Pas akuzave të opozitës, Çela urdhër vartësve që të hetojnë krimet zgjedhore
Në zgjedhjet e 25 prillit, fituese doli Partia Socialiste, por opozita hedh akuza të shumta për blerje dhe deformim të votës. Nisur edhe nga kjo situatë, kryeprokurori Olsian Çela, u ka dhënë urdhër prokurorëve të hetojnë krimet zgjedhore. Në letrën dërguar prokurorive, thuhet se ata duhet të rrisin intensitetin e veprimeve procedurale për të siguruar hetime të plota dhe në afate sa më të shkurtra. Sipas kryeprokurorit të gjitha prokuroritë duhet të hetojnë me përparësi materialet për krime zgjedhore.
”Prokurorët të rrisin prioritetin dhe intensitetin e veprimet procedurale, për të siguruar: hetime të plota, gjithëpërfshirëse dhe afate sa më të shkurtra të çështjeve; ngritjen e akuzës së në gjykatë bazuar në rrethanat e faktit të provuara dhe në ligjin material penal, e procedural të zbatueshëm, përfaqësimin e akuzës/çështjes në gjykatë me pavarësi, profesionalizëm dhe integritet, duke garantuar mbrojtjen e zgjedhjeve të lirua dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve, ashtu dhe liritë personale dhe interesat e ligjshme të shtetasve. Prokurorët në kërkesat për caktimin e masave të sigurimit personal dhe për caktimin e masave të dënimit për këto grupvepra penale, të ashpërsojnë kërkimet, si për llojin e masave të sigurimit personal, ashtu edhe për llojin e masat e dënimit për veprat penale, në fushën e zgjedhjeve më të përhapura me tendencë në rritje në shkallë vendi, apo në njësitë administrative në kompetencë tokësore të gjykatës pranë të cilës ushtron funksionet prokuroria”.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 27 prill, bëri me dije se është duke vazhduar ndjekjen penale për rastet që lidhen me veprat penale në fushën e zgjedhjeve, “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” dhe “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”. Në SPAK janë depozituar 91 kallëzime për krimin zgjedhor, 55 prej tyre janë nga partitë politike, kryesisht nga PD-ja. Deri në këto momente SPAK ka regjistruar 33 hetime penale sa i përket krimeve zgjedhore dhe 29 janë për dyshime për veprën penale të korrupsionit aktiv dhe pasiv gjatë procesit zgjedhor, 2 janë për përdorim të funksioneve publike dhe një është për përdorimin e të dhënave vetjake.