PD akuza Qeverisë: Inxhinieri i pyjeve u vetëvra pasi e pushuan nga puna

“Një inxhinier pyjesh nga Mati, baba i dy fëmijëve, bashkëshorti i një gruaje të papunë, është vetëvrarë sot pasi e larguan nga puna pa motiv, nga puna ku shërbente prej vitit 1995.

Sami Hani kishte mbaruar shkollën pyjore dhe e ushtronte detyrën me të cilën mbante familjen prej 19 vitesh.

Inxhinieri pyjor po kalonte një periudhë mjaft të vështirë ekonomike pas largimit nga puna, dhe familjarët tregojnë se pavarësisht gjendjes së rëndë ku gjendej me gruan pa punë dhe njërin nga djemtë me sëmundje të rëndë, sërish qeveritarët lokalë, e hodhën në rrugë”, deklaroi Hoxha.

“Oligarkët e vegjël në rrethe i ngjajnë shefave të tyre dhe janë njësoj të pandjeshëm, arrogantë, të pashpirt. Për këtë, ata kanë licencën për të hedhur këdo në rrugë, pavarësisht përvojës, profesionalizmit, apo kushteve ekonomike.

Edhe më e rëndë bëhet ngjarja, kur inxhinieri profesionist zëvendësohet me një militant të pashkollë. Kjo qeveri ka larguar pa motiv mbi 6 mijë punonjës nga puna.

Kjo qeveri ka detyruar shumë punonjës, burra e gra kryefamiljarë, të shkojnë drejt aktit ekstrem të vetëflijimit, prej arrogancës e trajtimit armiqësor”, u shpreh deputeti i PD-së.

“Partia Demokratike e dënon këtë akt të rëndë të largimit pa motiv nga puna, dhe bën direkt përgjegjës oligarkët Rama-Meta për jetët e humbura nga politika e tyre çnjerëzore”, tha Hoxha.

SHKARKO APP