Paskal Milo: Rama-Basha, komplot për të zhdukur demokracinë

Flet për “Koha Jonë”, kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo: Jemi drejt vendosjes së një regjimi autoritarist PS-PD

Intervistoi: Redjon Shtylla

Kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo në një intervistë për “Koha Jonë” komenton marrëveshjen e arritur mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës. Kreu i PDS-së thotë se, “përveç çështjesh së Vetingut, kjo marrëveshje është një komplot për të zhdukur pluralizmin politik demokratik në Shqipëri”. Sipas tij, në këtë pakt ka interesa dhe pazare që kanë shkuar dhe përtej rekomandimeve të ndërkombëtarëve. “Shkuan përtej rekomandimeve që u kanë dhënë ndërkombëtarët dhe duhej të gatuhej “çorba e radhës”, në mënyrë që kjo Shqipëri dhe ky vendi ynë, të mos e marrë veten kurrë, gjë që do të ishte një shërbim i çmuar për armiqtë e Shqipërisë dhe për ata që nuk i duan të mirën asaj”,- thotë Paskal Milo.

z.Milo, marrëveshja Rama-Basha nga PS dhe PD cilësohet si një pakt për garantimin e zgjedhjeve të lira. Ndërkohë që, shumë personalitete të politikës dhe shoqërisë shqiptare e cilësojnë një pazar. Çfarë është për ju kjo marrëveshje?

Kjo marrëveshje, përjashto çështjen e Vetingut, është një komplot për të zhdukur pluralizmin politik demokratik në Shqipëri. Është një zgjatim i përkryer i një marrëveshje tjetër anti-demokratike e prillit të vitit 2008; është një mundësi tipike totalitariste e dy liderëve të dy partive të mëdha, të vjetra shqiptare dhe përgjegjëse për këtë tranzicion kapitullues shqiptar dhe një synim i tyre jo i fshehur për të vendosur autoritarizëm dypalësh, politik në Shqipëri.

Përveç disa faqeve letër A4, nuk ka asnjë detaj të asaj çfarë vendosi Rama dhe Basha. A kemi të bëjmë me një pakt që shtrihet përtej zgjedhjeve? Pra, që të bashkëqeverisin të dy?

Ajo çfarë është thënë deri më tani për atë marrëveshje të fshehtë dhe të bërë në errësirën e natës, është vetëm maja e ajsbergut. Nuk ka rëndësi nëse bëhet qeveri e përbashkët PD-PS, sesa ka rëndësi që zhduket pluralizmi politik dhe hapet rruga e vendosjes së regjimeve autoritariste dhe të pakontrollueshme në Shqipëri. Sa më shumë përpjekje që të bëhen në këtë drejtim, qoftë edhe për të ndarë edhe dy partitë e mëdha, së bashku, tortën e pushtetit, aq më shpejt do të vijë edhe diskreditimi i tyre që për hir të pushtetit, harrojnë lumenjtë e akuzave, të shpifjeve, të poshtërsive, të vrasjeve, të vjedhjeve, të kanabizimeve e të të gjitha atyre fenomeneve negative, që këto dy parti i kanë sjellë Shqipërisë dhe për të cilat janë ato dhe vetëm ato përgjegjëse.

Në një marrëveshje jo gjithmonë të dy palët fitojnë. Sipas jush, kush fitoi dhe kush humbi?

Të dy palët janë përpjekur, si z.Berisha të respektojnë parimin “Win Win”, ku ata fitojnë të dy, thuajse në mënyrë të barabartë, por në ndërgjegjen e gjithsecilit prej tyre, ka një skenë tjetër për t’ia hedhur njëri-tjetrit, për t’u vënë shkelmin në fyt njëri-tjetrit dhe kjo jo vetëm që është manifestuar në historinë e marrëdhënieve midis tyre deri më tani, por do të shohim më tej edhe në variantin më të lumtur të bashkëqeverisjes së tyre, nëse ndodh, ata përsëri do të kacafyten.

