Partia Republikane mbledh forumin rinor, Mediu: Duhet një revolucion për të ndërtuar shtetin europian në Shqipëri
Forumi Rinor Republikan, zhvilloi këtë të mërkurë një takim në zonën e Don Boskos në Tiranë. Në fjalën e hapjes kryetari i Forumit, Albi Jahelezi theksoi se rinia është kthyer në një faktor i rëndësishëm politik dhe elktorale në Partinë Rrpublikane. ”Ne duam një Shqipëri Europiane theksoj ai dhe angazhimin në politik e shohim si detyrim qytetar për ta bërë Shqipërinë Europiane”,-tha ai. N/Kryetari i PR dhe kryetari i degës së Tiranës, Blendi Sulaj theksoi se te rinjtë në PR-së janë pjesë e vendimmarrjes politike, garës elektorale për parlament dhe nesër e qeverisjes së djathtë. Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu pasi vlersoi organizimin e Forumit, ju drejtua të rinjëve duke u kërkuar atyre se duhet një revolucionin për të ndërtuar shtetin europian në Shqipëri, shtetin e lirisë dhe të drejtave. ”Shtetin që respekton njerëzit, një qeveri që vjen nga vota e popullit, punon për popullin dhe është me popullin”,-tha Mediu.
Fjala e plotë e Fatmir Mediut
Është shumë e rëndësishme të kuptoni vlerën tuaj në jetë. Sfida më e madhe e njeriut në jetë është sfida me vetveten, sfida për të ndryshuar veten e tij, sfida për të realizuar qëllimet e tij, dhe të ëndërrosh, të besosh dhe të luftosh, është gjëja më e bukur që njeriu mund të ketë në jetë.
Prandaj unë ju ftoj ju që të ëndërroni dhe të besoni që ajo që ne nisëm në vitet 1990, për t`a bërë Shqipërinë si gjithë Europa, mund të bëhet realitet nëpërmjet punës suaj. Por për të shkuar në zgjedhjet e 25 Prillit është e domosdoshme që gjithësecili nga ne të kuptojë vlerën e angazhimit të vet në politikë, është e domosdoshme të kuptojmë që sot, kemi përballë jo një parti politike, jo një qeveri, por një regjim të korruptuar dhe të inkriminuar, i cili në mënyrë të vazhdueshme po shkatërron jetën e qindra, mijëra familjeve shqiptare.
Si rezultat i kësaj politike, mbi gjysëm milioni shqiptarë, të rinj dhe të reja, shokë dhe shoqe tuaja, profesionistë të zotë, janë larguar nga Shqipëria, dhe padyshim ka krijuar një kosto jashtëzakonisht të madhe në jetën tonë, në familjen tonë, ka krijuar një kosto sociale, një kosto të madhe ekonomike, të ardhmen e vendit tonë, por dhe një kosto jashtëzakonisht të madhe politike. Këtë ka dashur Edi Rama, njerëz që mendojnë, njerëz që janë kundër tij, njerëz që besojnë tek vetja, të mos jenë këtu, të largohen, dhe kjo histori duhet të marrë fund. Opozita duhet të gjejë mënyrën për të bashkuar të gjithë shqiptarët kudo që janë. Prandaj mendoj që roli i rinisë është jashtëzakonisht i veçantë.
Në vitet 1990 ne u bashkuam në lëvizjen demokratike, me motivin; “T`a bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa”. Bëmë atë që mundëm ne në atë kohë, të ndryshonim sistemin, bëmë më të mirën për t`a hapur Shqipërinë karshi perëndimit, për të ndërtuar ekonominë e tregut, për t`a bërë Shqipërinë vend anëtar të NATO-s, për të liberalizuar vizat, njëkohësisht për të arritur deri tek negociatat me Bashkimin Europian.
Por ju keni në dorë një revolucion tjetër shumë të rëndësishëm, të jetës suaj, të familjeve tuaja, të Shqipërisë. Revolucionin për të ndërtuar shtetin europian në Shqipëri, shtetin e lirisë dhe të drejtave, shtetin që respekton njerëzit, një qeveri që vjen nga vota e popullit, punon për popullin dhe është me popullin.