PD: BB vlerësoi reformat, por asnjëra prej tyre nuk është bërë nga Rama

Në një deklaratë për media deputetja e PD-së Jorida Tabaku u shpreh se Banka Botërore vlerësoi reformat por asnjëra prej tyre nuk është bërë nga kryeministri Edi Rama.

“Edi Rama është i dëshpëruar të gjejë qoftë dhe një notë kaluese për qeverisjen e tij, ndaj dhe gabon lehtësisht kur komenton raportin e fundit të Bankës Botërore për Shqipërinë. Banka botërore ka vlerësuar Shqipërinë nisur nga reforma që janë bërë përpara se Edi Rama të vinte në pushtet”- u shpreh Tabaku.

Më tej ajo theksoi se tre janë fushat kryesore ku është bazuar ky vlerësim, marrja e një leje ndërtimi, pagesa e taksave dhe regjistrimi i pronës. “E bëri qeverisja e mëparshme Ligjin e ri të planifikimit Urban, unifikimin në një leje Zhvillimi të Lejes së Sheshit dhe lejes së ndërtimit, apo Edi Rama, i cili me praktikat e tij si kryebashkiak e kishte lënë Shqipërinë në fundin e listës së Bankës Botërore për më shumë se një dekadë. Kush e bëri uljen e numrit të ditëve për marrjen e një lejeje në 45 ditë në bashkine e Tiranës duke eleminuar procedurat burokratike, drejtuesit e sotëm të Bashkisë, apo Edi Rama?

Kush e bëri eleminimin e cdo dokumenti të tepërt dhe reduktimin e lsites së dokumenteve të kerkuara, që e vlerëson sot Banka Botërore, Bashkia aktuale, apo Edi Rama?

Po platformën online të hipotekës që bën të mundur marrjen e informacionit për pronesinë në kohë rekord, kush e bëri administrata e mëparshme apo Edi Rama? A përmend raporti në mënyrë specifike one-stop-shop dhe aktet nënligjore të periudhës 2012.

Eleminimin e kostove dhe pagesave nga bashkia për cdo shërbim, mos e ka bërë vallë Edi Rama, apo drejtuesit e sotëm të Bashkisë? Po lehtësimin e biznesit me e-taxation, pra pagimin e taksave përmes rrugës elektronike, mos e ka bërë Edi Rama. Jo, qeveria e mëparshme. Banka Botërore e vlerëson tatim-fitimin për kompanitë prej 10 perqind, ndërkohë që prej Janarit qeveria e ka rritur atë me 50 perqind, duke e cuar në 15%”- vlerësoi Tabaku.

Sipas deputetes së PD-së asgjë nga këto që vlerëson Banka Botërore nuk ka bërë Edi Rama. Kjo është e vërteta.
“Vlerësimi i “doing bussines” është një lajm i mirë për vendin, dhe është e qartë se vjen si rezultat i reformave të mëdha të marra nga qeverisja e mëparshme dhe Bashkia e Tiranës sot. Shpresojmë që ky raport të shërbejë si këmbanë alarmi për qeverinë e ta bëjë atë më miqësore me biznesin, e të rikthehet tek ky sistem taksash që e vlerësoi edhe Banka Botërore”- përfundoi deklaratën Tabaku.

SHKARKO APP