Pas betejës për Alimehmetin, PD kërkon pavlefshmërinë e zgjedhjeve në Berat. Ankimon rezultatin

Selia blu pas betejës për të fituar mandatin e Ilir Alimehmetit, tashmë ka ankimuar edhe rezultatin e zgjedhjeve të 11 Majit për qarkun Berat. Në këtë qark, PD fitoi vetëm 2 mandate, kurse PS me 5 mandate. ”Në Berat, “makineria” e administratës nisi aksionin që në muajin janar, me fushatën për regjistrimin e diasporës, ku kontaktohej çdo person përfshirë edhe pensionistë që jetojnë në emigracion prej dekadash”,-thuhet në dokumentin e PD-së.

Pjesë nga ankimimi i PD-së

Në qarkun e Beratit, përdorimi i administratës publike dhe asaj shtetërore si “makineri elektorale” në favor të Partisë-Shtet ka qenë i përhapur dhe tepër intensiv, duke krijuar një mjedis tërësisht të pabarabartë, jotransparent dhe diskriminues ndaj opozitës.

Së pari, institucionet që duhet të jenë neutrale në procesin zgjedhor duke filluar nga administrata e bashkive deri te agjencitë, entet dhe ndërmarrjet publike e shtetërore – janë mobilizuar në funksion të partisë në pushtet. Për shembull, fakti që kryetari i Bashkisë së Beratit, Demo dha dorëheqjen pak ditë para afatit ligjor për të kandiduar si deputet në këto zgjedhje, e ndau atë vetëm formalisht nga funksioni dhe mbështetja e Bashkisë, pasi në praktikë e gjithë administrata e Bashkisë së Beratit ka punuar pandërprerë në favor të kryetarit të sapodorëhequr, i cili po kandidonte si deputet.

Në Berat, “makineria” e administratës nisi aksionin që në muajin janar, me fushatën për regjistrimin e diasporës, ku kontaktohej çdo person përfshirë edhe pensionistë që jetojnë në emigracion prej dekadash. Askush nuk di si janë siguruar numrat e tyre të telefonit, por është e sigurt që për muaj me radhë qytetarët e Bashkisë dhe Qarkut Berat nuk kanë marrë shërbimet e duhura nga administrata publike dhe vendore, për shkak se ethet e zgjedhjeve kishin përfshirë çdo nëpunës, i cili kishte objektiva të qarta për të garantuar një numër të caktuar personash/votuesish personalisht.

Kjo situatë fshin praktikisht ndarjen mes interesit publik dhe atij partiak, duke rrëzuar themelet e konkurrencës demokratike, pasi çdo forcë opozitare përballet me Partinë-Shtet. Aty ku Partia-Shtet vë në lëvizje të gjithë mekanizmat e saj, nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Farsa elektorale që duhet denoncuar është pikërisht kjo: Opozita nuk hyn në garë me një fushatë të lirë dhe të ndershme, por përballet me një kundërshtar që zotëron të gjitha resurset shtetërore e publike, si dhe mund të angazhojë resurse private pa kufi, sa herë që i nevojitet. Ndërkohë që partia në pushtet ka në dispozicion buxhetin e shtetit, buxhetet e gati 90% të bashkive në rang vendi, një administratë të fryrë në mënyrë të jashtëzakonshme, si dhe strukturat policore apo gjyqësore si instrumente trysnie, subjektet opozitare operojnë me fonde të kufizuara dhe pa akses.

Edhe në media, aksesi i opozitës është mjaft i kufizuar. Kësaj i shtohen censura, autocensura dhe mbyllja e rrjeteve sociale si TikTok. Raporti i OSBE-ODIHR është tepër kritik ndaj kontrollit, censurës dhe autocensurës së medias. Kjo krijon një disproporcion të theksuar në kapacitete, dukshmëri dhe aftësi mobilizuese të opozitës. Në këtë kontekst, zgjedhjet në Shqipëri nuk funksionojnë më si një mekanizëm përfaqësues i demokracisë, por si një farsë elektorale, ku rezultati parapërcaktohet nga instrumentet e shtetit dhe të pushtetit, i cili, herë pas here, mbështetet edhe te grupet kriminale.

 

 

 

SHKARKO APP