Partia Socialiste: Bashkëpunimi me PD pa kushte

Edhe pse në zgjedhjet e 25 prillit fituan 74 mandate të mjaftueshme për të drejtuar vendin për herë të tretë, Partia Socialiste do të vazhdojë të mbajë dorën e shtrirë dhe të pakushtëzuar sa i takon bashkëpunimit me Partinë Demokratike, pavarësisht refuzimit që i ka bërë kryetari në detyrë Lulzim Basha kësaj ftese.

Kreu i grupit parlamentar i PS-së, Taulant Balla pas mbledhjes së Asamblesë, i pyetur nga gazetarët, tha se ka ardhur koha për të lënë mënjanë pakënaqësitë dhe çdokush të shndërrojë mandatin e tij në shërbim të atyre që e kanë votuar.

Balla tha se përpara kemi një shans që nuk duhet humbur, pasi më 9 shtator në kuvendin e ri duhet të diskutohen çështje të rëndësishme që kërkojnë shumicë të cilësuar, si Reforma Zgjedhore.

“Ne vazhdojmë ta mbajmë dorën e shtrirë edhe dëshirën tonë të pakushtëzuar për t’u ulur me PD sapo të fillojë legjislatura e re, pas këtyre zgjedhjeve në PD kushdo që do të jetë kryetar. Ajo që presin qytetarët prej nesh, t’i japim fund kësaj sherrnaje, po të punojmë për reformat që kërkojnë shumicë të cilësuar në parlament të cilën ne nuk e kemi. Është koha e duhur për të lënë mënjanë pakënaqësitë dhe alibitë e rezultatit elektoral, por të shohim si secili ta shndërrojë mandatin e tij në shërbim të atyre që e kanë votuar. Më 25 prill ka një pakicë që ka votuar PD dhe ata shqiptarë që e kanë votuar presin që ata t’i shërbejnë interesave të Shqipërisë sesa interesave të kryetarit të PD. Rama ka qenë i qartë që kur flasim pa kushte është një letër e bardhë ku mund të propozojnë çështjet që ata duhet të diskutojnë”.

SHKARKO APP