Ish-Presidenti Bamir Topi deklaroi pak ditë më parë se Ramën dhe Bashën i bëri bashkë një hall i madh. Çfarë halli mund të kenë dy kryetarë partish që pasi bëjnë luftë me njëri-tjetrin, befas kthehen në aleatë?

Dikush i detyroi, i “kapi për veshësh” dhe i uli sepse ata me formimin dhe me politikat e ndjekura deri tani, ishin gati që t’i vinin zjarrin Shqipërisë. Por, partnerët ndërkombëtarë dhe në mënyrë të veçantë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët kanë qenë dhe mbeten më të respektuarit nga shqiptarët dhe më të dedikuarit për Shqipërinë, i ulën dhe i dhanë ultimatumin për të cilin janë njohur shqiptarët në thelbin e tij. Por të dy liderët, e dy partive të mëdha, përgjegjëse të katrahurës shqiptare, shkuan përtej rekomandimeve që u kanë dhënë ndërkombëtarët dhe duhet të gatuhej “çorba e radhës”, në mënyrë që kjo Shqipëri dhe ky vend ynë, të mos e marrë veten kurrë, gjë që, do ishte një shërbim i çmuar për armiqtë e Shqipërisë dhe për ata që nuk i duan të mirën asaj.

Ideja e një qeverie PS-PD nuk është më çudi pas futjes së ministrave teknikë në qeverinë “Rama”. Çfarë kostoje mund të ketë një qeveri me bazë të gjerë për vendin?

Ministrat teknikë janë pjesë e një qeverie fantazmë, nuk kam asnjë gjë për personat, që janë emëruar në këto poste, por mënyra se si u emëruan, për statusin që kanë dhe për pamundësinë për të vepruar si ministra, ata nuk janë veç se instrumente të shfaqjes për publikun, ndërsa në thelb janë veç aktorë të dorës së dytë dhe të tretë, që nuk kanë ndikim, as në jetën politike të vendit as edhe në qarqet afër Partisë Demokratike.

Edi Rama pretendon se në këto zgjedhje do të marrë 71 mandate. Si një njohës i mirë i së majtës dhe ish-aleat historik i PS-së, sa shanse ka që Rama të arrijë këtë objektiv?

Unë vazhdoj për shkak të kontributeve të mija në të majtën shqiptare, që të jem një socialdemokrat i devotshëm europian dhe si i tillë, iu kam qëndruar besnik pikëpamjeve dhe koncepteve edhe këtu në Shqipëri. Mua nuk më ndan asnjë nga socialistët e thjeshtë, më ndajnë shumë gjëra nga rilindësit. Fatkeqësisht, unë po shoh që tendencat për ta qeverisur Shqipërinë me dorën e fortë të autoritarizmit, ka fituar terren në personin e Edi Ramës. Fakti që ai këmbëngul, që të kapë me çdo kusht 71 mandate, është dëshmia më e qartë dhe më e mirë që ai do të përdorë të gjitha makinacionet, të gjitha instrumentet, të hapura apo të fshehta, për t’ia arritur qëllimit. Veçse unë kam intuitën të mbështetur në analizë të shëndetshme edhe me fakte që ai do të dështojë në ëndrrën e tij autoritariste. Sigurisht që, mund të gjenden numra dhe mercenarë nga partitë e tjetra që mund të blihen, për të bërë 71 mandate në Kuvend dhe ky është një nga skenarët që ekziston në kokën e Edi Ramës. Sa do të bëhet, unë nuk e besoj, por do të shohim.

Ju keni nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me LSI-në. Cili do të jetë roli i LSI-së dhe PDS-së pas zgjedhjeve?

