Duka shtynë zgjedhjet në Tiranë pas akuzave të Erion Veliajt
Pas lajmit se Bashkia e Tiranës, në cilësinë e aksionerit të Klubit të Futbollit, do të kërkojë të hënën një hetim kombëtar dhe ndërkombëtar të Armando Dukës në Federatën Shqiptare të Futbollit, ky i fundit ka vendosur që të shtyjë zgjedhjet në kryeqytet.
Menjehere pas daljes se lajmit se do te hetohet nderkombetarisht per abuzimet 20 vjecare ne FSHF, Armando Duka ka detyruar stafin e tij të ndryshojë afatet për zgjedhjet në Tiranë.
“Ju njoftojmë se orari i Asamblesë së Përgjithshme të SHRFT do të zhvendoset nga ora 11.00 në orën 15.00”, thuhet në njoftim.
Burime nga Bashkia e Tiranës konfirmojnë se, prej dy javësh, një skuadër juristësh shqiptarë, amerikanë dhe britanikë po asistojnë aksionerin e Tiranës në një dosje voluminoze shkeljesh, për t’ia prezantuar FBI, DEA, NCA, Scotland Yard, SPAK, Prokurorisë së Tiranës, Krimit Ekonomik, Agjencisë së Pastrimit të Parave, AMA, Hetimit Tatimor, AKU, si dhe ambasadave Amerikane e Britanike në Tiranë.
Çështjet e shitjeve ndërkombëtare të ndeshjeve dhe basteve të paracaktuara do t’i paraqiten oficerëve rajonalë të FBI. Kujtojmë se agjentët amerikanë çuan në rrëzimin e Blatter e Platini – miqtë “e pathyeshëm të Dukës”, që mbyllën me dënime penale karrierat e tyre!
Ndërkohë, me shkresën me nr. 23859 prot. më datë 26.11.2021, është referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqesor Tiranë materiali procedurial për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i k. Penal në ngarkim të drejtuesve e punonjësve të Federatës Shqiptare të Futbollit. Në lidhje me këtë çështje është dërguar material shtesë me shkresën 23859/k/1, prot më datë 03.12.2021. Gjithashtu, me shkresën 23859/k/2 prot. më datë 16.12. 2021, është dërguar sërish material shtesë. Burime të prokurorisë së Tiranës konfirmojnë se çështjes do t’i shtohen dhe dy prokurorë të tjerë për të përshpejtuar hetimin.
Bashkia e Tiranës, si aksioner i FK Tiranës, do t’i përcjellë dosjen e plotë edhe Ambasadave Amerikane e Britanike në Shqipëri.
Beteja Veliaj-Duka pritet të ashpërsohet javën që vjen me zgjedhjet për Shoqatën e Tiranës, ku Duka kërkon mandatin e 6-të pas 20 vitesh në krye të FSHF që nga viti 2002.