PD: Kjo është formula e kompromisit për drejtësinë
Partia Demokratike ka prezantuar këtë të premte propozimin për formulën e kompromisit për reformën në drejtësi. “Kjo është një formulë e dakordësuar dhe e aplikueshme edhe për institucionet e tjera, që garanton përmbylljen me sukses të procesit të përzgjedhjes së komisionerëve, në përputhje me paragrafin 88 të opinionit të Komisionit të Venecias”, ka deklaruar deputeti Oerd Bylykbashi, i cili ka publikuar hapat e kësaj formule.
Hapi 1 – Shpallen vakancat mbi bazën e kritereve kushtetuese e ligjore. Organi i parë që e shpall vakancën dhe mbledh kandidaturat është Presidenti i Republikës, por mund të jetë dhe Avokati i Popullit.
“Ky institucion do të shpallë 12 vakancat dhe do të presë aplikimet për mbushjen e tyre. Kriteret për aplikim parashikohen në Kushtetutë dhe ligj dhe janë të publikuara. Në përfundim të afatit, presidenti i përcjell dosjet e aplikimeve në Gjykatën Kushtetuese”, ka deklaruar Bylykbashi.
Sipas tij, Gjykata Kushtetuese ka të gjithë integritetin dhe kapacitetet për t’u bërë pjesë e këtij procesi.
Hapi 2 – Kreu i Gjykatës Kushtetuese do të përzgjedhë me short një panel prej 3 gjyqtarësh që do të bëjnë vlerësimin e kandidatëve. Shqyrtimi bëhet mbi prova dhe fakte dhe kandidatit i jepet mundësia të faktojë përmbushjen e kushteve dhe kritereve. Nëse një kandidat nuk plotëson kushtet, rrëzohet.
“Këtij paneli do t’i bashkangjiten përfaqësuesit e misionit ndërkombëtar të monitorimit, siç e parashikon Komisioni i Venecias. Ata do të kenë akses në të gjithë dokumentacionin dhe procesin”, ka saktësuar Bylykbashi.
Hapi 3 – Kur dikush është i pakënaqur me panelin prej 3 gjyqtarësh është e mundur të bëhet një ankim në Gjykatën Kushtetuese, në trupën prej 9 gjyqtarësh, që do të vendosë për pranimin e kësaj kërkese për rivlerësim të këtij vendimi të panelit.
“Numrat janë të tillë, janë 6 anëtarë të papërfshirë dhe është mundësia që vendimi i panelit të rrëzohet”, ka thënë Bylykbashi, raporton TCH.
Ai ka shtuar se, në përfundim të procesit të shqyrtimit të kandidaturave, kryetari i Kushtetueses dërgon në Kuvend kandidatët e verifikuar dhe që plotësojnë të gjitha kriteret.
KOHA JONË SONDAZH