Përfitoj nga rasti që më jepet nga kjo intervistë e juaja, që të sqaroj edhe njëherë tjetër lexuesit e gazetës suaj edhe më gjerë, se marrëveshja e PDS-së me LSI-në, është një marrëveshje parimore e mbështetur në natyrën që kanë të dy partitë. Si të qendrës së majtë, që kanë vlera socialdemokrate të provuara, që kanë një histori korrekte marrëdhëniesh midis tyre, por që kanë veçanërisht në këto zgjedhje, çfarë të mbrojnë dhe nga kush të mbrojnë, vlerat e demokracisë në Shqipëri. Thelbi i marrëveshjes nuk drejtohet kundër asnjë partie, cilado qoftë ajo, e madhe apo e vogël. Kjo marrëveshje, është një marrëveshje xhentëlmenësh, një marrëveshje që Demokracia Sociale e kërkoi për të mbrojtur veten e saj, nga hajdutët e tavolinave në grupet e numërimit të votave në fund të procesit zgjedhor. Gjithashtu, është një marrëveshje që nuk cenon integritetin e Partisë Demokracia Sociale, nuk cenon votat që do të jenë të sajat, me siglën e saj. Gjithashtu në marrëveshje, ka një pikë tjetër, parasheh bashkëpunim post-zgjedhor në qeverisjen e ardhshme të vendit. Nuk ka pse të kihet frikë nga kjo marrëveshje, nuk ka pse të anatemohet nga qarqet e rilindjes kjo marrëveshje, nuk është e drejtuar kundër tyre, por sigurisht që PDS-ja nuk bëhet një parti mercenare që të mund të ndjekë nga pas, pa dinjitet, pa respekt reciprok, një parti që nuk ka qenë asnjëherë korrekte me marrëveshjet që ajo ka pasur me të. E madhe apo e vogël, PDS-ja është në të drejtën e saj, socialistët nuk i kundërshton as si armiq, as si rivalë, por thjesht jemi në një fushatë elektorale, ku për shkak të mosrespektimit të Kodit Zgjedhor, për shkak të paravendimit të qëllimshëm të PS-së, nuk u krijuan koalicione. Çfarë përgjegjësie ka PDS-ja kur të tjerët shkelin ligjin dhe ajo duhet të paguajë haraçin. Kuptohet se ku është e vërteta, prandaj ne, gjatë gjithë fushatës që tashmë ka filluar, jemi duke punuar në mënyrë intensive, që të qartësojmë elektoratin, të shpjegojmë arsyet pse erdhëm në ketë situatë dhe jemi të vendosur t’i shkojmë luftës politike dhe elektorale deri në fund.

Nëse mund të bëni një parashikim, kush do të jetë Kryeministër pas 25 qershorit?

Dua t’u bëj një thirrje shqiptarëve të ndershëm, të thjeshtë, që të reflektojnë thellë dhe seriozisht, që të mos i votojnë këto dy parti të vjetra, me të cilën historia 25-vjeçare e demokracisë në Shqipëri, ka qenë kaq shumë e vuajtur, që ka prodhuar kaq shumë kriza. Për herë të parë shqiptarët kanë në dorë për të bërë ndryshimin dhe ndryshimi do guxim, do reflektim të madh. Shqiptarët kanë në dorë që t’i ndëshkojnë këto dy parti dhe të hapin një kapitull të ri politik, të sigurt, të garantuar për të ardhmen demokratike dhe europiane të Shqipërisë. Secili do të jetë Kryeministër i ardhshëm i Shqipërisë, sigurisht që kjo do të varet nga përfundimi i zgjedhjeve, nga rezultati që do marrë çdo parti, por e nënvizoj fort, edhe nga kombinacionet politike që do të bëhen menjëherë pas zgjedhjeve, mbështetur jo vetëm në numra, por edhe në interesa. Kur flas për interesa, nuk flas për kombëtare, por për interesa meskine, të fshehta, siç ka ndodhur gjithmonë, në të gjitha kompozimet qeverisëse në Shqipërinë e tranzicionit të vështirë post-komunist.

SHKARKO APP