Papa: Opozita drejt radikalizimit, ja aksioni ynë politik

Flet për “Koha Jonë”, deputeti i PD, Gjergji Papa: Koalicion me LSI po, nëse aleanca është në shërbim të qytetarëve

Intervistoi: Redjon Shtylla

Humbja e opozitës në zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë e Kolonjës, e katërta radhazi, nuk e ka ulur ritmin dhe besimin tek PD-ja. Në një intervistë për “Koha Jonë”, deputeti demokrat, Gjergji Papa, vë theksin se humbja erdhi edhe pasi të gjithë ministrat socialistë dhe të gjithë drejtorët rajonalë të Qarkut të Korçës, “zbarkuan” në Kolonjë. “Në kundërshtim flagrant me Kodin Zgjedhor, mblodhën punonjësit e administratës së tyre, në prezencë të kandidatit socialist, duke ju bërë presion të hapur”. Si deputeti i PD-së në Qarkun e Korçës, Papa ka qenë pjesë e fushatës, ku edhe hedh poshtë idenë se nëse ndikoi braktisja e fushatës nga demokratët, nga mosprezenca e z.Basha dhe aleati u la i vetëm. Ai shton se: “Shtabi elektoral gjykoi dhe ndërtoi një strategji larg mitingjeve elektorale, me takime individuale dhe grupe të vogla zgjedhësish”.

Papa, ju ishit të angazhuar në zgjedhjet e pjesshme në Kolonjë. Kandidati i PAA-së i mbështetur nga opozita humbi me një diferencë të konsiderueshme. Çfarë ndodhi realisht në Kolonjë, pse humbi kandidati i djathtë? Cilat janë shkaqet dhe rrethanat e kësaj humbjeje, e katërta radhazi që nga 2013?

Pavarësisht se Kolonja është një zonë që voton tradicionalisht të majtën, kandidati i të djathtës nuk garoi me rivalin e tij të majtë, por me të gjithë qeverinë. Pothuajse të gjithë ministrat socialistë dhe të gjithë drejtorët rajonalë të Qarkut të Korçës, “zbarkuan” në Kolonjë dhe në kundërshtim flagrant me Kodin Zgjedhor, mblodhën punonjësit e administratës së tyre, në prezencë të kandidatit socialist, duke ju bërë presion të hapur për të votuar për të. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, gjithë punonjësit e Bashkisë të Korçës, lanë punën, për të cilën paguhen dhe u nisën drejt Kolonjës në ndihmë të kandidatit socialist. Çdo punonjës administrate nga Korça me origjinë nga Kolonja ose me lidhje familjare ose shoqërore prej andej, me urdhër sipas një plani dhe grafiku të detajuar, nga qeveritarët kombëtarë dhe lokalë, shkoi në Kolonjë, nga “malli” për të takuar miqtë dhe të afërmit, që ata të votonin me çdo kusht për kandidatin socialist. Mos harrojmë që Kolonja është një krahinë shumë e bukur, me njerëz të mrekullueshëm, por fatkeqësisht e varfër dhe pa shumë mundësi për të jetuar mirë. Kështu që për të mbijetuar, kolonjarët detyrohen t’i nënshtrohen presionit të pushtetit. Veç presionit të pushtetit, u konstatuan dhe raste të blerjes së votës. Më flagrante kjo u pa në zonën e Çlirimit. Nuk dua të përmend blerjen e votës për të justifikuar humbjen, por e them me bindje që PS, blerjen e votës e ka ngritur në sistem dhe e ka perfeksionuar. Është e vështirë ta dokumentosh këtë, por unë u konstatova se shumë qytetarë në vështirësi ekonomike kishin marrë lekë në këmbim të votës, emigrantë që u paguan 25 euro dhe studentë të paguar, për të ardhur dhe votuar për kandidatin e PS.

Dhe nga dalin gjithë këto para?

Janë para të nxjerra në mënyrë të pandershme nga korrupsioni qeveritar dhe nga droga.

A ndikoi braktisja e fushatës nga demokratët, nga mosprezenca e z.Basha dhe aleati u la i vetëm? Mund të merret si sinjal se edhe kjo betejë elektorale në Kolonjë nuk u mbyll pozitivisht mirë për opozitën?

Nuk është aspak e vërtetë që fushata u braktis nga demokratët dhe aleati u la vetëm. z. Basha erdhi në Kolonjë që në fillim të fushatës elektorale dhe prezantoi kandidatin e koalicionit të djathtë, bashkë me z.Duka, para qytetarëve dhe strukturave të PD-së. Ai ishte i gatshëm të vinte sa herë të kërkohej. Por shtabi elektoral gjykoi dhe ndërtoi një strategji larg mitingjeve elektorale, me takime individuale dhe grupe të vogla zgjedhësish, për t’u treguar atyre se si ishte katandisur Kolonja, e braktisur nga qeverisja e majtë prej 26 vitesh.

