Pampuri: Qeveria pa moral, vendi si në filma aksion. Finalizimi është revolta

Deputetja e PD-së, Orjola Pampuri: Sakrifica e Xhisiela Malokut duhet mirëkuptuar, pasi e bën për t’i shpëtuar eleminimit të saj apo familjarëve të saj

Intervistoi: Redjon Shtylla

“Bandat, krimi, përfshirja e bandave me ish-ministra, për Ramën janë shpifje, ndërsa për opozitën e qytetarët janë vetë realiteti i frikshëm e i dhimbshëm, të cilit Rama kërkon t’i bëjë bllok me ligjin antishpifje”. Kështu e quan deputetja e PD-së, Orjola Pampuri, paketën antishpifje, e propozuar nga qeveria. Në një intervistë për “Koha Jonë”, deputetja flet edhe për çështjen “Xhisiela Maloku”, ku thotë se: “Sakrifica duhet mirëkuptuar, pasi e bën për t’i shpëtuar eleminimit të saj apo familjarëve të saj”. E pyetur pse shqiptarët nuk dalin në protestë, deputetja thekson se aksioni i opozitës vijon me denoncimet dhe se finalizimi do të jetë revolta qytetare. “Patjetër që qytetarët do ta rrëzojnë këtë qeveri krimi e bandash që e kanosi këtë vend si mos më keq, sigurisht nën mbështetjen e pandalshme të opozitës”. Për marrëdhënien me kuvendin, ku opozita ende nuk ka shkelur për këtë sesion parlamentar, Pampuri deklaron se: “Marrëdhënia jonë e kushtëzuar, do të jetë për aq kohë sa krimi dhe bandat kanë sot në dorë pushtetin”.

Paketa anti-shpifjet nga qeveria, është rrugë për “shpëtimin” nga çështja “Xhisiela” apo në këtë vorbull abuzash dhe fjalësh, duhen krahasitur të vërtetat?

Paketa antishpifje, është e njëjta gjë me ligjin për agjitacion e propagandë. Jemi përballë shpifjeve pafund të cilat në fillim të 4-vjeçarit të parë u konvertuan në premtime për të ardhur në pushtet, për të vijuar më pas me premtime-shpifje të njëpasnjëshme, për të cilat kryeministri nuk mban asnjë përgjegjësi. Shpifjet janë relative.

Qytetarët dhe opozita mendojnë që shpifjet janë bërë nga vetë Rama në këto 6 vite, duke filluar nga shëndetësia falas, rritja ekonomike, mohimi i bandave, drogës, ulja e varfërisë, përfshirja e deputetëve, ministrave e zyrtarëve të lartë të shtetit, në afera droge e kriminale. Të gjitha këto janë më evidente se kurrë, Rama i mohon dhe pikërisht këtu fillon e mbaron shpifja.

Ligji është për opozitën dhe vetëm për opozitën, nga momenti që opozita në këto vite ka çmontuar e u ka nxjerrë të palarat në shesh, duke filluar nga evidentimi i kryebashkiakëve trafikantë e përdhunues, të cilët Rama i mohoi deri në momentin që faketet e dokumentat vërtetuan gjithçka të vërtetë, avionët me drogë për të cilët Rama e dinte fare mirë, i mohoi por në fund fare gjithçka doli në pah, droga kishte e ka uzurpuar vendin nga veriu në jug.

Po ashtu bandat, krimi, përfshirja e bandave me ish-ministra, e kryesues bandash vëllai i ministrit, këto janë të vërteta të pamohueshme, të cilat për Ramën janë shpifje, ndërsa për opozitën e qytetarët janë vetë realiteti i frikshëm e i dhimbshëm, të cilit Rama kërkon t’i bëjë bllok me ligjin antishpifje.

Denoncimi në polici, tërheqja e padisë, e më pas intervistat në media, e bënë të ngatërruar çështjen e ”Xhisiela Malokut”. Ju si psikologe si e keni lexuar? Kemi të bëjmë me dëshmi të rreme nga ana e saj apo vajza është e kërcënuar nga pushteti?

Për mendimin tim e qartësuan më shumë realitetin e trishtë në të cilin jetojmë, falë kësaj qeverie të gërshetuar me Xhisiela, një vajzë e re e cila gëzon të gjitha të drejtat të denoncojë shokun, të dashurin apo ish-të dashurin, për dhunë psikologjike apo fizike, apo më keq përdhunim.

Më pas është shteti dhe sistemet e ndërtuara prej tij që duhet t’i përgjigjen, duke këshilluar, mbështetur psikologjikisht e juridikisht, e për ta marrë në mbrojtje me qëllim ofrimin e sigurisë së saj dhe denoncimit që ajo do të bëjë të detajuar e deri në marrjen e masave ndëshkimore për autorin. Por këtu ndodh kërcënohet, oficeri i policisë kërcënohet, ndërsa autori i ngjarjes merret në mbrojtje e pas shumë akuzave e provave, ndëshkohet me një masë fare të papërputhur me aktin real me qëllim marrjen e një mase sa më të lehtë ndëshkimore.

