Pastrimi i parave të pista/ Ku bllofon kryeministri?
Pas skandalit të përgjimeve të Ndraghetës italiane që kërkonte të ndërtonte tre kulla në qendër të tiranës duke rritur ndyshimet se industria e ndërtimit në Shqipëri shërben për pastrimin e parave të pista kryeministri Rama është përpjekur të bëjë alibinë e kësaj teze. Gjatë një konference shtypi në selinë e kryeministrisë Rama e relativizoi problemin e pastrimit të parave duke thënë se nuk ekziston asnjë vend në glob që nuk ndeshet me këtë lloj kriminaliteti, këmbënguli se në Shqipëri ka filtra të fortë kontrolli për emigrantët që dërgojnë para dhe për ata që blejnë apartamente dhe së fundi tha se qeveria shqiptare është e gatshme të financojë këdo që do të investigojë në këtë drejtim: “Bëni një hetim se do jetë shumë i mirëseardhur hetimi se do na ndihmojë dhe ne” tha ai gjatë konferencës për shtyp.
Por në fakt hetimet e studimet janë bërë dhe ato konfirmojnë krejt të kundërtën e atyre që thotë Rama.
Sipas një raporti të gushtit 2020, “Flukset financiare të paligjshme në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut”, nga “Nisma Globale kundër Krimit të Organizuar Ndërkufitar” (Global Initiative against Transnational Organized Crime) dhe i financuar nga projekti gjerman GIZ dhe Ministria e Jashtme Norvegjeze rezultatet janë shumë negative. Aty theksohet se “Rreth 60% e firmave të ndërtimit që kanë marrë leje në periudhën 2017-2019 në kryeqytet nuk justifikojnë burimet e tyre financiare, ndërsa vlerësohet se për këtë periudhë 3 vjeçare janë pastruar në ndërtim rreth 1.6 miliardë euro”.
Por ky nuk është raporti i vetëm që kundërshton versionin e qeverisë shqiptare.
Task Forca Financiare (FATF) e MONEYVAL, që është një mekanizëm i përhershëm i Këshillit të Europës theksonte në shkurt 2020 se ne jemi i vetmi vend europian që hyjmë në “zonën gri” për pastrimin e parave duke u renditur përkrah shteteve të botës së tretë.
Edhe agjencia Reuters në momentin kur nuk u hapen negociatat nga BE në korrik 2019 shkruante se një nga shkaqet që u ndëshkua Shqipëria, qe se ajo perceptohej si një nga vendet më të korruptuara të Evropës që nuk ka arritur të luftojë pastrimin e parave, prandaj përballet me rezistencë më të fortë nga shtetet e Evropës veriore.
Nisur nga këto parametra tejet shqetësues për një vend Fondi Monetar Ndërkombëtar kritikoi haptazi planet e kryeministrit Edi Rama për amnisti fiskale në korrik të vitit që shkoi.
“Ne përsërisim këshillën tonë kundër një amnistie fiskale për shkak se ajo mund të minojë nënshtrimin ndaj taksave. Para se të ndërmerret një hap i tillë duhet të ketë sisteme efikase për të dalluar evazionin fiskal dhe për të parandaluar mundësitë për pastrim parash dhe korrupsion”, tha FMN në deklaratë.
Pra janë arbitra të barazlarguar nga beteja e këtushme politike që e hedhin poshtë relativizimin që u mundua ti bëjë Rama kësaj çështjeje duke thënë: “A ka pastrim parash? Ku nuk ka? Dini ndonjë vend që nuk ka? Të gjitha vendet luftojnë mecparatë e pista. Dhe në Shqipëri rregullat e vendosura janë jashtëzakonisht të shtrënguara në raport me shumë vende të tjera. Dhe ky është një problem që unë e kam dhe e diskutojcvazhdimisht me institucionet përkatëse”.
Po ashtu edhe argumenti për filtrat e fortë që u qenkan vënë kompanive të ndërtimit nuk qëndron, për sa kohë studimet tregojë se mbi 60% e ndërtimeve në Tiranë ngrihen me para të pista.
Burimi: Lapsi.al