Pandemia, Presidenti Meta i shqetësuar nga rritja e frikshme e infektimeve: Jetike, rritja e masave mbrojtëse

Rritja frikshme e numrit të të infektuarve me koronavirus në Shqipëri, ku gjatë 24 orëve të fundit është regjistruar një tjetër rekord, ku Ministria e Shëndetësisë raportoi sot se kanë rezultuar pozitivë me koronavirus 90 persona. Gjithashtu, në Spitalin Infektiv kanë ndërruar jetë edhe dy pacientë të infektuar. Një 81 vjeçar nga Shkodra dhe një 63 vjeçar nga Elbasani, të shtruar prej disa ditësh në spitalin infektiv në gjendje të rënduar, nuk kanë mundur të mbijetojnë, me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor. Situata në spitalin infektiv, sipas dhe vetë Ministrisë së Shëndetësisë paraqitet serioze, me pacientë që trajtohen në terapi intensive, por edhe pacientë të intubuar, një pjesë e tyre mosha të reja.

Nisur nga kjo panoramë e zymtë e përhapjes së pandemisë së koronavirusit në vendin tonë, ka shprehur shqetësimin e tij edhe Presidenti Ilir Meta.

Teksa referon deklaratat e përfaqësueses së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Shqipëri, Meta thekson rëndësinë e ndërgjegjësimit të qytetarëve për respektimin e udhëzimeve të bëra publike, për ruajtjen e distancave fizike dhe mbajtjes së maskave.

Reagimi i Presidentit Meta

Duke ndarë të njëjtat shqetësime me përfaqësuesen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Shqipëri, theksoj rëndësinë e ndërgjegjësimit të qytetarëve për respektimin e udhëzimeve të bëra publike, për ruajtjen e distancave fizike dhe mbajtjes së maskave.

Shtimi i rasteve të qytetarëve të prekur nga pandemia COVID-19, veçanërisht numrit të viktimave, shtron si domosdoshmëri jetike rritjen e masave mbrojtëse, frymës së bashkëpunimit dhe mbështetjes së sektorit të shëndetësisë me buxhetin e duhur, veçanërisht me afrimin e pikut të sezonit turistik.

Tepër i nevojshëm është bashkëpunimi i ngushtë me të gjitha vendet fqinje për marrjen e masave për parandalimin dhe përhapjen e mëtejshme të pandemisë, me qëllim rihapjen sa më parë të kufijve tokësorë.

Përballimi me sukses i COVID-19 duhet të jetë një objektiv madhor për të gjithë! Çdo neglizhencë në këtë prioritet ka kosto shumë të rëndë: jetën e qytetarëve tanë. ??

SHKARKO APP