PD: Formulë të re për konsensus, të huajt vetëm rol vëzhgues

Kryetari Lulzim Basha, pas mbledhjes së grupit deklaroi se: “Prej 18 ditësh Rama refuzon të dalë nga ngërçi, ai bën lojë të dyfishtë me ndërkombëtarët”

Redjon Shtylla

Lëvizjet e djeshme të opozitës shqiptare, kanë qenë befasuese, nisur nga mbledhja e aleatëve në një tryezë ku ishte i pranishëm dhe Nard Ndoka, e më pas me grupin parlamentar ku u bë publik dhe formula e re që ka gjetur PD-ja për konsensusin që kërkon reforma në drejtësi, e cila është në ngërç. Menjëherë pas mbledhjes së grupit, në një dalje për mediat, kreu opozitar, prezantoi atë që e cilësoi si formularin, i cili do të shpëtojë reformën dhe do t’i japë fund ngërçit të mos konsensusit. Më 24 qershor, opozita i ka dërguar maxhorancës një formulë të re kompromisi për reformën në drejtësi, duke hequr dorë nga formula e vendeve të rezervuara. Por Lulzim Basha e lexon heshtjen e këtyre dy javëve si një provë të re, se Edi Rama kërkon dështimin e reformës në Ddrejtësi. Ai shton se: “Argumenti sigurisht që është frika që Edi Rama ka nga një reformë e vërtetë në drejtësi. Dhe përgatitja që bën për të dështuar këtë reformë me shpresën që më 21 korrik të drejtojë gishtin tek opozita. Gishtin ia ka prerë Bilali me shokë. Në qoftë se ka bërë plan të shkojë në zgjedhje të parakohshme me këtë kalë beteje, po i them që sot që e ka gomar të ngordhur”, deklaroi Basha. Opozita me këtë formular, shkon në tre propozime, që edhe kreu Basha i nënvizoi e që janë: “E para, ka qenë ajo që u ofrua nga OPDAT dhe EURALIUS në 10 shkurt dhe që ne e riadoptuam në draftin tonë të datës 29 maj. E dyta, ka qenë propozimi i 6 qershorit në takimin me të për “listat alternative” prapë sipas rekomandimeve të “Venecias”. Ky është propozimi ynë i tretë. I treti që opozita bën dhe Edi Rama vazhdon të insistojë në mospranimin e këtij propozimi pa asnjë argument. Argument është sigurisht frika që Edi Rama ka nga një reformë e vërtetë në drejtësi dhe përgatitja që bën për të dështuar këtë reformë, me shpresën se do t’ia lërë fajin në derë opozitës”. Përgjatë dy javëve, ai ambasadori amerikan, Donald Lu, ka kërkuar qoftë edhe me takime personale, vota demokratësh pro reformës dhe ndryshimeve kushtetuese. I pyetur nga gazetarët nëse kjo formulë e re e opozitës ka mbështetjen e partnerëve? Basha u përgjigj se: “E rëndësishme është që formula jonë është bazuar mbi dokumentin themelor ndërkombëtar, që është opinioni përfundimtar i Komisionit të Venecias. Mbi atë nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë institucion tjetër”, u shpreh Basha. Formula e opozitës parashikon ngritjen e një komisioni “ad hoc” parlamentar, me përfaqësim të barabartë, i cili me votë të fshehtë përzgjedh anëtarët e organeve të “Vetting”-ut. I pyetur nëse kjo përjashton operacionin ndërkombëtar të monitorimit, që sipas draftit zyrtar ka fuqi vendimmarrëse? Kreu Basha u shpreh se: “Jo, opozita nuk ka vendosur asnjëherë që operacioni ndërkombëtar i monitorimit të ketë kompetenca që nuk ia jep Venecia. Ne kemi qenë dhe jemi për kompetencat që Komisioni i Venecias i njeh operacionit ndërkombëtar të monitorimit dhe për këto kemi qëndruar dhe do të qëndrojmë deri në fund”, -tha më tej kreu i PD-së, Basha. Por pyetjes se maxhoranca ka bërë një propozim tjetër, një formulë që quhet me votë të transferueshme. Për këtë Lulzim Basha thotë se, këtë formulë opozita e ka hedhur poshtë dy herë. “Është propozim i rrëzuar nga opozita më 17 shkurt me shkrim, si dhe gjatë takimit tim të qershorit në mënyrë të argumentuar, sepse është një metodë me potencial të lartë korruptimi, pa transparencë dhe tepër i ndërlikuar për kushtet dhe proceset, për të cilat propozohet”,- tha Basha.

