PD: Gjuhë e fortë në rezolutën e miratuar nga PPE për Shqipërinë
Me një deklaratë të tillë, Partia Demokratike ka vlerësuar rezolutën për Shqipërinë, miratuar së fundmi nga Partia Popullore Europiane, ku shpreh shqetësimin e saj për zhvillimet politike brenda saj.
“PPE është e shqetësuar për dhunimin e përsëritur të shtetit ligjor nga ana e shumicës. PPE shpreh shqetësimin për praktikën e blerjes së votës nga Partia Socialiste sic ndodhi në rastin e zgjedhjeve të pjesëshme lokale në Korcë dhe PPE refuzon amnistimin që shumica i bëri me ligj në parlament këtij krimi.
PPE shpreh keqardhjen se reforma administrative u implementua në mënyrë të njëanshme, cka përbën shqetësim për manipulim elektoral.
Me anë të kësaj rezolute, PPE shprehet e alarmuar për shkarkimet masive nga puna, për aktet e qeverisë në kapjen e institucioneve, dhe kërkon konsensus e gjithpërfshirje për reformën në drejtësi”, cilëson gjithashtu PD-ja.
Duke shtuar se PPE shpreh mbështetjen e plotë për aksionin politik të Partisë Demokratike dhe i kërkon komisionit Europian që të monitoroje nga afër zhvillimet shqetësuese në Shqipëri.
“Partia Popullore Europiane është formacioni më i madh në Bashkimin Europian dhe ka grupin më të madh në Parlamentin Europian. Në përbërje të tij janë liderë të vendeve më me influencë të BE-së si, kancelarja Merkel, presidenti i Komisionit Europian, presidenti i Këshillit Europian, dhe Komisioneri i ri për Zgjerimin”, përfundon Partia Demokratike.
KOHA JONË SONDAZH

