si kriminelë, Emiliano Shullazi e Arben Frroku, nuk i janë çuar drejtësisë, por njëkohësisht, denoncuesit e parë të tyre, ai vetë personalisht dhe sekretari i PD, Arben Ristani janë dënuar.
"Nuk është e vërtetë që askush nuk është dënuar për Shullazin dhe për Frokun sepse në fakt është dënuar nënkryetari dhe sekretari i pd, sepse denoncuan pikërisht faktin se kriminelë të tillë lihen të lirë, sepse janë miqtë e Ministrit dhe Kryeministrit. Nuk e di ç'do të bëjë Rama tani, në do të hedhë në gjyq edhe ambasadorin e SHBA-ve”, – ka thënë gjithashtu Paloka.
KOHA JONË SONDAZH

