Panairi “Work&Study”, Ministri Klosi: Paketë ligjore për Arsimin Profesional dhe tregun e punës
Është hapur sot në Tiranë Panairi VI “Work&Study”, i cili organizohet nga Dhoma Kombëtare e Tregtisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, si dhe Ministrinë e Arsimit. Panairi ka për qëllim që të kryqëzojë ofertën e bizneseve dhe universiteteve me kërkesën për punë të të interesuarve. Në ceremoninë hapëse mori pjesë edhe ministri Blendi Klosi, i cili në fjalën e tij përshëndetëse e cilësoi këtë organizim si momentin më të mirë për të përmbyllur turin njëmujor të zhvilluar nga MMSR-ja për të nxitur të rinjtë drejt shkollave të Arsimit Profesional, si dhe për të krijuar mundësi të reja bashkëpunimi me partnerë të huaj për të përmirësuar jo vetëm infrastrukturën dhe bazën materiale arsimore, por edhe për të rritur cilësinë e mësimdhënies.
“Gjatë gjithë muajit shtator ne kemi folur shumë për Arsimin Profesional, kemi folur për edukimin nëpërmjet punës, kemi folur shumë që të kemi një bashkërendim nëpërmjet institucioneve shtetërore që ofrojnë arsimin, biznesit dhe tregut të punës. Prandaj nuk gjej një mënyrë më të mirë për të përmbyllur këtë muaj të përpjekjeve tona për arsimin profesional sesa të jem këtu në ceremoninë e inaugurimit të këtij panairi kuptimplotë me një emër shumë sinjifikativ, ‘Puno dhe Studio”, – tha ministri Klosi në fjalën e tij.
Nisur pikërisht nga qëllimi i këtij panairi, ku vihen përballë në mënyrë të drejtpërdrejtë kërkesa dhe oferta për punë, Klosi është shprehur se duhet të gjenden pikërisht mekanizmat e duhur që një gjë e tillë të mund të realizohet gjatë gjithë vitit në formën e një tregu pune. “Panairi ka sot një ditë kulmore, por që duhet të jetë i hapur në 365 ditë të vitit, të jetë i hapur gjatë gjithë periudhës dhe të mos jetë një moment, por të ketë teknika që ta mbajnë hapur këtë treg”, – tha Klosi.
Një rol të madh në këtë drejtim, ka theksuar ministri, duhet të luajnë pikërisht zyrat e punës në të gjithë vendin, të cilat duhet të dalin nga roli i tyre pritës dhe të kthehen në instrumente për të kërkuar punë për punëmarrësit. “Duke kërkuar këtu mbështetjen e përfaqësuesve të biznesit, por edhe të institucioneve të arsimit të mesëm apo të lartë, duhet të kemi mundësi që zyrat tona të punës në çdo rajon të vendit të jenë tashmë jo vetëm zyra që presin shqetësimet e të papunëve, por të jenë zyra që të orientojnë arsimin profesional gjithmonë e më tepër drejt kërkesave që vijnë nga biznesi”, – tha ministri Klosi.
Ai ka nënvizuar gjithashtu se është e nevojshme që në partneritet me biznesin, të mund të orientohet edhe arsimi dhe formimi profesional drejt kërkesave të tregut të punës.
Po ashtu, për t’i ardhur në ndihmë nxitjes së zhvillimit të Arsimit dhe Formimit Profesional drejt standardeve dhe kërkesave të tregut të punës, ministri Klosi ka bërë të ditur se shumë shpejt do të paraqitet në qeveri dhe mandej në parlament një paketë e plotë ligjore, e cila do të rregullojë raportin ndërmjet Arsimit Profesional dhe tregut të punës.
“Do paraqesim ligjin për Arsimin Profesional, për të pasur mundësi që të rregullojmë me ligj raportet ndërmjet Arsimit Profesional, mënyrën sesi funksionon dhe sesi lidhet me tregun e punës; ligjin e Zejeve, i cili do të jetë një ligj kryekëput për ata zanatçinj që punojnë në punë të denjë dhe që të kenë mundësi që nëpërmjet punës të krijojnë karrierën e tyre dhe biznesin e tyre për të hapur vende të reja punë. Dhe ligji i tretë është ai për Nxitjen e Punësimit”, – tha ministri Klosi. Por sipas tij, e gjitha kjo paketë do të jetë e mangët nëse nuk do ketë kontributin e tre faktorëve në këtë përpjekje: institucionet qeveritare, institucionet e ofrimit të Arsimit Profesional dhe tregut të punës, apo komunitetin e biznesit.
KOHA JONË SONDAZH

