Parlamenti zhvillon tre seanca plenare brenda një jave

Katër ditët e ardhshme do të jenë të ngjeshura për ligjvënësit. E hëna, do mbledhë deputetët të një seancë të veçantë për t’i vendosur vulën përfundimtare nismës së rreth një viti më parë të ndërmarrë me vrull e seriozitet nga mazhoranca socialiste për shkarkimin e Presidentit të Republikës Ilir Meta. Shumica qeverisëse, nuk do ta lëvizë Ilir Metën nga posti që mban prej 24 Korriku të 2017, por do të mjaftohet vetëm me një tërheqjeje veshi. Parlamenti do të votojë raportin përfundimtar të komisionit hetimor për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të Presidentit të Republikës, si për anulimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019, ashtu dhe për procedurat për emërimin të gjyqtarëve kushtetues. Raporti që është miratuar nga deputetët socialistë më herë në komisioni e posaçëm parlamentar, thekson se nuk ka arsye për të justifikuar shkarkimin e Presidentit të Republikës. Vendimi u mor pasi Komisioni i Venecias, në raportin për çështjen e zgjedhjeve bëri të qartë se nuk ekziston arsye për shkarkim të Ilir Metës, ndërkohë që në raportin e dytë për emërimet në Kushtetuese, i dha të drejtë Presidenti për vendimet e tij. Të mërkurën, më 29 Korrik, deputetët do të mblidhen sërish në seancë plenare. Projektligji kryesor që do diskutohet është amnistia fiskale. Nisma e cila është mbrojtur fort nga kryeministri Edi Rama, por që gjatë periudhës kur u diskutua është përcjellë me kritika sidomos nga FMN. Java e gjatë parlamentare parashikohet të mbyllet më 30 Korrik, kur është vendosur që deputetët të diskutojnë mbi ndryshimet kushtetuese, që kanë shkaktar një debat të fortë politik. Nisma që parashikohet të hidhet për votim e që ka kaluar më parë në Këshillin e Legjislacionit dhe Komisionin e Ligjeve, parashikon hapjen e pjesshme të listave të kandidatëve për deputetë në masën 2/3. Këto ndryshime mbështeten nga kryeministri Rama, por aspak nga opozita jashtëparlamentare, pasi argumentojnë se qëllimi i vetëm i Ramës është eliminimi i koalicioneve parazgjedhore. Opozita e Bashkuar ka prezantuar së fundmi propozimin për hapje 100% të listave e kandidatëve për deputetë, porse koalicionet parazgjedhore të mos preken dhe të ruhet formula ekzistuese e shpërndarjes së mandateve për deputetë. Për këtë propozim të fundit palët nuk kanë gjetur asnjë pikë ku mund të afrohen. Ndërkohë që kanë mbetur vetëm pak nga dita e votimit, pritet që negociatat si publike, ashtu edhe në prapaskenë të jenë të ethshme.

SHKARKO APP