Ndërkohë babai, vijon të mbajë detyrën si deputet, në ndryshim nga çdo të ndodhte në çdo vend europian. Lëvizja më e “frikshme” ishte pikërisht ajo kur Xhisiela paraqitet në studiot televizive, për të mohuar ngjarjet, pikërisht ato që ajo vetë kishte denoncuar e raporti mjeko-ligjor i vërtetonte. Por mimika, qëndrimi, toni i zërit, pra gjuha e trupit e tradhëtuan. Fjalët dhe gjuha e trupit, pra lëvizjet e saj nuk përkonin aspak me njëra-tjetrën. Gjë që vërtetoi që ajo ishte nën kërcënim. Nuk kemi të bëjmë fare me Sindromën e Stokhohnit, ku viktima dashurohet me dhunuesin. Xhisiela kërkon të shpëtojë veten dhe familjen prej tij dhe grupit të tij. Të gjithë atë sakrificë për të cilën me dhimbje duhet mirëkuptuar, e bën për t’i shpëtuar eleminimit të saj apo familjarëve të saj.

Deputeti, njëherësh edhe kreu i grupit parlamentar i PS, Taulant Balla, ka kallëzuar 3 deputetë të PD-së për këtë çështje me akuzat për shpërdorim detyre dhe fyerje. Si e lexoni ju?

Në fakt në këtë realitet, krimi e vrasjet që po përjetojmë, jo Taulanti, po asnjë deputet apo ministër i kësaj qeverie, nuk ka më të drejtën morale të qëndrojë më në ato karrige, e jo më të vijojnë të bëjnë kllounet e të bëjnë cirk me fatet e këtij vendi. Sa më shumë të vërtetat dalin mbi ujë, aq më shumë frustrohet Rama me shokë.

Opozita akuzon qeverinë se po e mbron politikisht deputetin Rrahman Rraja. Pse mendoni se duhet të marrë një risk me kosto politike, ndërkohë që mund t’i hiqte mandatin? Po e përdor opozita Xhisielën?

Nuk është vetëm opozita por mbrojtja ndaj tij është më evidente se kurrë. Si mundet të mbajë mandatin e deputetit babai i një dhunuesi apo përdhunuesi, i cili paska fuqinë edhe të kërcënojë opozitën. Këta janë miqtë e Ramës. Deputet që nuk folën kurrë në parlament por ” klithmat’ u ndjehën vetëm falë bëmave.

Për Vetting-u politik, akuzat janë se është i pazbatueshëm për momentin. A i trembet PD-ja një efekti “boomerang” të nismës së saj kundër oligarkëve? 

Absolutisht Vetting-u është zgjidhja. Shkëputja e politikanëve nga aferat me krimin, bandat duhet të marrë fund. Këta politikanë nuk mund të jenë më pjesë e politikës. Ne jemi mbështetës të sipërmarrësve, bizneseve por çdo lidhje e biznesit me qeverinë për të rritur të ardhurat, e përfitimet e dy palëve përbën shkeljen të cilën mund ta zgjidh ky Vetting.

Ka një paradoks te deklarata e Bashës për Vetting-un për politikë, ku thonte që nuk do të merremi shumë me të shkuarën. Çfarë nënkupton kjo sipas jush dhe a nuk e zhgënjen pak publikun?

S’ka asgjë për tu zhgënjyer. Vetting-u shkëput lidhjet e çdo politikani. Në këto 6 vite, qeveria Rama nuk punoi asnjë ditë të vetme për qytetarët, nuk shtroi asnjë km rrugë, nuk hapi vende pune por mendoi si të lidhte kontrata koncesionare, tendera publike, PPP me klientë të tij nga të cilët mund të përfitonin miqtë biznesmenë dhe ai vetë. Shkëputja e lidhjeve të tilla do të jetë nisja e këtij Vetting-u.

Në shtator u tha se do të kishim një opozitë të flaktë por asgjë nuk ndodhi. PD vijon konferencat për shtyp, denoncimet në facebook, e kështu me radhë. A mundet që kjo qeveri, e cilësuar nga ju si e lidhur me bandat, të rrëzohet me konferenca dhe statuse në facebook?

Janë denoncime të cilat po e çmontojnë nga themelet këtë mazhorancë përballë qytetarëve dhe ndërkombëtarëve. Finalizimi do të jetë protesta qytetare.

Pse nuk dalin shqiptarët në protestë? 

Patjetër që qytetarët do ta rrëzojnë këtë qeveri krimi e bandash që e kanosi këtë vend si mos më keq, sigurisht nën mbështetjen e pandalshme të opozitës.

PD-ja ka nisur riorganizimet në bazë në kuadër të zgjedhjeve të brendshme, çfarë synohet me këtë proces? Janë sinjale të një rruge që të çon në zgjedhje të parakohshme?

Organizimi është brenda afateve të rizgjedhjeve në pari, sigurisht edhe parapërgatitje për zgjedhjet lokale.

Fronti opozitar, sipas zërave është për të larguar Ramën dhe jo për të qeverisur sëbashku. Nëse Rama s’largohet, opozita do e tërheq zvarrë? Sinjalet e tilla nuk kanë munguar.

Absolutisht çdo haludim për bashkëqeverisje është spekulim. E keqja e këtij vendi është Rama dhe bandat e tij. Partia Demokratike dhe qytetarët që besojnë tek ajo, nuk meritojnë që realitetin horror, si në filma aksion e amoral, që ta kenë më ashtu siç e katandisi kjo qeveri.

Sa do zgjasë kjo situatë, ku ju do të jeni jo në Parlament por jashtë? Se ndërkohë maxhoranca është komode.

Mazhoranca nuk mund të jetë komode, e vetme në një parlament pluralist. Marrëdhënia jonë e kushtëzuar, do të jetë për aq kohë sa krimi dhe bandat kanë sot në dorë pushtetin.

SHKARKO APP