Paloka: Të rinjtë të nxitur nga gjuha e kryeministrit Rama

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, ka komentuar dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, si dhe protestën që sot ishte në ditën e tretë dhe është karakterizuar nga dhuna.

”Rama priti tre ditë pas ngjarje për të reaguar edhe pse u duk që ngjarja nuk do të kalonte aq lehtë. U tentua të manipulohej e vërteta dhe kjo u bë nga strukturat e tjera të policisë. Rama, kam bindjen, që kjo ngjarje të shuhej dhe kur e pa që kjo nuk u shua, u detyrua të bëjë atë lëvizje. Jam i bindur që Lleshaj ka pritur se çfarë do t’i thoshte Rama. Është një lëvizje e diktuar nga Rama. Ai flet për një akt fisnik nga Lleshaj, por në fakt e ka detyruar Rama”,-tha Paloka.

Sa i përket protestës, Paloka thotë se Rama nuk është përpjekur të qetësojë situatën, por sipas tij, ai ditën e sotme i nxiti të rinjtë. ”Ai e tentoi qetësinë një ditë më parë me Lleshajn, ndërsa sot në vend që të qëndronte në një pozicion për të qetësuar qytetarët, doli si një arrogant i pafytyrë duke i ofenduar të rinjtë. Kështu i quajti edhe Ramiz Alia protestuesit, kështu na ka trajtuar edhe ne në fillim, duke na quajtur huliganë, kështu po vepron edhe Rama. Ata të rinj nuk marrin urdhra nga partitë politike. Unë nuk e vë në diskutim që aty ka qytetarë me bindje të djathta, por ka edhe shumë që janë me bindje të majta. E gjitha kjo që po ndodh, tregon paaftësinë e policisë dhe të gjithë drejtuesve të tjerë që larguan profesionistët”,-theksoi më tej Paloka për ”A2cnn”.

SHKARKO APP