Parada e Pavarësisë, Veliaj pret Presidentin e “Albanian Roots”, Marko Kepi: Këto janë ditët më të mira të shqiptarisë

Një ditë përpara Paradës së Shqiptarëve, që do të zhvillohet për herë të parë në Tiranë, në 111-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim Presidentin e “Albanian Roots”, Marko Kepi, organizator i përvitshëm i paradës në Nju Jork, dhe anëtarë të komunitetit shqiptar nga mbarë bota, të cilët do të marrin pjesë në këtë ngjarje të madhe.

Kryebashkiaku tha se kombi shqiptar po jeton sot ditët e tij më të mira. “Jemi duke jetuar sot ditët tona më të mira. Nuk po them ditët tona perfekte sepse besoj që dita perfekte e shqiptarëve ende nuk ka mbërritur, por janë sot ditët tona më të mira. Shqipëria ka qenë 111 vite e pavarur, por sot Kosova është e lirë dhe e pavarur. Në Maqedoni e kemi Zv/kryeministrin dhe në fillim të janarit kryeministri do të jetë gjithashtu shqiptar. Në Malin e Zi e kishim më përpara Zv/kryeministër, u bë kryeministër, tashmë kemi prapë Zv/kryeministër shqiptar. Kur mendoj se sa e padrejtë ka qenë historia, sa të diskrimuar e kemi ndjerë veten, sot jemi më “nalt”. Por, çdo ditë duhet të punojmë me çuar edhe pak më lart. Besoj është një moment të reflektojmë, se kombi ynë sot po jeton ditët e veta më të mira,” u shpreh ai.

Ne jemi shumë pak për t’u ndarë dhe vetëm të bashkuar mund të ecim përpara, theksoi Veliaj. “Sot ne jemi të njëjtët autorë të progresit, siç mund të jemi edhe autorë të mungesës së bashkëpunimit. Shpresoj shumë të mbizotërojë fryma e të parëve tanë, që nga koha e Skënderbeut, se bashkimi bën fuqinë përtej dallimeve të vogla, përtej partive, përtej mbiemrit, përtej vendit të origjinës. Ne jemi shumë pak për t’u ndarë! Mesazhi që duam të japim me këto festa është se ka ardhur koha për t’u bashkuar. Shpresoj që gjenerata e re e shqiptarëve, që janë këtu sot, i kanë mësuar këto mësime. Unë besoj se këto dy ditë do të jetë një valle e bukur, edhe për ta dhënë këtë mesazh, edhe për të reflektuar se sot s’na pengon më askush,” tha Veliaj.

Marko Kepi, nga shoqata “Rrënjët shqiptare”, u shpreh i lumtur që kanë arritur t’ja dalin deri në finalizimin e një parade për 28 Nëntorin nga Nju Jorku në Tiranë. “Faleminderit për mikpritjen kryetar! Është hera e parë që një qeveri shqiptare bashkëpunon me organizatën tonë, pra për ta sjellë paradën e shqiptarëve këtu në Tiranë. Jemi shumë krenar se më në fund po zhvillohet kjo ëndërr, që kemi pasur, që ta bëjmë paradën këtu me të gjithë shqiptarët e të gjitha trojeve,” u shpreh ai.

Kepi tha gjithashtu se në këtë paradë janë ftuar që të marrin pjesë 128 bashki në trojet shqiptare dhe se për të gjitha përgatitjet për mbarëvajtjen e këtij organizimi po kryhen me Bashkinë e Tiranës.

SHKARKO APP