Parlamenti i TURPIT!
Seanca e sotme në Kuvend nuk ka asnjë fjalë tjetër për ta përshkuar përveçse fjalën: TURP! Ajo që po ndodh në Kuvend është skena më e sureale dhe më e fëlliqur e politikës shqiptare.
Jashtë seancës është mbledhur, si asnjë herë më parë, gjithë rinia e vendit. Janë studentë që nuk kanë dalë në rrugë për partitë dhe as për dhe as për ndonjë kauzë që lidhet me politikën. Janë mbledhur si asnjë herë më parë për arsimin dhe kushtet në të cilat banojnë në konvikte. Është e drejta më e ligjshme jo vetëm sipas ligjeve shqiptare, por edhe sipas ligjeve ndërkombëtare. E drejta për tu arsimuar është pjesë e të drejtave themelore të njeriut. Ky është thelbi i protestës 10 ditore dhe qeveria nuk ka asnjë rrugë tjetër veçse tu plotësojë kërkesat.
Por çfarë po ndodh sot në Kuvend. Pas fjalimit të Edi Ramës, që edhe pse shumë kush nuk bie dakord me të ishte i pranueshëm, për shkak se kryeministrit i duhet të sqarohet. Dhe Edi Rama u sqarua me studentët dhe opinionin, pa i dhënë zgjidhje problemit real. Bëri një lojë fjalësh duke thënë se i pranonte tetë kërkesat dhe vendosi edhe vet një kush-kërkesë. Tha se i firmos vetëm nëse nis dialogu. Pavarësisht se është jo normale tu vendosësh kushte atyre që kanë dalë në rrugë dhe kërkojnë arsim më të mirë, ky është qëndrimi i Edi Ramës dhe do të mbajë përgjegjësi për mënyrën sesi do të rrjedhin gjërat më pas.
Ajo që është e turpshme dhe imorale është vijimi i seancës. Pasi Edi Rama la studentët për 10 ditë në të ftohtin e acartë të dhjetorit, çfarë dreqin mund të thotë më Taulant Balla në Kuvend? Çfarë fjalimi duhet t’u thotë numri dy i PS shqiptarëve për sukseset ekonomike të Qeverisë. Kujt po i hynë në punë sot se si ka punuar qeveria? Çfarë fjalimesh mund të mbajnë sot ministrat për realizimin e reformave, kur rinia jashtë sallës u ka hedhur në kosh gjithë qeverisjen. Çfarë mund tu thotë sot shqiptarëve deputetja Klotilda Ferhati në Kuvend, që një ditë më parë ne rrjet sociale u bënte thirrje të rinjve të PS të mos mbështesin studentët. Është pedagoge dhe ish-kandidate për rektore. Ashtu si ajo në sallë janë pedagogë dhe shumë deputetë të tjerë të PS. Sot do ishte në nderin e tyre të ishin në krah të studentëve në shesh. Ata i njohin problemet e tyre më mirë sesa edhe Edi Rama. Mund të ishin në Kuvend edhe për t’i thënë Edi Ramës se e ka gabim dhe duhet të tërhiqet. Por çfarë po bëjnë? Në mënyrë të turpshme po justifikojnë qëndrimin më arrogant të qeverisë ndaj tyre dhe për më tepër po vijojnë seancën sikur jashtë sallës të mos ketë ndodhur asgjë. Kjo është më shumë se gafë dhe më shumë se imoralitet politik.
Vazhdimi i sancës së sotme ndërkohë që sheshi oshëtin nga rinia tregon sesa është shkëputur kjo mazhorancë nga problemet reale të vendit dhe jeton vetëm me fjalimet dhe propagandën e Edi Ramës.
Se në çfarë gjendje e kanë kthyer vendin, mjafton të dalin jashtë sallës së Kuvendit dhe shohin mijëra studentët që kanë dalë në rrugë. Protesta e tyre shërben për të kuptuar sesa keq po qeveriset dhe për fat të keq edhe nga cilët të papërgjegjshëm po qeverisemi.