Pas takimit me Presidentin, Basha: Shumica e shqiptarëve duan zgjedhje sot

Kreu i PD-së, Lulzim Basha pas takimit me Presidentin Ilir Meta, në një prononcim të shkurtër për gazetarët, tha se shumica e shqiptarëve duan zgjedhje sot.

Shumica absolute e shqiptarëve kërkojnë zgjedhje sot, jo nesër. Ata duan zgjidhje sepse janë të lodhur nga propaganda, nga dështimet dhe mashtrimet.  Qytetarët kanë nevojë urgjente për punë. Biznesi ka nevojë urgjente për mbështetje.  Mjekët, infermierët kanë nevojë për rritje pagash, për kushte dinjitoze për t’u përballur me kolapsin e sistemit shëndetësor i cili është bërë edhe më i dukshëm prej pandemisë.  Fermerët kanë nevojë për subvencione, kanë nevojë për treg shitje.   Të rinjtë kanë nevojë për mundësi për arsimim dhe punësim që të qëndrojnë, dhe të jetojnë e të ndërtojnë jetën e tyre këtu në Shqipëri. Pensionistët kanë nevojë për rritje reale, jo elektorale të pensioneve. Pra, shumica absolute e shqiptarëve kërkojnë zgjedhje dhe zgjidhje sot, jo nesër. Për ne e rëndësishme është që procesi të jetë i lirë dhe i ndershëm”,- deklaroi kreu i PD-së, Lulzim Basha.

Në deklaratën e Bashës nuk munguan dhe mesazhet për fundin e Rilindjes. “Dhe për ta mbyllur me fjalët e Nënë Terezës meqë nesër ka edhe ditën e Shenjtërimit, E djeshmja ka shkuar. E nesërmja nuk ka ardhur akoma. Prandaj le të fillojmë të punojmë menjëherë për të sotmen dhe për të nesërmen, duke filluar sot të punojmë për ndryshimin”,- tha kreu i PD-së

Më herët Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti në takim kryeministrin Edi Rama. “Ne jemi gati për çdo datë” ka thënë Edi Rama, por ka kërkuar evitimin e datës 2 Maj pasi janë Pashkët Ortodokse.

Ndërkohë Meta ka transmetuar takimin me Ramën live në Facebook ku në fund e ka ftuar nëse dëshironte të pinte kafe apo çaj. “Ju thërrita për të zhvilluar konsultimet për datën e zgjedhjeve brenda afatit që krijon kushtetuta me qëllim që të kemi një proces sa më gjithëpërfshirës dhe për të respektuar çdo ndjeshmëri. Në këtë drejtim do të isha i interesuar të dëgjoja dhe opinion tuaj si përfaqësues të PS dhe mazhorancës”, tha Presidenti Meta.

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, në përfundim të takimit me presidentin Ilir Meta në vijim të konsultimeve për datën e zgjedhjeve, dha një prononcim për mediat. Ajo deklaroi se zgjedhjet duhej të ishin zhvilluar dy vite më parë, duke iu referuar pretendimeve të opozitës për manipulimin e procesit elektoral të qershorit 2017. “Sot ishte një nga vizitat e mia të rralla në Presidencë. Kryesia e LSI vendosi që të isha unë në takim. Zgjedhjet duhet të ishin bërë, nuk mendoj se çështja është te data. Për LSI zgjedhjet duhet të ishin bërë dy vite më parë. Sa më shpejt zgjedhjet, aq më mirë për vendin dhe për shqiptarët”, u shpreh Kryemadhi. “Do jemi në çdo proces zgjedhor që garanton qeverisjen europiane”, theksoi kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi.

Në foto: Takimet e Presidentit Ilir Meta me krerët e partive politike për datën e zgjedhjeve

SHKARKO APP