Swiss Digital Desktop Reklama

Reagimi

Swiss Digital Mobile Reklama

Maxhoranca, Hysi: S’kemi dijeni për formulën e propozuar nga PD-ja

Vasilika Hysi, deputete e PS-së është shprehur se anëtarët e Komisionit të Posaçëm të Reformës, nuk kishin dijeni për një propozim të tillë nga Partisë Demokratike, qoftë dhe me “braktisjen” e vendeve të rezervuara. Në përfundim të mbledhjes së Komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi, Hysi deklaroi se : “Unë tani po e dëgjoj këtë propozim të zotit Basha. Lidhur me paragrafin 88, paragrafi jep disa rekomandime se si mund të zgjidhet çështja kur partitë politike nuk kanë arritur atë që quhet votim i cilësuar. Pra 3/5-t ose 3/2-at. Nuk di ndonjë nismë të Partisë Demokratike, madje do të thosha që ndihem keq që kolegët e opozitës, ndërkohë që, ka negociata dalin me paketa që janë jashtë pjesës së negociatave. Unë besoj dhe mendoj që i gjithë procesi i negociatave nuk duhet të jetë negocim jashtë strukturave që duhet negociuar”, theksoi Hysi. Në deklaratën për mediat, ajo u shpreh se, kërkesa e PD-së për vendet e rezervuara ishte absurde. Ajo bëri thirrje që në ditët në vijim do të vazhdojnë negociatat me opozitën për miratimin e reformës në datën e caktuar.

Zbardhet formulari

PD heq dorë nga vendet e rezervuara

Partia Demokratike dje bëri publike formulën e re, në të cilën ajo heq nga “vendet e rezervuara” në katër institucionet e reja që krijohen nga reforma në drejtësi. Propozimi do të bëhet publik për mediat ditën e premte nga nënkryetari demokrat i komisionit të posaçëm parlamentar, Oerd Bylykbashki, por është mësuar se ky konsiston kjo formulë e re. Ajo ka të bëjë me ngritjen e një komisioni “ad hoc” me 12 anëtarë, të cilët zgjidhen me përbërje 6 nga opozita dhe 6 nga maxhoranca. Me votë të fshehtë, secili deputet i këtij komisioni, përzgjedh në mënyrë elektronike nga 1 gjyqtar të përzgjedhur më parë nga Gjykata Kushtetuese përmes një procesi filtrimi kandidaturash që bëhet nga një komision prej tre vetash i ngritur nga kushtetuesja. anëtarët e organeve të “Vetting”-ut. Kjo përjashton operacionin ndërkombëtar të monitorimit, që sipas draftit zyrtar ka fuqi vendimmarrëse. Më pas, 12 anëtarët e komisionit votojnë në mënyrë të fshehtë për 12 emrat, të cilët ia çojnë listën Parlamentit për votim. Më pas deputetët në seancë me votim të hapur zgjedhin me shumicë Kushtetuese prej 2/3 këto propozime për secilin nga katër institucionet e reja që krijohen nga reforma në drejtësi siç janë Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ), Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP), Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) si dhe Kolegji i Pavarur i Kualifikimit (KPK).  Sipas PD-së, propozimi i ri është një mundësi për konsensus pasi është i bazuar në rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Takimi me aleatët, surprizë pjesëmarrja e Nard Ndokës

 Mediu: Venecia, arbitri i vetëm që kemi rënë dakord

Në mbledhjen e djeshme, kryetari Basha u takua dhe me aleatët e tryezës opozitare,qofshin ato parlamentare apo jashtë parlamentit. Në këtë takim u pa dhe kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, i cili u cilësua si surprizë pasi në zgjedhjet vendore të 21 qershorit ishte pjesë e koalicionit mazhoritar. Por Ndoka e ka bërë të qartë qëndrimin e tij, që nuk do të votojë një reformë që nuk ka konsensusin si nga opozita dhe nga maxhoranca. Aleatët që janë dhe deputetë në parlament pohuan që vota e tyre është e njësuar me opozitën. Ndaj kreu i PR-së, Fatmir Mediu, kreu i PAA-së, Agron Duka dhe Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, theksuan se nuk do të votojnë një reformë pa konsensus dhe pa zbatuar rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Në një prononcim për “Koha Jonë”, kreu i PR-së, Fatmir Mediu është shprehur se: “Opozita po kërkon që reforma në drejtësi të jetë një reformë që garanton pushtetin gjyqësor, të pavarur politikisht dhe të pakorruptueshëm. Maxhoranca që në fillim ka kërkuar një reformë të kontrolluar politikisht prej saj dhe njëkohësisht vegël në shërbim të interesave korruptive të saj. Po t’i ktheheni drafteve të fillimit shumë institucione të propozuara jo vetëm kishin për qëllim kontrollin e sistemit, por ishin ndërtuar në mënyrë të tillë që lehtësisht mund të gjejë emrat mbas tyre, me lidhje të qarta politike me PS-në. Ne kemi kërkuar dhe kërkojmë të respektohen rekomandimet e Komisionit te Venecias, si arbitri i vetëm që kemi rënë dakord, politika shqiptare dhe faktori ndërkombëtar”,- u shpreh ai.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?