Ishit pjesë e fushatës e si deputet i qarkut, përtej pozicionit tuaj, keni menduar se përgjegjësia e strukturave të PD dhe e drejtuesve të fushatës për humbjen në Kolonjë, duhet pranuar dhe analizuar?

Strukturat e PD, pas çdo fushate elektorale, bëjnë analizën e punës së tyre. Edhe në këtë rast, ne do të analizojmë punën dhe rezultatet, gjithmonë për pjesën që i takon strukturave të PD-së, gjatë bashkëpunimit me partinë aleate dhe kandidatin e saj, në mënyrë që mangësitë e vërejtura të korrigjohen në zgjedhjet e ardhshme.

Fitoi PAA-ja dhe humbi PD-ja? Kreu Duka u shpreh se rezultati erdhi si një fitore për partinë e tij?

Nuk duhet ndarë PAA nga PD. Unë e vlerësoj si shumë të mirë bashkëpunimin midis të dy forcave politike aleate si në nivel qendror dhe në atë lokal.

A ndikoi “zbarkimi” i qeverisë në Kolonjë e ku PD-ja qëndroi në selinë e saj?

Pa dyshim që “zbarkimi” i qeverisë ndikoi dhe unë e shpjegova me hollësi këtë më lart. Por nuk mund të pranoj kurrsesi që PD qëndroi në selinë e saj. Deputetë dhe drejtues të PD-së kanë qenë në Kolonjë gjatë gjithë fushatës elektorale, kurse strukturat lokale të PD-së kanë qenë pjesë integrale e shtabit të fushatës.

Moskandidimi i një demokrati në një zonë që voton tradicionalisht të majtën dhe të një kandidati të propozuar prej aleatit Agron Duka, të një ish-socialisti ishte zgjedhja e duhur?

Kandidati i PAA nuk ishte një ish-socialist. Ai nuk ka pasur asnjë përgjegjësi politike në PS. Ai ishte një djalë i ri kolonjar me ambicie për ta transformuar vendlindjen e tij. Kështu funksionojnë koalicionet në zgjedhjet lokale. Partitë aleate bien dakord se kush do t’i përfaqësojë. Edhe pse zonë e majtë, PS nuk e pengoi për të kandiduar dhe fituar një ish-demokrat, ish-anëtar i Këshillit Bashkiak, përfaqësues i PD-së.

A do të shkojë opozita drejt radikalizimit, bojkot Kuvendit dhe revolta që mund të krijojnë një situatë kaotike parazgjedhore?

Protestat dhe bojkoti i Kuvendit janë opsione të mundshme për të reaguar ndaj situatës së vështirë, në të cilën ndodhet vendi ynë, ku mungesa e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, krimi, korrupsioni, droga, papunësia, varfëria dhe mjerimi janë ulur këmbëkryq. Vendimet do të merren nga strukturat drejtuese të PD-së në kohën e duhur.

A janë zgjedhjet, droga, dekriminalizimi janë 3 problemet më alarmante të vendit, siç edhe thotë Partia Demokratike?  Do vijojë PD përsëritjen e të njëjtave pretendime pas çdo humbje, si ajo në Dibër e kjo në Kolonjë apo ka një plan për 2017?

Këto nuk janë pretendime, por realitet. Për zgjedhjet sapo folëm, ligji i dekriminalizimit nuk po zbatohet dhe kriminelët janë në poste të larta shtetërore, droga ka pushtuar gjithë vendin dhe është pleksur me strukturat shtetërore dhe ato të rendit. Pavarësisht nga kjo, PD ka një plan të detajuar për 2017. Ky plan po përpunohet dhe po diskutohet në takimet intensive të kryetarit Basha me strukturat e PD dhe me qytetarët në bazë.

Besoni se një aleancë me LSI-në, do risjell PD-në në pushtet? Mbetet ende PD-ja për një qeveri teknike?

PD është e hapur për aleancë me çdo forcë politike që është në shërbim të qytetarëve dhe jo të oligarkëve, që është për zgjedhje të lira dhe të ndershme, që lufton krimin, korrupsionin, drogën dhe mjerimin. Vendimin për aleancat do ta marrin organet drejtuese të PD-së në kohën e duhur, PD jo vetëm mbetet, por qeveria teknike është e vetmja mundësi, sepse me Edi Ramën dhe qeverinë e tij as që mund të priten zgjedhje të lira dhe të ndershme vitin e ardhshëm.

SHKARKO APP