Pandemia, Rama komunikon me komitetin e Shqipërisë e Turqisë: Asnjë vend nuk fiton dot i vetëm

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një komunikim online me komitetin e ekspertëve të Shqipërisë e Turqisë për situatën e COVID-19.

Rama theksoi se ky takim shërben për të bërë një vlerësim të situatës dhe sigurisht për të nxjerrë konkluzione të vlefshme mbi rrugën e bashkëpunimit të mëtejshëm në këtë fazë të historisë sonë.

“Besoj shkon më së miri fjala e Kemal Ataturkut i cili thoshte se ‘njerëzimi është një trup i vetëm dhe çdo komb është pjesë e këtij organizmi’. Mbase asnjëherë më parë në jetën tonë kjo shprehje e famshme e Ataturkut nuk ka gjetur një përputhshmëri kaq të plotë me kohën e pandemisë, një agresion mbi të gjithë njerëzimin që ka treguar se kufijtë dhe të gjitha dallimet e jetës sonë të përditshme nuk kanë asnjë vlerë. Faktikisht fjala ka ardhur tek shëndeti dhe fatet tona janë të ndërlidhura pashmangërisht të gjitha bashkë”, deklaroi Rama.

Ai theksoi më tej se nga ana tjetër jemi shumë të vetëdijshëm se kjo është një luftë që asnjë vend pavarësisht fuqisë e madhësisë së vet nuk mund ta fitojë dot i vetëm. “Përkundrazi sa më shumë të komunikojmë, të ndërveprojmë, të bashkërendojmë fuqitë dhe duke shkëmbyer eksperiencat të njehsojmë qasjen ndaj këtij armiku të padukshëm, aq më shumë rritet mundësia e fitimit të kësaj lufte duke kursyer aq jetë dhe aq plagë sa mund të kursehen”, tha kreu i qeverisë.

Sipas tij, sa më shumë strategjia të diktohet nga ekspertët aq më shumë funksionon përpjekja e qeverisë.
“Ne jemi përpjekur gjatë gjithë kësaj periudhe të mësojmë sa më shumë nga të tjerat dhe një nga vendet ku kemi ndjekur me vëmendje dhe kemi pasur mundësinë që të kemi komunikim të vazhdueshëm dhe shkëmbim të vazhdueshëm eksperiencash është dhe Turqia dhe besoj që garancia e kësaj lufte të përbashkët nuk janë politikanët, janë ekspertët dhe sa më shumë strategjia të diktohet nga opinioni i tyre aq më shumë dhe përpjekja e qeverive, shteteve funksionon”, deklaroi Rama.

SHKARKO APP