Pas sulmit të Gjermanisë, KE i kthehet Ramës: Duhet ruajtur marrëveshja e 5 qershorit për Reformën Zgjedhore
Zëdhënësja e Komisionit Europian, Ana Pisonero, postoi një mesazh online, duke kërkuar që të ruhet marrëveshja e 5 qershorit.
Sipas saj, kjo marrëveshje është kusht i vendosur nga BE.
Pisonero thekson se çdo ndryshim shtesë, nuk duhet të rrezikojë qëllimin parësor.
“Është thelbësore që marrëveshja e 5 qershorit për reformën zgjedhore në Shqipëri të ruhet, duke pasur parasysh domosdoshmërinë për të përmbushur rekomandimet e OSBE/ODIHR, një kusht i vendosur nga Këshilli marsin e kaluar përpara Konferencës Ndërqeveritare. Çdo ndryshim ligjor shtesë nuk duhte të rrezikojë këtë qëllim parësor”, shkruan ajo.
Pas mesazhit të qartë të Zëvendëskryetarit të Grupit të CDU-CSU në Bundestag Johann David Wadephul se reforma zgjedhore duhet të miratohet nga Parlamenti pa ndryshime, ashtu siç përcaktohet në marrëveshjen e 14 janarit 2020, vjen një reagim i ashpër nga kryeministri Edi Rama, i cili mesa duket ka vendosur të mos dëgjojë asnjë zë kundër tij që vjen nga ndërkombëtarët për nismën e tij për të ndryshuar i vetëm Kushtetutën dhe duke grisur marrëveshjen e politike të 5 qershorit për reformën zgjedhore. Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur ashpër numrit 2 të grupit të CDU-CSU në Bundestagun gjerman, Johann Wadephul, i cili kërkoi që të mos preket marrëveshja e 5 qershorit për Reformën Zgjedhore dhe mazhoranca të tërhiqet nga ndryshimet kushtetuese. I pyetur nga gazetarët nëse e shqetësojnë reagimet e ndërkombëtarëve për të mos e prekur këtë marrëveshje, Rama tha se deklarimi i Wadephul ishte zhgënjyes në planin etik, i nxituar në planin institucional dhe i zhbalancuar në planin politik.
“Nuk jam në dijeni të deklarimit të ministrit gjerman, do ta shoh, por përgjigja ime është se Gjermania është një pikë referimi e mbarë botës, por natyrisht edhe e jona, për gjithçka mishëron si një shtet shembullor për funksionimin e demokracisë, por edhe si një lokomotivë e pazëvendësueshme, që tërheq me shembullin e saj Evropën. Deklarimi i djeshëm i Wadephul ishte zhgënjyes në planin etik, i nxituar në planin institucional dhe i zhbalancuar në planin politik. Ai është një mik shumë i mirë i Bashës dhe mik i mirë i imi. Unë e çmoj shumë përkushtimin e tij për të ndihmuar në lehtësimin e marrëdhënieve politike në Shqipëri. Çmoj shumë edhe faktin që ai është një evropian i vendosur dhe i palëkundur për Ballkanin Perëndimor. Ai e çmon shumë marrëveshjen e 5 qershorit, por deklarimi i djeshëm nënçmon Parlamentin e Shqipërisë, si të ishte një noter pa të drejtë fjale i një marrëveshjeje, që patjetër duhet zbatuar. Por, ajo marrëveshje nuk mund të jetë kusht për të ndaluar Parlamentin të shkojë përtej saj. Ky është nxitimi në planin institucional. Në planin etik ishte zhgënjyes, sepse duhet të flitet me fakte të verifikuara, jo me të dëgjuar. Ai nuk e ka sajuar, por e ka dëgjuar që nisma kushtetuese ndalon koalicionet. Kjo është thjesht e pavërtetë, koalicionet as nuk do të ndalohen dhe as mund të ndalohen. Ato thjesht duhet të jenë si në çdo vend të Evropës. Partitë kanë lirinë dhe të drejtën të grupohen dhe të paraqiten me kandidatët e tyre, siç bën CDU e Wadephul. As nuk na ka shkuar nëpër mend t’i ndalojmë. Në planin politik deklarimi është shumë i zhbalancuar, sepse mban krahun e opozitës jashtëparlamentare. Në deklarimin e djeshëm flitet deri edhe për vënien në pikëpyetje për perspektivën evropiane të Shqipërisë, ndërkohë që Bundestagu nuk i ka vënë kusht Shqipërisë të gëzojë Lulzim Bashës, apo të marrë pëlqimin e tij për nisma, që Parlamenti ndërmerr. Shqipëria nuk duhet të gjykohet mbi bazën e anësive politike apo mbi bazën e fjalëve, por duhet të gjykohet dhe jam i bindur se kështu do të gjykohet, kur mjegulla të shpërndahet, mbi bazën e fakteve”, deklaroi dje kryeministri Edi Rama.