Patozi: Herësi vdiq, por mbreti mund të ngjallet. Një tjetër pazar i pistë po shkëlqen në horizont

Gjykata Kushtetuese ka publikuar vendimin e arsyetuar për herësin. Gjykata thotë se në përcaktimin e herësit nuk duhet të vendosen kufizime në një masë më të madhe sesa është e nevojshme për të arritur objektivat, në respektim të së drejtës për të zgjedhur dhe parimit të barazisë së votës. Ish-deputeti Astrit Patozi thotë se ky është një lajm i mirë, por ai akuzon se një tjetër pazar i pistë mes PS-PD për të ruajtur statuskuonë politike po shkëlqen në horizont. ”Në çdo rast do të marrin një kosto të lartë, pikërisht atë që meritojnë, ndaj edhe ky është një vendim, që duhet mbajtur mend dhe duhet përshëndetur. Mbi të gjitha, edhe sepse nuk është vetëm kjo ngjarje që po konsumohet në ambjentin tonë politik dhe institucional gjatë kësaj vere tmerrësisht të nxehtë, ndaj ia vlen të shpresojmë”,shkruan Patozi në facebook.

Postimi i plotë

Tani që vendimi i Gjykatës Kushtetuese u zbardh, nuk ka më asnjë dyshim se herësi i Damianit është përmbysur dhe ky është një lajm i mirë për Shqipërinë. Tani mund të qetësohen edhe ata, që pritën me gjak të ngrirë, se mos u përmbysej bota, në rast se korrigjimet në Kodin Zgjedhor do të aplikoheshin që me këto zgjedhje. Natyrisht, edhe kryetarët që i hartuan të mbyllura listat e deputetëve.

Tek e fundit në këtë vend do të votohet prapë, ndoshta shumë shpejt, dhe ky nuk është një shërbim i vogël. Sigurisht, në rast se ustallarët e deformimeve të mëdha në Shqipëri nuk do të ulen sërish, për ta kthyer gjithçka nga e para.

Dhe shenjat i kanë dhënë. Sidomos ata të palës humbëse, të cilët që tani kanë shprehur gatishmërinë për një reformë të re zgjedhore, duke filluar nga shtatori, që do të thotë marrëveshje me autorët e masakrës elektorale të 25 prillit. Personalisht, nuk do të çuditesha aspak, edhe pse e di që Lulzim Bashës i mblidhen shumë halle bashkë në shtator dhe i duhet të zgjedhë më pak të rëndat midis tyre.

Por prapëseprapë nuk ka për të qenë njësoj, edhe pse një tjetër pazar i pistë i tyre për të ruajtur statuskuonë politike, po shkëlqen në horizont. Sepse në çdo rast do të marrin një kosto të lartë, pikërisht atë që meritojnë, ndaj edhe ky është një vendim, që duhet mbajtur mend dhe duhet përshëndetur.

Mbi të gjitha, edhe sepse nuk është vetëm kjo ngjarje që po konsumohet në ambjentin tonë politik dhe institucional gjatë kësaj vere tmerrësisht të nxehtë, ndaj ia vlen të shpresojmë.

SHKARKO APP